English

Ministri Mediu: Ndëshkim maksimal për ata që abuzojnë me mjedisin

Tiranë, 20 gusht, NOA – Ministri i Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Fatmir Mediu ka kërkuar sot ndëshkim maksimal për të gjithë ata që abuzojnë me mjedisin.

Ministri Mediu në këtë kontekst theksoi se “Inspektoriati i Mjedisit në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore duhet të vijojë masa drastike për subjektet, që shkarkojne ujëra të ndotura në mjedis dhe nuk i trajtojnë ato. Ështe e papranueshme dhe e turpshme të ndertosh hotel për turizëm në bregdet dhe 5 metra më tej të ndotësh detin apo mjedisin duke ndërtuar një turizëm mbi ujëra të zeza”, vuri në dukje zoti Mediu, duke përsëritur deklaratat e forta të një jave më parë të kryeministrit Berisha, për tolerancë zero ndaj ndotësve të mjedisit bregdetar.

Në këtë kontekst, ministri Mediu u kërkoi specialistëve të tatim-taksave, që të kalojnë në sitë të gjithë subjektet dhe ata që rezultojnë se ushtrojnë aktivitet pa leje mjedisore, të cilëve tu lejohet vetëm 15 ditë kohë, që ta marrin atë, në rast të kundërt t’u pezullohet aktiviteti.

Zoti Mediu kërkoi nga specialistët që të të shkatërrohen të gjitha derdhjet e paligjshme të ujërave të ndotura të patrajtuara në mjedis, lumë apo det; të gjobiten maksimalisht subjektet private apo shtetërore që kryejnë këto ndotje, dhe të pezullohet aktiviteti i tyre duke vijuar edhe deri në procedim penal ndaj tyre; të merren masa për të gjitha derdhjet e ujërave të ndotura në të gjithë territorin e vendit, në lumenj e përrenj.

Ministri mediu tha se ministria që ai drejton do të propozojë një Vendim Qeverie për trajtimin mjedisor të ujrave të ndotura nga subjektet private, veçanërisht në bregdet, me qëllim që të pastrojmë mjedisin detar në një kohë sa me të shpejtë.

Në këtë takim me drejtorët e agjencive rajonale të mjedisit, inspektorë dhe specialistë ministri Mediu cilësoi se ka akoma shumë punë për të bërë, në mënyrë, që të zbatohen prioritet e qeverisë në lidhje me politikat mjedisore.

Gjatë kësaj mbledhje, u lanë edhe një sërë detyrash në vazhdimësi, sa i përket mbrojtjes së mjedisit, trajtimit të mbetjeve urbane.

Ministri i Mjedisit u kërkoi drejtuesve në qarqe të të inspektojnë veprimtaritë me ndikim në mjedis dhe nëse rezultojnë me ndotje mjedisore jashtë standarteve të penalizohen sipas përcaktimeve ligjore; të inspektohen burimet e mëdha të ndotjes si fabrikat e çimentos, guroret, industria e naftës, industria metalurgjike, industria minerare, fermat e mbarështimit intesiv të kafshëve si dhe të verifikohet shkalla e ndotjes dhe realizimi i vetmonitorimeve nga çdo subjekt me ndotje mjedisore.

Lidhur me mbetjet urbane ministri siguroi se ministria do të vazhdojë të penalizojë çdo bashki dhe komunë për mosangazhim në këtë çështje, madje do t’i propozojë kryeministrit masë ekstreme të largimit nga detyra, të atyre që nuk veprojnë në shërbim të mjedisit, duke e cilësuar këtë si krim të rëndë ndaj mjedisit e shoqërisë.

mit/NOA
KOMENTE