English

KLDMNJ: Serbëve të kthyer, u shkelen të drejtat e njeriut në Zallq

Istog, 20 Gusht 2010 NOA - Në fshatin Zallq të Istogut kohë më parë janë kthyer serbë të zhvendosur. Kthimin e tyre e ka përkrahur edhe Qeveria e Kosovës, përkatësisht zyra e kryeministrit si dhe zyrtarët e komunës së Istogut në me krye kryetarin e saj, z. Haki Rugova.

Gjithashtu, për sigurinë e qytetarëve të kthyer në këtë fshat është përkujdesur policia e Kosovës, pjesërisht edhe KFOR-i. Kthimin e serbëve të zhvendosur në këtë fshat e patën kundërshtuar bashkëfshatarët shqiptarë me arsyetim se në mesin e të kthyerve ka edhe serbë që kanë bërë krime ndaj shqiptarëve të po të njëjtit fshat.

Ndonëse e kanë pasur përkrahjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, qoftë të nivelit qendror apo atij lokal dhe ndërkombëtarëve, të zhvendosurit e kthyer serbë nuk janë mirëpritur nga banorët shqiptarë dhe disa herë janë penguar, ngacmuar dhe provokuar duke hedhur në drejtim të tyre gurë apo duke shtënë me armë zjarri.

Rasti i fundit kur janë dëmtuar muret e shtëpive të posandërtuara për të kthyerit serbë është një porosi e qartë se përpjekjet për pengim që serbët e kthyer të stabilizohen dhe të integrohen do të vazhdojnë prandaj e bënë të pasigurt qëndrimin e të kthyerve në këtë fshat.

KMDLNj tha sot se e dënon këtë akt dhe e cilëson si shkelje e të drejtave të njeriut aq më parë kur e drejta për kthim në pronat e tyre dhe posedimi i lirë dhe i papengueshëm i këtyre pronave është njëra prej të drejtave elementare në korpusin e të drejtave të njeriut. Përgjegjësia për vepra kriminale gjatë luftës duhet të hetohet nga organet përkatëse hetimore dhe vetëm gjykata përkatëse është kompetente për caktimin e fajësisë apo pafajësisë për të dyshuarit për krime lufte.

Prandaj, duhet të mbrohet fuqishëm e drejta për kthim e personave të zhvendosur në përgjithësi, pa dallim në baza etnike, fetare etj. dhe kthimin e serbëve në fshatin Zallq në veçanti!

Sipas KLDMNJ, përgjegjësia për krime lufte dhe e drejta për kthim nuk duhet të ngatërrohen ngase nëse bëhet ky precedent atëherë nuk do të kishte fare kthim të personave të zhvendosur.

Kthimi i personave të zhvendosur nuk mund të kushtëzohet me asgjë! KMDLNj kërkon përgjegjësi edhe nga policia e Kosovës e cila është dashur të ndërmerr veprime parandaluese e jo të merret tash me pasojat.

KMDLNj vlerëson se në procesin e kthimit të personave të zhvendosur në fshatin Zallq është bërë një lëshim nga palët e involvuara në këtë proces pasi që nuk është zhvilluar një dialog i mirëfilltë ndëretnik si komponentë shumë e rëndësishme dhe pse mos të thuhet edhe vendimtare që kthimi i të zhvendosurve të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm. KMDLNj edhe një herë kërkon që kthimi i të zhvendosurve të mos pengohet ndërsa për ata që e shkelin këtë të drejtë elementare të njeriut organet përkatëse duhet të ndërmarrin veprime ligjore!

“E drejta për kthim nuk mund dhe nuk duhet të llogaritet si ekskluzivitet etnik apo përfitim politik por si realizim i një të drejte shumë të ligjshme dhe të natyrshme, si për serbët e fshatit Zallq, shqiptarët e Mitrovicës ashtu edhe për të gjithë personat e zhvendosur”, - përfundon deklarata e KLDMNJ.

r.n/NOA

KOMENTE