English

Ceremonitë në Kosovë për 100-vjetorin e Nënë Terezës

Prishtinë, 26 gusht, NOA - Përvjetori i 100-të i lindjes së Nënës Terezë, sot shënohet edhe në Kosovë. Përfaqësuesit e tri bashkësive më të mëdha fetare në Kosovë, vlerësojnë lart personalitetin dhe figurën e Nënës Terezë, duke thënë se humanizmi dhe vepra e saj tejkalojnë kufijtë fetarë, etnikë dhe racorë.

“Puna e Pendimit. Zoti jem, po m’vjen keq me gjithë zemër për gjithë mkatet që kam ba, se kam bjerrë parrisin, kam meritue ferrin, por ma fort se t’kam fye Ty, O e mira e pambarueme që kaq fort m’ke dashtë, mëshiro Zot, m’fal Zot, po t’nap fjalën me ndihmë Tane, mos me t’fye ma kurrë". Kjo është urata “puna e pendimit”, të cilën rreth 22 vjet më parë, me një rast e kishte thënë në gjuhën shqipe Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në botë si Nëna Terezë.

Ashtu sikurse në gjithë botën, sot në Kosovë shënohet 100- vjetori i lindjes së kësaj figure me përmasa globale.

Njerëzit në Kosovë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, e kujtojnë dhe çmojnë Nënë Terezën si një figurë të veçantë dhe sinonim të humanizmit, sakrificës, bamirësisë dhe solidaritetit, vlerësojnë përfaqësuesit e tri bashkësive fetare më të mëdha në Kosovë.

Famullitari aktual i kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, Dom Nikson Shabani, i cili është përgjegjës i Qendrës për Kateumen në Prishtinë, vlerëson se Nëna Terezë është një nga shenjtëreshat më të mëdha të Kishës Katolike, veprat e së cilës, siç thotë ai, sa më shumë që studiohen, aq më shumë tregojnë pasurinë shpirtërore të pashtershme të saj.

Por, sipas tij, figura e Nënës Terezë nuk mund të kufizohet në suaza kombëtare dhe fetare.

Do të thotë, jeta e saj dhe veprat e saj kanë pushtuar gjithë zemrat e njerëzimit...

“Ajo është bërë një simbol, është bërë një person që e njeh gjithë bota. Do të thotë, jeta e saj dhe veprat e saj kanë pushtuar gjithë zemrat e njerëzimit. Duket se nuk ka shtet ose njeri në botë që nuk e di se kush është Nëna Terezë. Prandaj, vetë ky fakt tregon se sa ka qenë dhe është e madhe figura e Nënës Terezë”.

“Ajo është një pasuri e pashtershme përshpirtërie, një pasuri e pashtershme gëzimi, paqeje, hareje, dashurie, e kështu me radhë. Do të thotë, ishte një personalitet që, në të vërtetë, nuk mundemi ta definojmë kurrë se sa ka qenë e madhe”, thotë Dom Nikson Shabani.

Ndërkaq, reflektimin e figurës së Nënës Terezë, përtej kufijve të besimit që i përkiste ajo, e vlerëson edhe Qemajl Morina, me detyrë prodekan dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.

“...shikuar në prizmin islam, me punën dhe misionin që ka bërë Nëna Terezë, ajo u takon të gjitha feve, prandaj, edhe fesë islame...

“Nëna Terezë njihet në botë si një bamirëse universale, e cila e sakrifikoi jetën e saj, duke e kushtuar tërë jetën e saj në shërbim të Zotit, siç thotë ajo, të Krishtit dhe të njeriut, për të ndihmuar ata që kishin nevojë për ndihmën e saj”.

“Si e tillë, ajo ka kryer misionin e saj jo vetëm të krishterë si e krishtere, por edhe misionin e saj humanitar, të cilin e preferojnë të gjitha fetë. Prandaj, shikuar në prizmin islam, me punën dhe misionin që ka bërë Nëna Terezë, ajo u takon të gjitha feve, prandaj, edhe fesë islame”,vlerëson Qemal Morina.

Vlerësime të ngjashme për figurën dhe veprën e Nënës Terezë jep edhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Ati Sava Janjiç, aktualisht kreu i Manastirit të Deçanit.

Ai thotë se Nëna Terezë është një nga personalitetet e veçanta që kanë shënuar shekullin XX. Humaniteti dhe veprat bamirëse të saj, thotë ati Janjiç, kanë treguar se rruga e Zotit është rruga e paqes, dashurisë dhe faljes.

...sado qoftë ajo e rëndësishme (Nëna Terezë) edhe për popullin shqiptar, prej të cilit ka rrjedhur, ajo është pasuri e madhe për të gjithë botën dhe për të gjithë ne...

“Nënë Tereza ka dhënë shembull trimërues dhe të dinjitetshëm të humanitetit dhe vetësakrificës, të cilin të gjithë ne jemi të obliguar që ta ndjekim. Sigurisht që personalitetet e mëdha, posaçërisht ato që kanë lënë gjurmë në histori me dashurinë, trimërinë dhe forcën morale të tyre, paraqesin personalitete që i tejkalojnë edhe popujt, të cilëve ju takojnë”.

“Kështu që, sado qoftë ajo e rëndësishme edhe për popullin shqiptar, prej të cilit ka rrjedhur, ajo është pasuri e madhe për të gjithë botën dhe për të gjithë ne”, thotë ati Janjiç.

Ndërsa, me nismën e Ipeshkvisë së Kosovës dhe me miratimin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, viti 2010 në Kosovë është shpallur si viti i Nënës Terezë.

Aktualisht në Prishtinë është duke u mbajtur Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe një nga tryezat qendrore të këtij seminari ka trajtuar figurën e Nënës Terezë.

Liman Matoshi, drejtor i këtij seminari, thotë se autoritetet shtetërore, ato fetare dhe shkencore, e kanë vlerësuar lart figurën, siç e quajti ai, monumentale të Nënës Terezë.

ajo shihet si një misionare e paqes, dashurisë, bamirësisë, dhembshurisë, ndjeshmërisë së skajshme për nevojat e njerëzve të tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë racore, fetare, etnike dhe kombëtare...

“Nëna Terezë nuk shihet vetëm në aspektin e ngushtë të besimit fetar. Por, ajo shihet si një misionare e paqes, dashurisë, bamirësisë, dhembshurisë, ndjeshmërisë së skajshme për nevojat e njerëzve të tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë racore, fetare, etnike dhe kombëtare”.

“Shumica e njerëzve në Kosovë, kështu e shohin nënën Terezë, si një bijë tonën që na ka nderuar me veprën e saj. Ajo është edhe nobelistja e parë shqiptare dhe nuk kanë se si të mos krenohen shqiptarët për këtë fakt”, shprehet Liman Matoshi.

Në anën tjetër, fryma e humanitetit dhe sakrificës së Nënës Terezë ka domethënie të madhe edhe për arbëreshët në Itali, thotë prifti arbëresh Antonio Belushi.

Ai thekson se një numër shkollash dhe rrugësh në vendbanimet arbëreshe, bartin emrin e Nënës Terezë.

Tek ajo dritë e madhe që bënte Nëna Terezë, nën hijen e saj ishim të gjithë ne arbëreshët...

“Tek ajo dritë e madhe që bënte Nëna Terezë, nën hijen e saj ishim të gjithë ne arbëreshët. Këtë grua të lumtur, të shenjtë, me ndjenjat e saj humane, çdo njeri, qoftë i krishterë ose jo, dëshironte ta kishte te zemra e tij”.

“E, ajo është fytyra më e dashur nga e gjithë bota. Ishte epoka dhe ishte edhe koha, themi kështu, në të cilën ajo jetoi, që bëri që kjo grua të lartësohej kështu lart”, pohon Antonio Belushi.

Nënë Terezë vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Gjatë ditëve dhe muajve në vijim, në Kosovë priten një mori manifestimesh në shenjë nderimi të Nënës Terezë.

Përfaqësuesit e Kishës Katolike në Prishtinë, kanë paralajmëruar se më 5 shtator në Shenjtëroren dhe Katedralen e re të Prishtinës, të quajtur “Nëna Terezë”, do të mbahet mesha, e cila do të shënojë, siç thuhet, ditën lindjes së Nënës Terezë për qiell.

Ndërkohë, të enjten në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër, e cila lidh anën jugore dhe atë veriore të këtij qyteti, do të emërtohet si “Ura e Paqes-Nënë Tereza”, në shenjë kujtese për këtë humaniste, e cila gjate gjithë jetës së saj ishte lutur për dashuri dhe paqe.

NOA/RFE

KOMENTE