English

Pollo në Festën e Tomorrit: Rrugët rurale, prioritet i qeverisë

Skrapar, 23 gusht, NOA – Qeveria do të investojë për ndërtimin e rrugëve në zonat rurale që janë në qarkun e Beratit. Deklarata është bërë nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit, Genc Pollo gjatë një takimi që ka zhvilluar dje me Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi në Teqenë e Kulmakut në malin Tomor. Pollo u shpreh se “rrugët për të ardhur këtu, duhet të bëhen ashtu siç janë bërë rrugët në të gjithë Shqipërinë”.

Ai u ndal në projektet konkrete duke theksuar se rruga e qarkut të Beratit dhe rrethit të Skrapari do të ndërtohen shumë shpejt. Në festën e bektashinjëve në Malin e Tomorri, së bashku me ministrin Pollo ka qenë dhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

“Jemi të bindur që ato rrugë do të realizohen, si ajo që vjen nga Pronoviku, ashtu si edhe ajo që vjen nga Gjerbësi, në mënyrë që kjo festë ku mblidhen besimtarë jo vetëm nga Skrapari dhe Qarku i Beratit, nga gjithë Shqipëria, por edhe nga përtej kufirit, të jetë e tillë, që të vijnë, të rrinë, të festojnë, të gëzojnë, të besojnë dhe të luten, të marrin mirësinë, mbarësinë dhe bekimin e Abaz Aliut dhe për t’u kthyer nga kanë ardhur, e të vijnë sërish pas një viti”, u shpreh Pollo.

Në fjalën e tij, Pollo ka vlerësuar dhe rolin që kanë pasur bektashinjtë për çështjen kombëtare.

“Ditët kur ne kujtojmë Abaz Aliun, është e drejtë të kujtojmë gjithë ata aktivistë të kësaj fryme, të kësaj fjale, të cilët kanë sakrifikuar deri jetën e tyre për diçka më të lartë: për një besim që karakterizohet në radhë të parë nga dashuria për tjetrin, për të afërmin, dashuria për njeriun, njëlloj si për burrin ashtu edhe për gruan”, tha Pollo.

a.k/NOA

KOMENTE