English

Kur ëndrrat kthehen në realitet ... djali i pastrehë përfundon në skuadrën e United

Portugali, 13 Gusht NOA /Rid Bulku - Quhet Tiago Manuel Dias Correia, me origjinë portugeze, është 20 vjeç dhe ka përfaqësuar vendin e tij në “Kampionatin Kombëtar të të Pastrehëve”.

Nga rrugët luzitane, drejt e në Premier League. Kjo është blerja e re e skuadrës së Manchester United. Shumë herë ndodh që ëndrrat të kthehen në realitet dhe kjo nuk është vetëm një mënyrë të thëni.

Mjafton vetëm të besosh dhe të vazhdosh në objektivat e tua, pavarësisht nga ato çka mendojnë apo thonë të tjerët.

E në qoftë se talenti ekziston, atëherë dikush do të të vërë re.

Kjo është pikërisht ajo çka ka ndodhur me Tiago Manuel Dias Correia, i cili njihet më shumë me nofkën Bebe, lojtar portugez 20-vjeçar që tashmë është nën urdhrat e Sir Alex Ferguson.

Manchester United, faktikisht, ka arritur të marrë shërbimet e sulmuesit të Vitoria de Guimaraes, që ishin vënë re dhe pëlqeheshin shumë nga Jose Mourinho.

Një blerje e rëndësishme për unitet, por mbi të gjitha një gëzim e lumturi për Bebe, duke u bazuar në historinë e tij personale.

I rritur në një jetimore, pa njohur asnjëherë familjen e tij të vërtetë, Bebe kaloi pjesën më të madhe të adoleshencës së tij në rrugë ku mësoi dhe të luante futboll.

Një pasion që i bëri të mundur fillimisht të përfaqësonte Portugalinë në Homeless World Cup, që është kampionati kombëtar i të pastrehëve, e më pas të gjente një skuadër të divizionit të tretë në kampionat si Estrela da Amadora.

Por djaloshi kishte një talent të madh dhe ishte i destinuar për të luajtur në skena akoma më të rëndësishme të futbollit.

Këtë fakt e kuptoi Vitoria de Guimaraes, klubi i superligës portugeze, që në muajin korrik të vitit 2010 e mori nga ekipi i Estrela da Amadora duke i ofruar një kontratë katërvjeçare.

Megjithatë nuk ishin vetëm ata që vunë re talentin e Bebe, pasi në ndjekje të tij ishin dhe dy nga klubet më të njohura dhe më të forta të botës si Real Madrid dhe Manchester United.

Ishin pikërisht “djajtë e kuq” të cilët siguruan shërbimet e Bebe dhe kjo falë dhe këshillave të dhëna nga ish ndihmësi i Ferguson, Cuerioz.

Për Bebe mund të themi se diçka e tillë nuk ka kaluar as në imagjinatën e tij, por shpesh herë ndodh që ëndrrat të kthehen në realitet dhe mjafton vetëm të besoni.

r.b/NOA

KOMENTE