English

Basha: Miratimi i heqjes së vizave nga PE, vlerësim pozitiv për reformat tona

Tiranë, 7 shtator, NOA – Në takimin me oficerët ndërlidhës të vendeve të BE-së të akredituar në vendet e Ballkanit Perëndimor, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha përshëndeti vendimin e djeshëm të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili votoi pro propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e vizave me Shqipërinë.

Ai e ka cilësuar këtë vendim si tregues të vullnetit të mirë të Brukselit dhe të performancës së Shqipërisë si vend partner i Bashkimit Europian.

“Procesi i heqjes së vizave, të cilit po i afrohet fundi, ka qenë tërësisht një proces i mbështetur në performancën dhe arritjet e palës shqiptare. Asnjë aspekt i këtij procesi nuk ka qenë fiktiv dhe vendimet pozitive, siç ishte ai i djeshmi i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, sanksionojnë në fakt jo vetëm vullnetin e mirë të Brukselit zyrtar, por sanksionojnë në të njëjtën kohë edhe performancën e plotë dhe të kënaqshme të Shqipërisë në luftë kundër krimit dhe si një partner i devotshëm i Bashkimit Europian”, deklaroi gjatë takimit ministri i Brendshëm.

Basha shprehu besimin për një vendimmarrje të shpejtë të BE-së për heqjen e vizave për Shqipërinë.

“Shqipëria ka treguar në çdo etapë të procesit jo vetëm vullnetin, por edhe kapacitetin për të plotësuar këto kritere. Unë besoj se kemi të bëjmë me një vlerësim pozitiv dhe shpresoj se kjo, ashtu siç ka premtuar kryeministri Berisha, ashtu siç ka premtuar mazhoranca aktuale gjatë mandatit të parë, do të sjellë një vendim-marrje pozitive brenda javëve në vijim”, theksoi ministri Basha.

Gjatë takimit me oficerët në kuadër të presidencës belge të BE-së, ministri i Brendshëm vlerësoi me nota të larta bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit transkufitar.

“Është një rast i mirë për të shkëmbyer mendime dhe përvoja mbi çështjet kryesore të bashkëpunimit policor në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimit transkufitar në rajonin tonë dhe sa i përket aftësisë në rritje të rajonit tonë në përgjithësi dhe Shqipërisë në veçanti për të eksportuar siguri dhe për të qenë një partner i denjë në luftën kundër krimit të organizuar dhe transkufitar që përbën një burim shqetësimi për vendet e BE”, u shpreh Basha në këtë takim.

Ministri Basha vuri theksin edhe në efektivitetin në rritje të operacioneve të përbashkëta të suksesshme sa i përket identifikimit, interceptimit dhe goditjes së personave në kërkim nga vendet partnere në Shqipëri, apo nga Shqipëria në vendet e BE-së.

Shefi i ministrisë së Brendshme, siguroi më tej për vullnetin e qeverisë shqiptare në konsolidimin e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me policitë e të gjitha vendeve partnere në kuadër të përpjekjeve dhe luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe krimit transkufitar.

n.e/NOA

KOMENTE