English

Zjarret e ndryshimeve politike në Rusi

Vlerësimi pozitiv i popullit rus për Putinin ka rënë në nivelet më të ulëta në më shumë se katër vjet, ndërsa përqindja për Medvedevin është në një nga pikat e saja më të ulëta, që kur ai mori detyrën në maj 2008

Nga Simon Shuster

Rusët njihen si njerëz që kanë durim të madh, veçanërisht kur është fjala për t’u ballafaquar me liderë të cilët janë senilë, neglizhentë ose shumë më të këqij se kaq. Por, reagimi i Qeverisë ndaj valës së vazhdueshme të të nxehtit, vështirë se mund të kalohet me ngritjen e zakonshme të supeve. Nëpër pjesën më të madhe të Rusisë Qendrore dhe Perëndimore, më shumë se 500 zjarre vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit. Kryeqyteti është mbuluar me një re tymi helmues, morgët janë tejmbushur, ndërsa shkalla e vdekshmërisë në mbarë vendin është rritur për 50 për qind. Ndërkohë, Presidenti Dmitri Medvedev ka shpenzuar kohën më të madhe të këtij muaji duke folur për reformat policore, dhe shumë zyrtarë lokalë kanë shkuar për pushime. Tash, liderët e mëdhenj e të vegjël të Rusisë ka të ngjarë ta kenë një stuhi politike para vetes. Në nivelin lokal, zemërimi tashmë ka hyrë në radhët e Partisë Rusia e Bashkuar, që është shpura politike rreth Kryeministrit Vladimir Putin. Vladimir Dvuzhilov, anëtar i legjislaturës rajonale në Volgograd, ku nxehtësia ka shkatërruar shumicën e të korrave, ka thënë se kohë më parë e ka shqyer librezën e anëtarësisë në Rusinë e Bashkuar, akt i cili do t’i kushtojë me karrierën politike. "E kam humbur plotësisht besimin në parti", thotë ai. "Për liderët, çështja gjithmonë ka të bëjë me intriga politike e asnjëherë me ndonjë të mirë për njerëzit". Zjarret në qarkun e tij në Novaya Anna filluan më 24 qershor dhe brenda disa ditësh shkatërruan rreth 1000 hektarë tokë. Kur e njoftoi kryeqytetin rajonal, Volgograd, autoritetet e atjeshme e regjistruan si zjarr që kishte përfshirë 15 hektarë dhe nuk dërguan asnjë ndihmë për Qarkun. "Ata nuk duan të bëjnë bujë", thotë Dvuzhilov. Gjatë gjithë valës së të nxehtit, që tash është në javën e shtatë, përgjigjet e stilit të strucit duket se janë shndërruar në normë. Të hënën, për shembull, Ministria Federale e Shëndetësisë i qortoi zyrtarët lokalë shëndetësorë në Moskë pasi kishin njoftuar se shkalla e vdekjeve në kryeqytet ishte dyfishuar, duke arritur në 700 njerëz në ditë. Shifra mbështetej nga raportet se morgët e kryeqytetit ishin mbushur përtej kapacitetit. Por, në deklaratën e saj Ministria e Shëndetësisë ofroi të dhëna që thonë se shkalla e vdekjeve, në fakt, në gjysmën e parë të këtij viti kishte rënë për 9 për qind. Të dhënat për korrik dhe gusht nuk u dhanë, pasi "shifrat jozyrtare" kishin shkaktuar panik në Ministri. Mbase përpjekjet më të ashiqarshme për nënvleftësimin e fatkeqësisë kanë ardhur nga Prefekti i Moskës, Yuri Luzhkov. Kur javën e kaluar tymi nga zjarret rreth qytetit të tij po ia zinte frymën qiellit, Luzhkov kishte shkuar në pushime. "Ku është problemi? Pse, a kemi ndonjë situatë emergjente, ndonjë situatë krize? Çfarë problemi ka Moska?", iu tha gazetarëve zëdhënësi i Kryetarit të Bashkisë më 6 gusht. Tri ditë më vonë, mediat raportuan se Luzhkov, një bletar i pasionuar, kishte urdhëruar që kosheret e tija – të cilat kanë fituar shpërblime në gara - të evakuoheshin diku larg smogut. Gjatë gjithë kohës ai ka refuzuar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për banorët njerëzorë të Moskës. "Situata nuk është e thjeshtë, por është e kontrollueshme", i tha Luzhkov Vladimir Putinit të martën, pasi më në fund u kthye në shtëpi i rrezitur dhe i mërzitur. Putin e lavdëroi Kryetarin e Bashkisë për shkurtimin e pushimeve dhe kthimin "në kohë të duhur". Sipas anketimeve të opinionit, megjithatë, popullata ruse nuk është as përafërsisht gati për t’i falur liderët e saj. Në dy javët e fundit të korrikut, agjencia shtetërore e hulumtimeve VTsIOM bëri të ditur se vlerësimet pozitive për Putin dhe Luzhkov kishin rënë në nivelet e tyre më të ulëta në më shumë se katër vjet, ndërsa përqindja për Medvedev ishte në një nga pikat e saja më të ulëta, që kur ai mori detyrën në maj 2008. Në të njëjtën kohë, rusët kanë filluar ta kërkojnë kthimin e zgjedhjeve për guvernatorë, të cilat Putin i anuloi në 2004, kur ia dha Kremlinit të drejtën t’i emërojë udhëheqësit rajonalë. Në një hulumtim të publikuar me 6 gusht nga Qendra Levada, e cila konsiderohet e pavarur, 59 për qind e rusëve duan që sërish t’i zgjedhin qeveritarët e tyre, një rritje prej 5 për qind nga muaji janar. "Problemi është se ne në Rusi realisht kurrë nuk e kemi përjetuar konceptin e zonave zgjedhore, prandaj zyrtarët lokalë nuk kanë pasur ndonjë arsye faktike për t’i joshur votuesit", thotë Boris Dubin, sociolog në Qendrën Levada. "Tash, me këto zjarre, qytetarët janë duke i parë të gjitha joefikasitetet që janë krijuar". Javën e ardhshme, kur Levada do ta realizojë hulumtimin e saj politik, Dubin pret që vlerësimet pozitive për Putin dhe Medvedev të vazhdojnë të bien. "Populli rus dëshiron që dikush të mbajë përgjegjësi", thotë ai. "Jo vetëm personalitetet gjysmëmitike si Putin dhe Medvedev, të cilat i shohin vetëm në televizion, por dikush që mund t’i dëgjojë shqetësimet e tyre në nivelin lokal edhe të reagojë në nivel lokal". Rasti i ardhshëm kur votuesit do të mund ta shprehin këtë lloj ndjenje është caktuar për 10 tetor, kur pesë rajone do të mbajnë zgjedhje parlamentare dhe rreth 40.000 ulëse në organet e qeverisjes komunale do të hidhen gjithashtu në votim. Andrei Serenko, analist politik dhe gazetar ne Volgograd, thotë se shkatërrimi i të lashtave nga vala e të nxehtit do të jetë faktor përcaktues përgjatë gjithë lumit Volga, ku jetesa e miliona njerëzve varet nga bujqësia. "Kjo është një pjesë shumë e madhe e Rusisë Qendrore, një segment shumë i madh i popullatës që ka vuajtur dhe s’ka marrë asnjë ndihmë nga elitat në pushtet. Pra, ne presim që lëvizje të reja sociale të dalin nga ky zemërim dhe të ofrojnë një lloj konkurrence", thotë ai. Serenko thotë se një opsion që po diskutohet nga zyrtarët lokalë është ringjallja e Partisë Agrare, e cila iu bashkëngjit Rusisë së Bashkuar të Putinit, në 2008. Por, duke pasur parasysh reputacionin e Partisë Rusia e Bashkuar për t’i manipuluar zgjedhjet, shumë analistë nuk janë të sigurt se ndryshimet mund të vijnë nga poshtë. Praktikisht çdo proces zgjedhor kombëtar në Rusi është prishur nga dyshimet për mashtrime me shumicë, madje edhe gjatë raundit të fundit mbarëkombëtar të zgjedhjeve në tetor 2009 - kur Rusia ishte në prag të rrënimit financiar, papunësia po rritej shumë dhe fabrikat ishin mbyllur - Rusia e Bashkuar prapëseprapë i fitoi të gjitha 7.000 zgjedhjet rajonale që u mbajtën atë ditë. "Natyrisht, kjo fatkeqësi e ka tronditur besimin e njerëzve ndaj pushtetit në të gjitha nivelet", thotë Jevgeni Volk, analist politik në Moskë. "Por, përveç faktit se kjo iu tregon elitave në pushtet se duhet të bëjnë më shumë për ta manipuluar opinionin publik, të japin me shumë dhurata, ta margjinalizojnë edhe më tutje opozitën, nuk mendoj se ndonjë ndryshim real mund të vjen prej kësaj". (*) “Time”

KOMENTE