English

Koliqi, moderni shqiptar në jetë dhe literaturë

Argument

Nga Ilir Sefaj

Fillimisht, intencë e këtij punimi është dhënia e një gjykimi objektiv dhe mundësisht kompetent për sa i përket shkrimit në prozë të Koliqit, konkretisht veprës “Tregtar flamujt” (1935), vepër kjo e cila shënon edhe fillimin e asaj që më pastaj do të njihet si letërsi moderne shqipe.

Nuk është e rastit që vepra letrare e Koliqit zgjoi kërshërinë e shumë studiuesve, ngase po qe se ke ateruar në artin e këtij autori, është e pamundur që të mos mishërohesh me çdo varg, me çdo shkronjë që doli nga pena e tij. Është pikërisht vepra letrare e Koliqit e cila letërsisë shqipe i jep kuptimin e një letërsie të avancuar. Proza e Koliqit dëshmoi se gjuha shqipe është gjuhë mundësish, vetëm se gjithsesi sikurse të gjitha gjërave të tjera në jetë edhe kësaj duhet gjetur fijen.

Mbase nuk do e tepronim nëse do ta evidentonim edhe njëherë të vërtetën e patjetërsueshme se deri me shfaqjen e Koliqit, shkrimi shqip (ai në prozë në veçanti), ishte përgjithësisht konvencional, jo vetëm për sa i përket tematikës që trajtonte, i tillë ishte edhe në shumë elemente të tjera me të cilat karakterizohet arti letrar. Pra, është pena e Koliqit ajo që letërsisë shqipe i dha statusin e një letërsie artistike, vepra letrare e të cilit u shqua për diskursin e saj të pasur dhe tematikën e saj tejet origjinale, që ishte pak ose fare e njohur deri me ardhjen e Koliqit në panteonin e letrave shqipe.

Takimi im i parë me “Koliqin” duhet të ketë ndodhur diku larg në kohë, megjithatë një “rinjohje” me këtë autor do ta kem ca vite më parë, kur gjithnjë me dëshirën time, profesori i lëndës, do të më caktojë për të shkruar një seminar pikërisht për veprën “Tregtar flamujsh”, vepër kjo e cila në përballje eventuale me njerëz të letërsisë, më nxjerr tejet egoist, mbase. E kjo, për faktin se Koliqi tek unë ka gjetur lexuesin pasionant i cili nuk e lexon veprën e tij nga këndi i një lexuesi semantik, përkundrazi autori i kësaj vepre tek unë ka gjetur njeriun i cili nuk e lexon shkrimin e Koliqit, ai e jeton prozën artistike të autorit të Tij.

I vetëdijshëm se para vetës kam një detyrë tejet të vështirë, qysh tani ndjehem tejet i rezervuar se sa do të jem i përgjegjshëm para asaj që them e shkruaj për këtë autor, ngase gjithnjë të lind një si lloj dyshimi se sa do t’ia dalësh që në përqindje të kënaqshme, para lexuesit eventual, të shfaqesh kompetent në kontekst me atë që ia servon këtij lexuesi të supozuar. Megjithatë, kjo përpjekje imja nëse jo tjetër ka për qëllim që në mënyrë sa më të argumentuar të jep karakteristika të prozë artistike të Ernest Koliqit, faktikisht të veprës “Tregtar flamujsh” të cilën autori i këtyre radhëve e konsideron, një nga kryeveprat e letërsisë sonë nacionale, e cila do të mund te siguronte një vend të merituar edhe në letërsinë botërore mbase, gjithsesi sikur këtë vepër ta merrte mundin e ta përkthente në mënyrë të përgjegjshme dikush nga përkthyesit e veprave letrare.

Tani, dua ta bëje me dije lexuesi e supozuar se qëllimi i kësaj “aventure” është vënia në pah e disa nuancave, e disa refleksioneve me të cilat karakterizohet proza “Tregtar flamujsh”, kryevepra e kryeveprave. Ndryshe, çdo tentative tjetër do ishte e rrezikshme...

Koliqi prozator

Ernest Koliqi është njëri nga përfaqësuesit më tipik të letërsisë shqipe të viteve të ’30, periudhë kjo kur shkrimi shqip do të karakterizohej me disa krijues tejet të talentuar të mbledhur kryesisht rreth qytetit të Shkodrës, e cila konsiderohej qendër e kulturës shqiptare.

Pra, është kjo koha kur në letërsinë shqipe shfaqen disa krijues të cilët filluan që lëndën letrare ta trajtonin ndryshe në krahasim me paraardhësit e tyre. Është kjo koha kur disa nga këta krijues filluan të zhveshin letërsinë shqipe nga mitet, veçse kjo nuk do të thotë që bota mitike nuk do zë vend të konsiderueshëm në krijimtarinë e këtij brezi. Ky brez krijuesish në qendër të vëmendjes kishte vënë aktualitetin shoqëror, njeriun me të gjitha përsiatjet, brengat, vuajtjet, gëzimet që e përcjellin atë në jetë, pra jepet në mënyrë sa metaforike aq reale bota shqiptare e asaj periudhe.

Ernest Koliqi prozator, do t’i pushtojë hapësirat shqiptare fillimisht me librin “Hija e maleve” (1929), libër në të cilën derdh tërë fantazinë e tij prej krijuesi duke dhënë botën shqiptare, njeriun shqiptar, jetën e këtij njeriu në Shkodër dhe malësinë e saj.

E ngjashme për nga tematika, por gjithsesi më e gdhendur në shumë plane, para lexuesit do të shfaqet libri me proza “Tregtar flamujsh” (1935), në të cilën Koliqi del si mjeshtër i vërtet sa i përket kompozicionit të veprës. Autori ka depërtuar thellë në psikologjinë e protagonistëve, ka bërë në mënyrën më të përsosur tipizimin e karaktereve letrare, ku shquhet gjuha e figurshme, pastaj është improsionuese rrjedha fabulative e ngjarjeve, pa digresione. Faktikisht Koliqi përmes kësaj vepre na ka dhënë disa proza poetike, që ishin të panjohura për artin letrar shqiptar deri në këtë periudhë.

Vite më vonë gjegjësisht pas një çerek shekulli, Koliqi do ta botojë në Romë romanin “Shija e bukës mrume” (1960), vepër kjo që bën fjalë për mallin e mërgimtarit ndaj vendlindjes, fat të cilin do ta këtë edhe ky monument i kulturës shqiptare i cili padrejtësisht konsiderohet si “persona non garta” nga klika komuniste. Vendlindja ia “ktheu” shpinën Koliqit, por kurrë edhe ai asaj. A s’është ky virtyt i njerëzve të mëdhenj?! Koliqi ishte i madh në literature edhe në jetë.

Krijimtaria letrare e Koliqit në veçanti ajo në prozë është e mbrujtur me koloritin e botës shqiptare, aty kemi tipa të ndryshëm të cilët përmes penës së këtij autori, japin mentalitetin e njeriut tonë. Pra, në veprën e tij, jepen tablo të gjalla dhe të plota të kundërmimit të botës së po këtij njeriu, i cili herë-herë është i lartë e me vizion të qartë, herë-herë është njeri i besëtytnive me një mentalitet arkaik, ku gjithnjë në perceptimin e Koliqit konsiderohen si tipa të dal “mode”.

Koliqi është një nga autorët të paktë shqiptarë, proza e të cilit është shumë e avancuar fal disa procedimeve të reja letrare që sjell ky autor në shkrimin shqip, e që i ikin modeleve ligjërimore të autorëve pararendës, pra shkrimi i tij në prozë dëshmon se art të mirëfilltë mund të bësh qoftë edhe nëse nuk flet për “tema të mëdha”, art të pavdekshëm mund të krijosh edhe nga diçka tepër e imët nga jeta individuale, ngase tek e fundit çdo qenie është një univers në vete.

Shenjat modernitetit në krijimtarinë artistike të Koliqit do i vënë në pah shumë nga studiuesit më në zë të letërsisë sonë si: M. Camaj, S. Hamiti, A. N. Berisha, K.M. Shala, K. Rrahmani, R. Else, Z. Rrahmani, A. Plasari etj.

Një përkufizim tepër përmbajtjesor do ta japë M. Camaj në parathënien e librit “Tregtar flamujsh” i cili ndër te tjera shkruan: “I përmbahej (Koliqi vër. I.S.) maksimës të krijohej një letërsi e tipit evropian me brumin e koloritin e botës shqiptare”.[1]

Bazuar në këtë që e vëren M. Camaj dhe jo vetëm ai, dhe po ashtu mbështetur në sensin e një krijuesi të talentuar, i cili letërsinë shqipe e bëri me shije edhe para lexuesit semiotik, vijmë në konkludimin se Koliqi mund të konsiderohet shkrimtari i parë novator shqiptar. Gjithsesi në këtë kontekst, Koliqi është prozatori i parë shqiptar modern në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, dhe çdo pikëpyetje karshi këtij konstatimi, do konsideruar aventureske.

Diskurset në prozën e Koliqit

Shenjat e para të një modeli të ri letrar, të një përqasjeje ndryshe në shkrimin shqip, do të paralajmërohen nga vet Koliqi, gjithsesi përmes karaktereve të tij letrare të cilat promovojnë ide të reja në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Këtu para së gjithash bëhet fjalë: “Për status ndërteksti ku shihen shenjat autobiografike në tekstin letrar”[2], pra kemi identifikim të autorit-narrator me tekstin.

Përmes karaktereve letrare, Koliqi na sugjeron për një diskurs shumëplanësh i cili po lind në letërsinë shqipe; “Shum kush s’e merr vesht pse ai ka ndiesi të reja e prandej përdorë edhe trajta të reja shprehjeje. Trut t’ona janë nësue m’u rrokullue mbi shina të nji letrësije të vjetrueme. Ai rreh nji rrugë të parrahun ndër ne deri më sot.”[3]

Shenjat e autorefercialitetit janë evidente në paragrafin e sipërcituar, ku përmes Tush Kazenës, Koliqi artikulon idetë e tij prej një intelektuali të formuar, i cili predikon një letërsi ndryshe në kontekst me letërsinë e shkrimtarëve pararendës e cila ishte përgjithësisht konvencionale.

Faktikisht ky diskurs ka si qëllim final përligjjen e një krijimtarie më të formësuar, ku shquhet polisemia tekstore përmes së cilës autori kërkon krijimin e individualitet letrar, pra: “Shenjë themelore e modernitetit letrar është prania e Subjektit në tekst, për ta pretenduar dialogun me Lexuesin”.[4]

Uni autorial është në qendër të krijimtarisë së prozës së këtij autori, pra subjekti bëhet pjesë integrale e tekstit, i cili insiston në krijimin e marrëdhënieve midis artikuluesit dhe marrësit si faktum.

Te “Tregtar flamujsh” shquhet një mënyrë e veçantë ligjërimi ngase autori-narrator është futur thellë në psikologjinë e personazheve, të cilët duke pasur statusin e një karakteri të tipizuar, artikulojnë fuqishëm ide, vizione, synime bashkëkohore, mirëpo që hasin në protestën e individëve me pikëpamje arkaike.

Koliqi është autor i cili inspirohet nga gjëra të imta të jetës njerëzore, mirëpo që janë të freskëta në kujtesën e subjektit. Ta zëmë në librin “Tregtar flamujsh” vihet në pah lakmia për të shkuarën, bota fëmijërore me imagjinatën e saj, faktikisht ai zgjedh këtë të fundit për të evokuar të kaluarën; “Kumbulla përtej murit”, “E gjeti mbas shimshirit”, “Hanë gjaku” etj.

Malli për fëmijërinë artikulon tek subjekti ndjenjën e inferioritetit, ai dëshiron ta jetojë edhe një herë atë periudhë e cila vetëm mund të imagjinohet, është po ajo Kumbull e cila identifikon një kohë të kaluar, është po ai ambient që e plotëson këtë kohë, është tjetër rrethanë jetësore, subjekti tanimë është burrë dhe: “Marri! S”jam ma i vogël si atëherë! Dikur do sende mund i bajshëm...Tashti asht marre me më pa kush...”.[5]

Koliqi shquhet me një diskurs të pasur dhe të arrirë, si dhe me një stilistikë të pasur gjuhësore, pra:”Gjuha letrare, për më tepër, nuk është kurrsesi vetëm referenciale. Ajo është edhe shprehëse sepse bartë edhe disponimin dhe qëndrimin e folësit ose të shkrimtarit. Ajo, jo vetëm që tregon dhe shpreh atë qe tregon, por dëshiron edhe të ndikojë në qëndrimin e lexuesit, ta bindë dhe më në fund, ta ndryshojë mendimin e tij”.[6]

Ernest Koliqi prozator vjen nga një ambient gegë, mirëpo ky autor sikur ka bërë gërshetimin e këtij dialekti me arealin tjetër gjuhësor, toskërishten, ku ka shfrytëzuar me mjeshtëri këto elemente gjuhësore, të cilat në strukturën e veprës se tij shfaqen si tejet të ndërliqshme.

Dhe nuk janë vetëm këto detaje të cilat e bëjnë Koliqin mjeshtër në zhanrin prozës, përkundrazi diskursi i këtij autori është i pasur edhe në rrafshe të tjera si; tematika, gjuha, stili, të cilat letërsinë shqipe e ngritin në një stad tejet të dëshiruar, e kjo për faktin se ky autor njihte në thelb teori të huaja me të cilat ishte njohur gjatë formimit të tij në qendra të huaja universitare.

Përfundimisht shkrimi shqip në prozë ka pasur një fat; Koliqin, krijimtaria letrare e të cilit gjithnjë ka promovuar vlera letrare tejkohore.

Mbi tematikën

Krijimtaria letrare e Ernest Koliqit është e pasur edhe për nga tematika e saj. Përmes prozës së tij tregimtare, ky autor ka sjell para lexuesit të vet botën shqiptare, ai ka vizatuar ambientin shqiptar me ngjyrat e tij të vërteta, pa e idealizuar atë, faktikisht në prozën e këtij autori jepen situata e karaktere reale që frymojnë në Shkodër dhe malësinë e saj.

Koliqi është njëri nga ata autorë i cili inspirohet nga gjëra të imta të përditshmërisë, nga dromca kujtimesh nga fëmijëria që i janë skalitur thellë në kujtesën e tij, dhe këto situata të mbrujtura në individualitetin e tij i plason në krijimtarinë artistike.

Në librin “Tregtar flamujsh”, Koliqi ka derdh tërë fantazinë e tij prej krijuesi për ta dhënë në plotninë e tij një mentalitet tipik shkodran, i cili në perceptimin e autorit- narrator që në vepër shfaqet nga këndi i protagonistit të gjithëdijshëm, herë-herë shfaqet si tejet i prapambetur;”Vajzat, si mbas zakonit të mbrapshtë t’onë, lanë sofrën shpejt e shpejt e ikën me u mshefë ndër oda”.[7]

Mbështetur në teoritë letrare moderne, në Tregtar... mbase nuk mund të praktikohen teoritë të cilat tekstit letrar jo rrallë i japin statusin e intertekstit, metatekstit, pra kjo vepër në njëfarë mënyrë i rri “larg” ndërtekstshmërisë, për faktin se Koliqi përgjithësisht ka trajtuar tema të “virgjëra” të cilat lidhën më përditshmërinë e një ambienti real me situata reale, të cilat frymonin në Shkodër dhe malësinë e saj. Megjithatë figura letrare si metafora, alegoria, simboli janë evidente në prozën tregimtare të këtij autori.

Meqenëse Koliqi njihte në thelb literaturën europiane ai diti që prozën e tij, ta bëjë gërshetimin e kësaj të fundit me “koloritin e botës shqiptare”, andaj:“...rrallëkush si ai në prozën shqipe arriti me shartue në trunk të trashigimeve fisnore ditunin e thithun më shkolla të hueja...”.[8]

Krijimtaria letrare e Koliqit në veçanti ajo në prozë, bëhet një zë i fuqishëm që artikulon idenë e krijimit të një shoqërie përparimtare pa paragjykime ;”Pse me qenë të detyruem m’u habitë mbas njëqind punve të kota për hatër të shekullit, a thue se ai kob s’ishte vetëm i tyne por rasë me përmbushë nji varg veprimesh lypë prej zakonit e lypë prej gjindes s’huej qi rritshin gati me sha po harrohej sendi ma i vogli? Harrohej i dekuni, send kryesuer, por s’harroheshin njëqind ndërlikime të zakonit qi dilshin në rend të parë!” [9], pra Koliqi kërkon shpëtimin te shoqëria si pjesë më e madhe e nacionit, ngase njeriu si i vetëm ishte i pafuqishëm t’i bënte ballë rrebesheve të kohës.

Përderisa Migjeni vizaton Shkodrën me ngjyra tepër të zymta, Koliqi na shfaqet si antipod i të parit, ngase pikëvështrimi i tij rreth individit dhe shoqërisë është tejet kontradiktor me atë të “poetit të mjerimit”. Përderisa personazhet e të parit përgjëroheshin “Zoti të dhashtë”, protagonistët e të dytit kishin “sofër të shtrueme me takam të mirë. Bukë gruni të bardhë.”

Rreth strumbullarit të librit “Tregtar flamujsh” mund të themi se ndeshen dy situata të cilat në parim nuk pajtohen njëra me tjetrën. E para; Hilush Vilza intelektual i formuar në qendra të njohura europiane ka përballë disa karaktere që promovojnë ide të cilat tingëllojnë si të vjetruara në thelbin e tyre. Të parët predikojnë kërkesën për mos mungesë të gjërave materiale, përderisa intelektuali më shumë çmon pasurinë shpirtërore e cila ndërtohet duke ruajtur bazat e një shoqërie të shëndoshë, Vilza intonon: “Duhet të zhvillohemi pa luajt nga bazat e zakoneve typike të kombit. Duhet m’u përtri, pa u dyndë prej përfitimesh kryesore trashigue nga kalesa”[10].

Proza tregimtare e Ernest Koliqit shquhet për gamën e saj të pasur tematike, për stilin e saj të gdhendur, për gjuhën poetike, për shprehjen e pasur gjuhësore, për ndërtimet sintaksore. Vepra e këtij autori është tejet e pasur në shumë rrafshe, dhe si e të tillë, gjithsesi zë vendim më meritor në panteonin e letrave shqipe, pacenueshmëria vlerave letrare e artistike të veprës së këtij autori është e garantuar që me shfaqjen e tij të parë.

Përfundim

Nga sa u pa në këtë paraqitje timen modeste, mund të themi se proza tregimtare e Koliqit pati një rrugë ndryshe të zhvillimit të saj në krahasim me shkrimtarët pararendës.

Kjo për faktin se ky autor e kapi në esencën e saj nevojën për një përqasje tjetër drejt artit letrar, nevojën e pasurimit të këtij arti me disa elemente që mbase ishin të panjohura për letërsinë shqipe deri me shfaqjen e tij në këtë të fundit..

Nuk është e rastit se proza e Koliqit mban vulën e modernitetit në letrat shqipe, ngase ai me veprën e tij dëshmori se letërsi e madhe mund të bëhet qoftë edhe nëse në akëcilën vepër nuk flitet për tema “të mëdha”, ai dëshmoi se art i mirëfilltë krijohet edhe nga një detaj i vetëm i jetës njerëzore, veçse ky detaj kërkon krijuesin pasionant siç qe autori ynë.

Proza e Koliqit ose krijimtaria letrare e tij në përgjithësi shquhet në radhë të parë për diskursin autorial tejet origjinal, për virgjërinë tematike, për unikatësinë e qasjes ndaj (objektit) brumit letrar, faktikisht te ky autor gjejmë një shkrim që mund të konsiderohet i përligjur edhe në pikëpamjen e kohezionit dhe koherencës së tekstit letrar, e gjithë kjo vlerë e mbrujtur në prozën e tij dëshmon për shkrimtarin i cili e sheh krijimin artistik si mënyrë jete.

Kjo laramani përqasjesh me të cilat karakterizohet shkrimi i tij në prozë, flet për një euridit të rrëfimit artistik, i cili diti që në mënyrën më mjeshtërore ta pasurojë artin letrar shqiptar, ta ngritë këtë art në një stad më të dëshirueshëm dhe të dëshmojë se vlerën (në këtë rast, atë letrare) njeh edhe letërsia shqipe, dhe se kjo vlerë është sinonim i shkrimtarit tonë të madh Ernest Koliqi.

Përfundimisht në prozën e këtij autori gjejmë fillet e letërsisë moderne shqipe, me këtë autor pra, fillon shkrimi modern shqip në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, dhe mbase nuk do e tepronim nëse do të evidentonim edhe njëherë të vërtetën se, letërsia shqipe ka pasur një fat; Ernest Koliqin, modernin shqiptar në jetë dhe literaturë.

[1] Martin Camaj, Koliqi e vepra e tij letrare, në parathënien e librit Tregtar flamujsh të E. Koliqit prill 1991 fq. 8.

[2] Rolan Bart, Aventura semiologjike, Rilindja, Prishtinë, 1987, fq.37.

[3] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh cit. sipas bot. Gjon Buzuku, Prishtinë, 1991, fq. 30.

[4] Kujtim M. Shala, Kujtesa e tekstit, Gjon Buzuku, Prishtinë, 2003, fq. 176.

[5] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, po aty fq. 85.

[6] Rene Ëelek & Ostin Voren, Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1982, fq. 41.

[7] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, po aty fq. 43-44.

[8] Kujtim Rrahmani: Intertekstualiteti dhe oraliteti. E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku. Prishtinë, 2002, fq.45.

[9] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, po aty fq.55.

[10] Ernest Koliqi, Tregtar flamujsh, po aty fq.71.

KOMENTE