English

Arrestohet i riu shqiptar në Itali, vrau në dhomën e zhveshjes një 25-vjeçar

Cuneo, 22 Gusht 2010 NOA – Një i ri mbeti i vrarë kurse autori i dyshuar u zhduk në drejtim të paditur por sot policia konfirmoi arrestimin e tij, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Viktima është Shkëlzen Metaj, 25 vjeç, emigrant nga Shqipëria. Autor i dyshuar i krimit, u identifikuar 25 vjeçari Alfred Mali, gjithashtu emigrant shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur pasdreken e djeshme në Lagnasco, provincë e Cuneo në Itali, bënë të ditur burime zyrtare policore të cilave i referohet korrespondenti i NOA.

Bëhet fjalë për vrasje në punë mes dy emigrantëve që ishin punëtorë sezonalë në një bletari.

Vrasja u krye me një thikë, në kushte të një sherri të ndodhur në çast mes dy bashkëmoshatarëve.

“Ne arrestuam të dyshuarin Alfred Mali, pasi ai ka qëlluar me thikë duke lënë të vdekur, shtetasin shqiptar Shkëlzen Metaj, 25 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta”, - deklaroi zyrtari i policisë së Cuneos, Roberto Costanzo.

Dy të rinjtë gjendeshin në dhomën e zhveshjes pranë bletarisë, kur ndodhi masakra mes tyre.

“Mali e ka qëlluar disa herë në pjesë të ndryshme të trupit viktimën e tij Metaj dhe në fund pasi e rrëzoi në tokë, i nguli thikën në fyt”, deklaroi Roberto Costanzo.

Menjëherë pas krimit, i dyshuari u largua në drejtim të paditur.

“Ne realizuam një aksion për kapjen e të dyshuarit dhe arritëm që ta vëmë në pranga në kushtet e flagrancës, pa bërë rezistencë”, konfirmoi sot, z. Roberto Costanzo.

Ndërsa Cristina Bianconi, prokurore e lokalitetit Saluzzo vuri në dukje se i dyshuari mohoi të ketë kryer vrasje, por arma e krimit që u gjet, ia rrëzoi pretendimin.

j.s/NOA

KOMENTE