English

Shefi i Qeverisë ngushëllon Kryeministrin e Maltës, për humbjen e ish-Presidentit Guido de Marco

Tiranë, 16 Gusht 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha Kryeministri Berisha i ka dërguar sot një letër ngushëllimi Kryeministrit të Republikës së Maltës, z. Lawrence Gonzi për humbjen e ish-Presidentit Guido de Marco.

Në letrën e dërguar Kryeministri Berisha shprehet:

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për vdekjen e ish-Presidentit Guido de Marco, burrit të shtetit, europianistit dhe diplomatit të shquar, personalitetit të rëndësishëm të botës së jurisprudencës dhe mendimit, një prej simboleve të historisë politike të Maltës.

Tek personaliteti i z. Guido de Marco, unë, qeveria ime dhe populli shqiptar kanë patur një mik të madh dhe të shquar, të cilin do ta kujtojnë gjithmonë me respekt të madh. Vizitat e tij në Shqipëri, si Ministër i Punëve të Jashtme, President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe President i Republikës së Maltës, i kanë shërbyer zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona, forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh dhe atij rajonal.

Më lejoni shkëlqesi, që, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim personal, t’i shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij, znj. Violet Née Saliba, fëmijëve, si dhe gjithë popullit maltez, për humbjen e këtij personaliteti të shquar.

a.r/NOA

KOMENTE