English

Ekstradohet nga Italia i dënuari me 15 vite burg, mashtroi një vajzë për prostitucion

Tiranë, 12 Gusht, NOA - Zyra e “Interpol Tirana” ka mundur të kryejë ekstradimin nga Milano të Italisë drejt vendit tonë, të 30-vjeçarit Erjan Kallmeti, lindur në Nikël të Krujës, i cili ka mbërritur tashmë në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas dhe u është dorëzuar përfaqësuesve të drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Lajmi konfirmohet prej burimeve policore për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se Kallmeti, vite më parë, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka mashtruar një vajzë me inicialet R.B., me qëllim dërgimin e saj në Itali për ta shfrytëzuar si prostitutë.

Për këtë akt, gjykata e Durrësit e ka dënuar atë me 15 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion“, parashikuar nga neni 114/b/2 të Kodit Penal.

Bëhet fjalë për vendimin nr. 385, të datës 08.06.2004, i ndërmarrë nga kjo gjykatë lidhur me këtë person.

Ndërkaq, si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Romën” më datën 19.11.2009, u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë i të lartpërmendurit, për të mundësuar sot qënien e tij në Tiranë para autoriteteve të Burgjeve.

n.e/NOA

KOMENTE