English

Bode: Ekonomia në rritje, Rama t’i japë fund përrallës me gogolin e krizës

Tiranë, 4 shtator, NOA Update – Mbledhja e të ardhurave në tatime dhe në dogana ka bërë që ekonomia shqiptare të njoh rritje gjatë këtij viti. Ministri i Financave Ritvan Bode, në një analizë të të dhënave ekonomike për tetë mujorin e parë të 2010-ës ka vlerësuar se të ardhurat garantojnë një ekonomi të qëndrueshme.

“Zhvillimet janë tërësisht inkurajuese dhe dëshmojnë ringritjen e ekonomisë shqiptare në ritmet e saj më larta. Të ardhurat për muajin gusht janë 20 % më të larta në krahasim me gushtin e vitit 2009 ose në vlerë leku rreth 4.8 miliard lekë më shumë se i njëjti muaj i vitit të kaluar”, tha Bode sot në një konferencë për mediat.

Në analizën e tij të të dhënave, ministri i Financave ka bërë dhe një apel për opozitën që tu referohet shifrave dhe të dhënave përpara se të bëjnë deklarata mediatike.

“Ftoj opozitën që t’i lexojë shifrat siç janë dhe të shohë realitetin në sy, të kuptojë se ekonomia shqiptare tashmë ndodhet në ritmet e saj më optimale, më të larta dhe t’i japë fund përrallës së Ramës me gogol krize, pasi vetëm kështu mendoj se do të jetë në të njëjtin kah lëvizje me komunitetin e biznesit dhe ekonominë e vendit”, u shpreh Bode.

Kreu i financave ka argumentuar se rritja e të ardhurve ka ardhur si pasojë e një performance më të mirë të administratës fiskale në mbledhjen e detyrimeve në tatime dhe në dogana.

Bode ka theksuar se për muajin gusht është tejkaluar plani i realizimit të të ardhurave në masën 102 % të planit. Ai u shpreh se qarkullimi i mallrave në këtë muaj tregon dhe gjendjen pozitive të ekonomisë shqiptare.

“Gjatë muajit gusht në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar qarkullimi i mallrave është rritur me 11 %, e dëshmuar kjo nga arkëtimet e TVSH-së. Ndërkohë që administrata vijon me një politikë mbështetëse ndaj biznesit duke rimbursuar vetëm për muajin gusht 580 milion lekë ose sa dyfishi i gushtit të vitit të kaluar”, tha Bode.

Duke vlerësuar punën e doganave dhe tatimeve, ministri Bode u shpreh se a

administrata doganore tejkaloi programin e saj me 187 milion lekë dhe realizoi 10 % më shumë të ardhura në krahasim me gushtin e vitit 2009.

Nga ana tjetër muajt e fundit të këtij vitit kanë ndryshuar dhe pritshmëritë negative që vunë re në tre muajt e parë.

“Nëse i referohemi shifrave të 8 mujorit që reflektojnë dhe dobësitë dhe ecurinë jo aq pozitive të ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat janë gjithsej 6 më të larta në krahasim me vitin 2009 ose 11 miliardë lekë më shumë. Ato janë sa 99.4 % e programit buxhetor. Tatimet dhe doganat për periudhën 8 mujore janë sa 100.3 % e planit dhe 6 % më shumë se 8 mujori i vitit 2009”, u shpreh kreu i financave.

Bode ka vlerësuar dhe gjendjen e biznesit duke theksuar se në periudhën 8 mujore biznesit i është rimbursuar nga buxheti i shtetit rreth 6 miliard lekë TVSH kundrejt 1.8 miliard lekë që janë rimbursuar në të njëjtën periudhë të vitit 2009.

a.k/NOA

KOMENTE