English

Gruevski bojkoton 9 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Shkup, 14 gusht, NOA - Kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka marrë pjesë mbrëmë në pritjen solemne me rastin e 9 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Nga zyra për informim e kryeministrisë nuk kanë dhënë detaje për agjencinë e lajmeve INA lidhur me mospraninë e kryeministrit Gruevski në këtë përvjetor të radhës të mbajtur në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup.

Nikolla Gruevski deri tani nuk ka qenë i pranishëm në asnjë manifestim për shënimin e përvjetorëve të Marrëveshjes së Ohrit, që nga ardhja e tij në krye të partisë VMRO-DPMNE, e cila aktualisht po udhëheq koalicionin me partinë shqiptare BDI.

Diplomatët perëndimor të pranishëm në ceremoninë e organizuar mbrëmë nga sekretariati qeveritar për impelementimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk kanë komentuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Në nivel të përfaqësimit të kreut shtetëror dhe Qeverisë, në ceremoni kanë qenë të pranishëm presidenti Gjorgji Ivanov, kryeparlamentari Trajko Sllavevski, zëvendëskryeministri dhe ministri i financave, Zoran Stavrevski, ministra shqiptarë, kori diplomatik, drejtues të partive politike dhe të organizatave joqeveritare.

Në këtë ngjarje sërish janë dhënë mesazhe lidhur me respektimin dhe zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje të paqes, që parandaloi konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni.

NOA/INA

KOMENTE