English

PD: Edi Rama e ktheu Tiranën në qytet betoni dhe PS-në në partinë e lepujve

Tiranë, 22 gusht, NOA – Lidhur me dokumentet e publikuara nga deputetja Albana Vokshi që sipas saj, shpalosin korrupsionin e kryebashkiakut Edi Rama në dhënien e lejeve të ndërtimit, duke u bërë edhe vetë Rama aksioner me 20 për qind interes, ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike për kryeqytetin, Gert Bogdani.

Deputeti Bogdani duke iu referuar fakteve të publikuara deklaroi se tashmë kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dalë zbuluar dhe fund e krye i përfshirë nga korrupsioni, pikërisht nëpërmjet sekserit të tij, zotit Lepuri, i cili sipas Bogdanit futet aksioner me hir apo me pahir në kompaninë e Vizion Construction me një shumë prej 20%, apo 100 milionë euro.

“Bëhet fjalë pikërisht për zonën në kodrat e Liqenit, ku në planin rregullues të zotit Rama në këtë zonë parashikohet ndërtimi i pallateve 26 deri në 30 kate. Pra, e vetmja hapësirë e gjelbër e mbetur në qytetin e Tiranës shndërrohet në një hapësirë të betonizuar”, theksoi deputeti demokrat në një dalje publike për mediat.

Sipas deputetit Gert Bogdani e gjithë kjo tregon dhe fakton se “zoti Rama jo vetëm që nuk ka vizion për qytetin e Tiranës, por shikimi i tij është errësuar nga paratë që merr nga lejet e ndërtimit”.

Madje deputeti demokrat nënvizoi edhe faktin se “plani rregullues, pamja aktuale e zonës pa asnjë ndërtim, gjelbërim, pishina dhe lojëra për fëmijët e qytetit dhe plani që Rama ka për këtë zonë, pallate 30 katëshe, tregojnë se “Edi Rama e ka kthyer kryeqytetin në një qytet betoni, duke i zënë përfundimisht frymëmarrjen Tiranës, Partinë Socialiste në partinë e Lepurit dhe lepujve”.

mit/NOA
KOMENTE