English

50 vjet nga krijimi i aeroportit të Fiumicinos në Romë

Romë, 19 gusht, NOA – Mes polemikash dhe suksesesh, aeroporti i njohur i Fiumicinos në Romë, mbush plot gjysmë shekulli, nga krijimi i tij.

Por, për ndërtimin e këtij aeroporti, më i njohur aeroport italian, duhet të kthehesh në vitin e largët 1946, një vit pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore, vit në të cilin u ndje nevoja e ndërtimit të një aeroporti të madh në kryeqendrën e Italisë, Romë, më të madh se ai ekzistues, aeroporti Ciampinos.

Pas polemikave të shumta për korrupsion, mëngjesin e 20 gushtit të vitit 1960, pesë ditë para hapjes së lojërave olimpike të Romës, ministri i atëhershëm italian i Punëve Publike, Giuseppe Togni, do t’i dorëzonte ministrit të sapoemëruar të Mbrojtjes, Giulio Andreotti, aeroportin e ri të Fiumicino.

Natën e 14 dhe 15 janarit të vitit 1961, me transferimin e kompanive ajrore, Leonardo da Vinci, hyri përfundimisht në aktivitetin e tij.

Asokohe, Fiumicino, prezantohej vetëm me një njësi qendrore, terminali i vjetër C, tashmë i unifikuar me atë B, duke u quajtur Terminali 3.

Pjesa më e madhe e pasagjerëve që zbrisnin merrnin autobusin pasi asohere nuk kishte autostradë e aq më hekurudhë.

E vetmja rrugë që të lidhte me aeroportin e Fiumicinos, “Leonardo Da Vinci”, ishte ajo detare.

Sipas njohësve të kohës, kjo ishte periudha e artë e Italisë, kur në kryeqytetit Romë zbarkonin divat e kinemasë, Burt Lancaster, Richard Burton, Liz Taylor, e mjaft emra të mëdhenj.

Në 1974-ën, lindja e shoqërisë së aeroporteve të Romës, e cila merrej me drejtimin e sistemit aeroportual të kryeqytetit italian, nisi të rritej edhe aktiviteti i aeroportit të Fiumicinos.

Aktualisht ky aeroport shtrihet në një sipërfaqe prej 1.400 Ha, dhe ka pesë terminale, katër pista, 359 vende për check-in, 86 dalje ngarkesash.

Në 2009-ën, në aeroportin e Fiumicinos, “Leonardo da Vinci”, tanzituan plot 33.811.637 pasagjerë, ndër ta 12.629.323 në fluturime kombëtare dhe 21.182.314 në ata ndërkombëtarë.

Ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, numri i pasagjerëve sipas të dhënave zyrtare ka mbërritur në 16.704.734 persona.

Sipas autoriteteve aeroportuale, pritet që në me nisjen e Olimpiadës në Romë, në vitin 2020, numri i pasagjerëve që do të tranzitojnë në aeroportin e Fiumicinos, të rritet nga 55 milion në 90-100 milion, brenda vitit 2044.

mit/NOA
KOMENTE