English

Ministri Xhaferraj takon përkthyesin e Kadaresë në rumanisht, Marius Dobrescun

Tiranë, 13 gusht, NOA – Përkthyesi në rumanisht i veprave të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, Marius Dobrescu është pritur sot nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.

Përkthyesi Marius Dobrescu, është autori i shumë artikujve publicistikë për Shqipërinë dhe letërsisë shqipe, në shtypin rumun.

Ministri Xhaferraj shprehu respektin, mirënjohjen e tij për produktin e vlerave kulturore shqiptare në Rumani.

Ndërsa përkthyesi Dobrescu nuk la pa përmendur dhe revistën rumune “Miku i Shqiptarëve”, ku vetë Dobrescu, ka botuar ndër vite veprat e shkrimtarëve të njohur si Naim Frashëri, Lasgush Poradeci etj.

Një temë e prekur gjatë takimit ishte periudha e komunizmit, e përjetuar nga të dy popujt.

Zoti Dobrescu cilësoi se përveç romaneve, janë botuar dhe revista të ndryshme shqiptare.

Marius Dobrescu ka përkthyer mjaft vepra të njohura nga poezia dhe proza shqipe në periodikun rumun.

Dobrescu është konsideruar ambasadori i kulturës shqiptare në Rumani.

Ai është vlerësuar edhe me çmime kombëtare edhe në Rumani, duke u shpallur përkthyesi më i mirë i vitit në përkthimin e veprave te Kadaresë.

Dobrescu ka përkthyer mbi 25 vepra të Kadaresë në gjuhën rumune.

Një ndër veprat, që e bëri të njohur Dobrescun, ishte përkthimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e cila u vu në skenë një vit rradhazi në Teatrin Kombëtar Rumun.

Ndërkohë, shkrimtari ynë Ismail Kadare, me rastin e vizitës më të fundit në Rumani, e ka konsideruar si një nga përkthyesit e tij të preferuar dhe më produktivë.

Në tregun rumun mësohet se sapo ka dalë në treg romani Daullet e shiut i përkthyer nga Dobrescu.

Këtë vit në Rumani organizohet dhe Festivali i Poezisë Ballkanike ku merr pjese edhe Shqipëria.

Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj, i dhuroi Marius Dobrescut në këtë takim një libër të Marubit, dhe një punim artizanal tradicional shqiptar.

mit/NOA
KOMENTE