English

Ujërat e zeza në detin e Durrësit, hiqen tre tubacione në Shkëmbin e Kavajës, Golem dhe Malin e Robit

Durrës, 16 gusht, NOA – Deklaratat e kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë, ditën e premte për goditjen e rreptë të ligjit ndaj të gjithë atyre bizneseve që hedhin ujërat e zeza në det, kanë mobilizuar menjëherë agjencinë Rajonale e Mjedisit për Tiranën, e cila në bashkëpunim me atë të qytetit të Durrësit, kanë zhvilluar sot një një aksion të përbashkët për çmontimin e tubacioneve të ujërave të zeza që dredhen në det.

Aksioni ka prekur zonën e Shkëmbit të kavajas, Golemin dhe Malin e Robit, tri zonat e përmendura nga shefi i qeverisë si më të ndoturat në bregdetin e Durrësit.

Këto zona janë cilësuar edhe nga Inspektoriati i Shëndetit Publik, si mjaft të ndotura, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në det dhe mos krijimit të kolektorëve nga bizneset e shumta në këto zona.

Në përfundim të aksionit janë hequr tre tubacioneve të përmasave shumë të mëdha në zonën e plazhit “Belvedere”, pranë Shkëmbit të Kavajës, pas shinave të trenit, një tubacion që mblidhte ujërat e zeza të gjithë zonës dhe ndërtimeve të ngritura si “kërpudhat pas shiut” përreth.

Janë hequr po ashtu tubacionet pranë kompleksit Xixa, që ndodhet pranë Malit të Robit, dhe një tubacion në zonën e Golemit.

Në kuadër të aksioneve për një mjedis të pastër bregdetar, Ministria e Mjedisit, ka pezulluar punën edhe në një gurore në rrethin e Durrësit, e cila vepronte pa lejen mjedisore.

Është gjobitur me 1 milion lekë të reja, për mostrajtim të mbetjeve urbane edhe firma e pastrimit të qytetit të Kavajës.

Ministria e Mjedisit bën të ditur se aksionet për pastrimin e bregdetit të Durrësit nga ujërat e zeza dhe papastërtitë mjedisore do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme.

mit/NOA
KOMENTE