English

Vrau 11 vjet më parë për gjakmarrje, ekstradohet i dënuari me 24 vjet burg

Tiranë, 12 Gusht, NOA – Në vitin e largët 1999, do të vriste një person dhe në një copë letër dërguar kryeplakut të fshatit, do t’i shkruante se vrasjen e kishte kryer për gjakmarrje.

Kjo është ngjarja që rëndon prej 11 vitesh mbi 31-vjeçarin Ndue Memaj nga Puka, për të cilën ai është dënuar me 24 vjet burg nga drejtësia shqiptare dhe që sot, për vuajtjen e këtij dënimi, ai është ekstraduar drejt vendit tonë nga Milano ku edhe fshihej prej vitesh.

Lajmi është konfirmuar nga burimet policore të Tiranës për agjencinë e Lajmeve NOA, duke sqaruar se vendimi për 24 vite burg ndaj Memajt është marrë nga gjykata e Pukës, në vitin 2000, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim“ dhe “Armëmbajtjes pa leje“, parashikuar nga nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Konkretisht, ai më datë 08.11.1999, në Fushë Arrëz, ka qëlluar me automatik dhe ka vrarë Jak Ndokën, ndërsa ky i fundit në momentin e vrasjes, mësohet se qenë duke drejtuar një furgon dhe si pasojë, është përplasur me një kioskë duke shkaktuar vdekjen e Agron Hysenit, i cili gjendej brenda saj.

Nga kjo ngjarje atëherë, është plagosur gjithashtu edhe një kalimtar i rastësishëm.

Më pas, autori është larguar nga vendngjarja dhe i ka dhënë një letër kryeplakut të fshatit në të cilën shkruhej se vrasjen e kishte kryer për gjakmarrje.

Ndërkaq, si rezultat i bashkëpunimit të zyrës së “Interpol Tirana” me “Interpol Romën”, në vitin 2007 u bë i mundur arrestimi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i të lartpërnendurit, ndërsa sot në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas Memaj u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

n.e/NOA

KOMENTE