Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Slavov: Teknologjia 3G, si abonentët mund të marrin më shumë shërbime (VIDEO)
English

Slavov: Teknologjia 3G, si abonentët mund të marrin më shumë shërbime (VIDEO)

Tiranë, 21 Gusht 2010 NOA – “Nuk do të mungojnë surprizat dhe risitë në produkte dhe teknologji do të vazhdojnë të jenë ndër prioritetet tona, sepse ne asnjëherë nuk ndalojmë së ndjekuri zhvillimet e tregut dhe nevojat e konsumatorëve. Këtë pohim e bën z. Gerassim Slavov, drejtor i Marketingut, të kompanisë së telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, AMC. Në një intervistë për agjencinë Kombëtare të Lajmeve NOA, z. Slavov flet mbi zhvillimet në tregun e telefonisë celulare, ku AMC është e para me 15 vjet jetë në Shqipëri, dhe risitë teknologjike që po hyjnë vrullshëm. Z. Slavov tha se “ne punojmë për zhvillime që janë të rëndësishme për abonentët tanë, që nga risitë teknologjike e deri te zhvillimi i produkteve të thjeshta, siç mund të jetë për shembull një produkt i ri me parapagesë”. Kurse thekson se “qendra e punës dhe e botës sonë është gjithnjë abonenti”.

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë të zbardhur si dhe videointervistën e realizuar:

AMC ishte shoqëria e parë në tregun e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri. Si ka evoluar kompania në këto 15 vjet aktivitet?

Është pak ironike që për historinë e AMC duhet të përgjigjet një nga personat më të rinj në këtë kompani, megjithatë unë besoj se në thelb të aktivitetit të suksesshëm të AMC në këto 15 vjet qëndron ofrimi i një shërbimi të besueshëm, me cilësi dhe teknologji të lartë. Besoj se ky ka qenë faktori themelor që e ka mbajtur AMC aktorin kryesor në treg. Natyrisht, në vitet e para të aktivitetit tonë telefonia celulare ishte një shërbim i ri dhe AMC ishte e vetmja kompani në treg. Por edhe pasi në treg hynë konkurrentë të tjerë dhe konkurrenca erdhi gjithnjë duke u ashpërsuar, ne arritëm të ruajmë vendin e parë në treg. Mendoj që kjo është arritur në një mënyrë shumë të thjeshtë: ne ofrojmë shërbimin më cilësor. Çfarëdo që të ofrojnë dhe sado mirë të punojnë profesionistët e marketingut dhe të produkteve, faktori kyç ngelet cilësia e shërbimit që kompania arrin t'ju ofrojë klientëve.

Veç atyre që thatë më lart, a mund të veçoni elementë të tjerë, që i lejuan AMC të ruajë vendin e parë në një treg ku konkurrenca po bëhet gjithnjë e më e ashpër?

Është e domosdoshme që të arrish të jesh gjithnjë inovativ dhe të përshtatesh gjithnjë me nevojat e abonentëve. Përtej kësaj nuk besoj se ka sekrete të mëdha, por natyrisht që kjo nuk është aspak e lehtë. Novacionin po e përdor në një kuptim shumë të gjerë, që nga novacioni teknologjik, deri tek shërbimi për abonentët dhe tek hartimi i produkteve, tek tarifat e kështu me radhë. Duke folur për teknologjinë, natyrisht që çështja shtrohet tek shërbimet e gjeneratës së tretë ose 3G. Shqipëria është i vetmi vend ku ende nuk ekzistojnë rrjetet 3G dhe kjo është një gjë që unë shpresoj se do të ndryshojë së shpejti. Në këtë rast, ne do të jemi përsëri në krye të zhvillimit teknologjik.

Përveçse në kuptimin teknologjik, besoni se mungesa e 3G është një kufizim i rëndësishëm edhe në kuptimin komercial për operatorët e telefonisë celulare?

Mungesa e shërbimeve 3G është një kufizim edhe në kuptimin komercial. Çfarë është në thelb teknologjia 3G? Është një platformë që na lejon t'ju ofrojmë klientëve një spektër shumë më të gjerë shërbimesh. Një operator me një rrjet 3G mund të ofrojë më shumë shërbime dhe me një cilësi më të lartë. Në fund të fundit, një teknologji nuk përdoret si qëllim në vetvete, por për shkak të mundësive dhe lehtësive që ofron. Ne duam të përdorim 3G në mënyrë që t'ju ofrojmë më shumë shërbime abonentëve tanë.

Meqë po flasim për shërbime dhe teknologji të reja, çfarë duhet të presin abonentët e AMC në të ardhmen e afërt?

Nuk mund të hyj shumë në detaje për projektet tona në të ardhmen. Do të na mirëkuptoni që disa gjëra duhet t'i mbajmë sekret, për arsye që janë të qarta. Unë mund t'ju them vetëm se nuk do të mungojnë surprizat dhe risitë në produkte dhe teknologji do të vazhdojnë të jenë ndër prioritetet tona. Ne asnjëherë nuk ndalojmë së ndjekuri zhvillimet e tregut dhe nevojat e konsumatorëve. Ne punojmë për zhvillime që janë të rëndësishme për abonentët tanë, që nga risitë teknologjike e deri te zhvillimi i produkteve të thjeshta, siç mund të jetë për shembull një produkt i ri me parapagesë. Qendra e punës dhe e botës sonë është gjithnjë klienti.

Sa abonentë ka aktualisht AMC, sipas të dhënave më të fundit që keni?

Shifra më e fundit që kemi e ka kaluar numrin e 2 milionë abonentëve.

AMC është tashmë pjesë e grupit Deutsche Telecom. A parashikohet një prani më e madhe e markave të grupit në kompaninë tuaj apo dhe ndryshimi i emrit në T-Mobile?

Ne jemi në një proces të përfshirjes në botën e grupit Deutsche Telecom dhe po e koordinojmë gjithnjë e më shumë aktivitetin tonë me grupin të cilit i përkasim. Por në këtë moment, AMC është kompani dhe një brand më vete, që ka ndërtuar një emër dhe një besueshmëri të qëndrueshme, ashtu si T-Mobile apo marka të tjera të grupit Deutsche Telecom janë marka mjaft të forta. Sot për sot, markat janë të ndara dhe ende nuk mund të themi se çfarë do të sjellë e ardhmja. Të shohim.

Meqë jeni relativisht i ri në detyrën e menaxherit të marketingut këtu në Shqipëri, çfarë risie dhe kontributi do të sillni ju në AMC?

Duhet të them që në fillim se tek AMC gjeta një punë dhe një organizim shumë të mirë. Në këtë kuptim, besoj se departamenti i marketingut nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha njerëzore apo strukturore. Ajo që besoj se mund të sjell dhe që e përmenda disa herë më lart është një fokus më i mprehtë tek klienti. Do të përpiqem të shoh aktivitetin tonë më shumë nga këndvështrimi i abonentëve. Do të përpiqem të evitoj një gabim që bëhet shumë shpesh nga kompanitë në të gjithë botën. Ndonjëherë bëjmë gabimin të komunikojmë sikur të kishim të bënim me njerëz të alkoolizuar. Por në fakt thjesht kemi të bëjmë me njerëz që përdorin shërbimet dhe produktet tona. Ky është një këndvështrim dhe një filozofi tjetër që do të përpiqemi ta zbatojmë gjithnjë e më shumë në aktivitetin dhe organizimin tonë. Ky është një synim shumë i rëndësishëm i pranisë sime këtu. Besoj se për këtë mund të mbështetem në eksperiencën time ndërkombëtare. Kam punuar në disa tregje të tjera të rajonit dhe do të përpiqem të zbatoj ato gjëra që kam mësuar nga eksperienca ime. Megjithatë, edhe këtu duhet të nënvizoj diçka. Pavarësisht se tregjet e rajonit mund të jenë të ngjashme, secili ka tiparet e veta të veçanta. Një nga gabimet që bëhen ndonjëherë është marrja e një modeli nga një treg dhe aplikimi i tij verbërisht në një treg tjetër. Kjo mund të sjellë disa përfitime, por mund edhe të ketë pasoja shkatërruese. ndaj është e rëndësishme që të studiohen me kujdes tiparet e veçanta të secilit treg.

A është puna e deritanishme në AMC në përputhje me idetë dhe projektet tuaja?

Jam i surprizuar në kuptimin pozitiv të fjalës. Ka një nivel sofistikimi shumë më të lartë se në tregje të tjera të Evropës Lindore ku kam punuar.

FUND

{youtube}551L0eBaiz0{/youtube}

KOMENTE