English

Berisha i mrekulluar nga busti i zbuluar: Garantoj mbështetje për fuqizimin e arkeologjisë

Tiranë, 21 gusht, NOA – Disa ditë pas zbulimit në parkun arkeologjik të Apollonisë, të bustit të një aristokrati, që daton shekullin e 2-të pas Krishtit, Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot nga afër zbulimin më të fundit, të realizuar nga një ekspeditë e arkeologëve shqiptarë dhe atyre francezë.

Në Muzeun Arkeologjik në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në kryeqytet, ku është vendosur edhe busti i zbuluar, i ruajtur në gjendje të përkryer, prezantimin e zbulimit e bëri Profesor Jean-Luc Lamboley, bashkëdrejtori francez i ekspeditës së përbashkët shqiptaro – franceze të Apollonisë.

Arkeologu francez i tha kruet të qeverisë se “ky zbulim, fryt i një bashkëpunimi të gjatë shqiptaro – francez në këtë qendër arkeologjike, është një kryevepër, një nga skulpturat më të bukura të repertorit botëror të periudhës romake të shekullit të dytë të erës sonë dhe një dëshmi tjetër e zhvillimit të lartë kulturor të Apollonisë, në kohën e artë të lulëzimit të saj në shekullin e dytë pas Krishtit”, theksoi Jean-Luc Lamboley.

Pasi e pa nga afër dhe u njoh me vlerat e bustit, kryeministri Berisha vërejti se “zbulimi në fjalë ka vlerë të paçmueshme dhe të jashtëzakonshme, pasi vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptar”, theksoi zoti Berisha.

Duke shprehur vlerësimin e tij dhe mirënjohjen ndaj ekipit të arkeologëve, kryeministri Berisha bëri pak histori duke iu referuar historianit të shquar austriak, Johanes Hans, që në njërin nga librat më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët ka përsëritur pyetjen, “çfarë janë këta shqiptarët”?

Në këtë kontekst shefi i qeverisë, tha se “ajo që është shumë mbresëlënëse shumë impresionuese është se tek shqiptarët gjen elementë jo të paktë të kulturës helenike, të kulturës romake dhe dikush mund të mendojë se këto janë huazime të shqiptarëve nga këto kultura. Ky historian i shquar ka mendim tjetër, ai mendon së ilirët morën njëlloj si nga helenët edhe nga romakët”.

Kryeministri Berisha në këtë vizitë të veçantë siguroi se “Ky zbulim për qeverinë shqiptare ka edhe një dimension tjetër, të detyrimit për të fuqizuar mbështetjen për arkeologjinë shqiptare, për të fuqizuar bashkëpunimin me vendin tuaj mik dhe vendet e tjera mike në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme në rrafshin kulturor në rrafshin historik dhe në tërësi”, përfundoi shefi i qeverisë, duke e përmbyllur me këto fjalë vizitën e tij në Muzeun Arkeologjik, “unë u mrekullova nga ky zbulim”.

mit/NOA
KOMENTE