English

Xhaçka: Do publikojmë fakte për të afërmin e një ministri që ka marrë konçension

Tiranë, 23 gusht, NOA – Në momentin që vijojnë akuzat mes PS dhe deputetes së PSD-së, Albana Vokshi, Partia Socialiste përgatitet të bëjë një tjetër denoncim për pasurinë e ministrave të qeverisë.

Deputetja Olta Xhaçka, në një deklaratë për mediat la të kuptohet se një kunat, apo kunatë e një prej ministrave të kabinetit ka marrë me konçension një hidrocentral duke shkelur ligjin.

“A ka ndonjëri prej jush ministra të qeverisë Berisha një kunat apo kunatë që ka përfituar pasuri publike për llogarinë tuaj? Mos vallë ndonjëri prej jush ka ndonjë hidrocentral që gabimisht mund ta keni vënë në emrin e kunatit apo të kunatës dhe ndërkohë, si pasojë e ngarkesës së madhe me punët e shtetit keni harruar t’ia bëni letrat siç duhet?”, u shpreh Xhaçka.

Ajo u shpreh se Partia Socialiste do të vazhdojë të publikojë dokumente në lidhje me aferat korruptive në dhënien e licencave e koncesioneve.

Duke u ndalur në rastin në fjalë që pritet të publikohet së shpejti nga PS-ja ajo u shpreh se ministrat duhet të pyesin të afërmit e tyre nëse kanë marrë apo jo pasuri në shkelje me ligjin.

“U bëjmë apel të gjithë ministrave, por edhe vetë kryeministrit, që të pyesin edhe njëherë kunetërit e kunatat për tu siguruar se mos u del ndonjë e papritur. U sugjerojmë po ashtu që nëse marrin vesh se ndonjë kunat apo kunatë, ka marrë ndonjë licencë apo koncesion pa dijeninë e tyre të dalin më mirë e ta deklarojnë vetë përpara publikut sepse kështu do të kenë edhe mirëkuptimin tonë”, tha Xhaçka.

Ajo u shpreh se PS-ja shpresonte që faktet të mos ishin të vërteta, por për të gjetur të vërtetën ministrat duhet të bëjnë transparencën.

“Ne realisht shpresojmë që faktet që ne disponojmë të mos jenë të sakta, por për të na siguruar se nuk jemi duke ia futur kodra pas bregut, ju lutemi ministrave të qeverisë Berisha të dalin e të bëjnë transparencë”, tha Xhaçka.

a.k/NOA

KOMENTE