English

Përkujtohet 9-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

Shkup, 13 gusht, NOA – Në Maqedoni sot shënohet 9-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të vitit 2001 në këtë vend, por partitë politike shqiptare janë të ndara në shënimit e këtij përvjetori..

Me një ceremoni të organizuar nën patronazhin e sekretariatit për implementimin e kësaj marrëveshje do të shënohet përvjetori i nëntë, ku janë të ftuar krerët shtetëror, kori diplomatik dhe personalitete të tjera të jetës publike.

Shumica e partive opozitare nuk janë të kënaqura me implementimin praktik të këtij dokumenti që avancon pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Një pjesë e partive politike dhe nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit do të mungojnë në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Qeveria. Nënshkruesit e marrëveshjes, Branko Cërvenkovski nga LSDM-ja, Arbër Xhaferi nga PDSH-ja, partitë politike PDSH dhe PPD nuk do të marrin pjesë në shënimin zyrtar.

Edhe kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje. Bashkësia ndërkombëtare me rastin e këtij përvjetori sërish ka shprehur mbështetjen dhe implementimin e kësaj marrëveshje të paqes.

Marrëveshja Ohrit dhe dispozitat kushtetuese relevante mbeten të domosdoshme në ndërtimin e shoqërisë së qetë, juridike dhe të bashkuar multietnike. Kjo është porosia e përfaqësuesve të misioneve të BE-së, NATO-së, OSBE-së dhe SHBA-ve në Maqedoni.

“Mbetemi tërësisht të përkushtuar ndaj Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe presim që të gjithë pjesëmarrësit të marrin përsipër obligim të plotë për atë që paraqet proces të vazhdueshëm dhe ta mbështetin zbatimin e Marrëveshjes edhe si tekst, por edhe frymën e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të firmosur nga ambasadorët e BE-së, SHBA-ve, NATO-s dhe OSBE-së në Maqedoni.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, duke parandaluar konfliktin midis forcave shtetërore të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Marrwveshja, e gjallë apo e vdekur?

Shqiptarët sot në Maqedoni janë përballë një dileme të madhe se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj. Deklaratat dhe imponimet optimiste duken shumë cinike përballë fakteve dhe realitetit të zymtë të shqiptarëve, pa gjuhë shqipe, pa simbole kombëtare, me injorimin institucional të kësaj marrëveshje nga maqedonasit...

Nëntë vite pas 13 gushtit të vitit 2001, analizat, raportet dhe vlerësimet e ndryshme flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyll çështjen shqiptare në Maqedoni. Shqiptarët vazhdojnë të kenë të pazgjidhur në mënyrë të qartë shumë probleme të tyre, që megjithatë ngelën si vazhdimësi e injorimit.

Cilat janë problemet e pazgjidhura dhe të zvarritura

- Mos zgjidhja e përdorimit të gjuhës shqipe;

- Mospërdorimi i simboleve kombëtare;

- Ndarja e dëmshme territoriale dhe decentralizimi i parealizuar;

- Mosarritja e shkallës së përfaqësimit deri në 25 për qind;

- Diskriminimi rreth dhënies së shtetësive për afërsisht 50 mijë shqiptarë;

- Përfaqësimi zero në shumë institucione dhe hierarkinë e lartë vendimmarrëse shtetërore;

- Anashkalimi i zonave shqiptare për investime;

- Anashkalimi dhe mos përfaqësimi në organet e larta të sigurisë, shërbimet sekrete dhe njësitet speciale ushtarake, ku nuk ka gati asnjë shqiptarë;

- Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së;

- Kaosi i shkaktuar në arsimin shqip;

- Diskriminimi total i shqiptarëve rreth ndarjes së banesave sociale;

- Determinimi i Komitetit parlamentar për marrëdhënie ndëretnike;

Marrëveshjet dhe zgjidhjet pas luftërave në rajon

Kosovë - serbët me rreth 7 për qind (sipas statistikave të CIA). Gjuha serbe është zyrtare në tërë territorin e Kosovës. Ndarja territoriale favorizon komunitetin serb me territore të gjëra.

Bosnjë-Hercegovina – Pas marrëveshjes së Dejtonit krijohet federata e BH-së. Kroatët me 14 për qind, por edhe serbët me 35 për qind. Gjuhët e tyre janë zyrtare. Funksionon Këshilli presidencial me presidentë të zgjedhur me rotacion, boshnjak, serb dhe kroat, me mandate të caktuara

Mali i Zi – Serbët me 32 për qind janë popullsi shtetformuese relevante, duke shfrytëzuar trashëgiminë në këtë shtet dhe duke qenë gjuha e tyre zyrtare, që e flasin edhe malazezët NOA-INA

KOMENTE