English

Robert Bosch: Shqipëria më rrëmbeu plotësisht, e kam shijuar çdo minutë

Tiranë, 7 shtator, NOA/ Nga Genc Mlloja – “Tre vitet e mia këtu më kanë rrëmbyer plotësisht dhe e kam shijuar çdo minutë, të "përpjetat", por edhe të "tatëpjetat" aty-këtu. Përpjekjet për të kuptuar kompleksitetet dhe të veçantat e politikës shqiptare kanë qenë një shkollë për mua”.

Kështu i ka përshkruar gjatë një interviste për "Albanian Daily News, vitet e misionit të tij në Shqipëri, ambasadori i prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Robert Bosch.

Lexoni dhe versioni anglisht

Po largoheni nga Shqipëria në një moment kur qeveria dhe opozita mbeten të vendosura në qëndrimet e tyre dhe kur zgjidhja për transparencën e zgjedhjeve të kaluara duket e largët, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në dhe juve personalisht. A prisni të ketë së shpejti një zgjidhje? Nqse po, nga do të vijë? A do ndërhyjë OSBE-ja për të ndërmjetësuar një marrëveshje?

Unë jam një optimist i lindur edhe për këtë situatë, kështu që nuk shoh absolutisht asnjë arsye se pse nuk mund të gjendet shumë shpejt një zgjidhje. Kjo, sigurisht, varet, si zakonisht, nga një gjë e vetme – vullneti politik. Në fakt, ka qenë vërtet zhgënjyese që deri tani nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm për t'i dhënë fund këtij ngërçi. Aktorët vendas e dinë që të gjithë se ka kaq shumë objektiva kombëtarë strategjike që duhen arritur, saqë nuk mund ta vazhdojnë edhe aq gjatë këtë ngërç. Sa i përket Prezencës, ne do të ndihmojmë, nëse na kërkohet, por, kësaj radhe, do të më pëlqente të shihja klasën politike të marrë përsipër autorësinë e veprimeve të saj, pa ndonjë përfshirje të jashtme, në përputhje me atë çka ka thënë edhe BE-ja. Do të habitesha shumë nëse Prezencës i kërkohet së shpejti të ndërmjetësojë për ndonjë marrëveshje. Kjo nuk do të thotë se po të na kërkohej diçka e tillë, ne do të refuzonim. Megjithatë, një argument bindës është se, po të përfshihemi, siç kemi bërë më parë, nuk do ta ndihmonim shumë klasën politike vendase për të marrë përsipër autorësinë e veprimeve të saj. Shqipëria është anëtare me te drejta të plota në NATO dhe me aspirata shumë të forta e të njohura për t'u bërë anëtare e BE-së. Një marrëveshje përfundimtare e pranueshme për të gjitha palët do ta forconte së tepërmi pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Të enjten, ju do të mbani raportin e radhës para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së mbi situatën politike në Shqipëri dhe mbi veprimtaritë e OSBE-së. Ku përqendrohet kryesisht raporti?

Raporti im do të bëjë një përmbledhje të ngjarjeve kryesore politike dhe programatike të vitit të kaluar. Kësaj radhe i kemi lënë ndoshta pak më shumë hapësirë shqyrtimit të situatës politike dhe, sigurisht, klimës politike që lidhet me situatën pas zgjedhjeve të vitit 2009 dhe shtetit të së drejtës, të cilat janë pasqyruar në mënyrë të plotë. Sa u përket zgjedhjeve, pavarësisht gjithçkaje tjetër që po ndodh, do të nevojitet një vullnet më i madh politik për t'u siguruar se zgjedhjet e ardhshme për qeverinë vendore do t'i plotësojnë plotësisht standardet ndërkombëtare. Bazuar në rekomandimet e raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur e të përfundojë një proces konsensual reforme, pas zhvillimit të një procesi të përshtatshëm konsultimi, një proces me një qasje gjithëpërfshirëse.

Roli ndërmjetësues i OSBE-së herë është mirëpritur e kërkuar e herë kritikuar prej politikanëve shqiptarë. Shembulli më i fundit është ai i disa muajve më parë, kur ju folët për një kompromis të mundshëm midis palëve. Në qoftë se do të ktheheshit mbrapa, a do të kishit zgjedhur të qëndronit më i tërhequr, apo do të ishit përfshirë edhe më aktivisht?

Unë kam reaguar dhe vazhdoj ende të reagoj duke ruajtur një qasje më objektive. Shqipëria është një vend sovran me udhëheqës politikë, të cilët janë më se të aftë t'i zgjidhin vetë gjërat pa ndërhyrje nga jashtë. Në atë kohë, BE-ja kërkoi që partitë politike ta zgjidhnin vetë problemin pa ndihmë nga jashtë, siç pritet nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Ideja së cilës iu referova atëherë nuk ishte një ide imja, ishte sigurisht një ide që po diskutohej. Mua m'u duk një nismë e mirë dhe shpresova se do të zbatohej, pa iu futur publikisht në më shumë hollësira... Thënë kjo, kur ke jetuar dhe punuar në një vend me njerëz kaq të mirë e miqësorë, si në rastin tim këto tre vjetët e fundit, nuk mund të bësh gjë tjetër veçse të duash që gjërat të shkojnë mirë. Çfarëdolloj komenti publik që mund të kem bërë atëherë apo kurdo qoftë, e kam bërë gjithmonë me qëllim që të nxisja një debat kombëtar të hapur publik, kjo është e gjitha. Motivet e mia kanë qenë gjithmonë plotësisht të sinqerta e dashamirëse. Por fakti është se është pothuajse e sigurt se çdo nivel ndërmjetësimi, i udhëhequr qoftë nga OSBE-ja, qoftë nga kushdo tjetër, në fund ka një palë që pretendon se ndërmjetësuesi ishte në njëfarë mënyre i njëanshëm, gjë që nuk e bën ndërmjetësimin aspak të lehtë, për ta thënë në mënyrë të zbutur.

Ju keni theksuar në disa raste se parlamenti është vendi kryesor për debat politike. Si e shihni cilësinë e këtij parlamenti? Çfarë ka bërë OSBE-ja për ta përmirësuar atë?

Kuvendi shqiptar është zhvilluar pa dyshim shumë gjatë njëzet vjetëve të fundit. Ai ka vazhduar sigurisht të zhvillohet e të punojë shumë në interes të popullit. Që nga viti 2005, kemi parë shumë zhvillime të rëndësishme, të cilat i kanë çuar gjërat përpara në një drejtim shumë pozitiv. Pjesa më e madhe e punës së hollësishme në Kuvend, për shembull në komisionet parlamentare, po ecën me hapa të shpejtë dhe në shumë raste është tejet mbresëlënëse, si për shembull në komisionet parlamentare të ekonomisë dhe sigurisë kombëtare. Megjithatë, ngërçi politik e ka penguar miratimin e një sërë ligjesh shumë të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe ne do të donim të shihnim një parlament që punon me të gjithë kapacitetin e tij. Sa i përket punës së deputetëve, besoj se seancat plenare të Kuvendit përbëjnë përfaqësimin e dukshëm të institucionit dhe kur publiku sheh se disa nga të zgjedhurit e një viti më parë sillen, si ta them, si 'të lodhur apo të ngarkuar emocionalisht', kjo nuk ndihmon shumë për rritjen e prestigjit të institucionit të Kuvendit. Deputetët e të gjitha ngjyrave politike kanë një përgjegjësi të rëndësishme për të ngritur nivelin e debatit politik. Në pjesën më të madhe të rasteve, kjo ndodh vërtet dhe ne nuk duhet ta harrojmë, por shpesh gjuha e përdorur në debate lë shumë vend për përmirësime. Në shumicën e parlamenteve të Evropës Perëndimore, njerëzit nuk e ofendojnë tjetrin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por flasin me më shumë elegancë dhe e vërteta del në një mënyrë shumë më të pranueshme, duke i dhënë një model më tërheqës sjelljeje atyre që i kanë zgjedhur. Mbështetja jonë për Kuvendin është përqendruar tek modernizimi i infrastrukturës së rrjetit të teknologjisë së informacionit, forcimi i punës me komisionet parlamentare, si dhe tek puna e vetë komisioneve dhe e strukturave drejtuese. Në bashkëpunim me misionet e tjera të OSBE-së në rajon, Prezenca ka organizuar një takim me Sekretarët e Përgjithshëm të Kuvendeve për të diskutuar rreth të ashtuquajturit E-parliament, pra ndërtimit të një komunikimi të drejtpërdrejtë midis parlamentit dhe qytetarëve duke përdorur internetin. Gjithashtu, ne e kemi mbështetur Kuvendin për përgatitjen e një strategjie komunikimi. Së fundmi, i siguruam Komisionit për Sigurinë Kombëtare edhe një ekspert që ka punuar me Shërbimin Informativ të Mbretërisë së Bashkuar, i cili do të bëjë disa rekomandime para finalizimit të projektligjit për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative.

Si do ta përshkruanit punën tuaj gjatë këtyre tre vjetëve? Cilat kanë qenë çështjet/idetë më të vështira për t'iu përcjellë homologëve shqiptarë?

Tre vitet e mia këtu më kanë rrëmbyer plotësisht dhe e kam shijuar çdo minutë – të "përpjetat", por edhe të "tatëpjetat" aty-këtu. Përpjekjet për të kuptuar kompleksitetet dhe të veçantat e politikës shqiptare kanë qenë një shkollë për mua. Më në fund kam arritur në përfundimin se politika këtu është deri diku si një mirazh në shkretëtirë në kuptimin që në momentin që një apo disa ndërkombëtarë mendojnë se ajo po i afrohet asaj që mund të përkufizohet si ‘realiteti’, papritur të zhduket nga sytë. Kjo është ndoshta edhe shkaku që politika këtu të rrëmben kaq shumë. Nuk mund të them se kam pasur ndonjë vështirësi në bisedat e mia me homologët e mi shqiptarë. Gjatë gjithë kohës, dera e tyre ka qenë e hapur dhe u jam shumë mirënjohës për mirësjelljen që kanë treguar ndaj meje gjatë qëndrimit tim këtu. Sa i përket çështjeve të ndryshme, kuptohet që ka ende nevojë për një reformë madhore në fushën e shtetit të së drejtës. Prezenca ka vazhduar të jetë një avokate e qëndrueshme e reformës në këto fusha.

Shqipëria ka aplikuar për të marrë kryesimin e radhës së OSBE-së në vitin 2014. A do t'i mbështesë Prezenca përpjekjet e autoriteteve shqiptare? A është nevoja që Prezenca të zvogëlohet apo edhe të mbyllet në mënyrë që kjo gjë të ndodhë?

Është e qartë se u takon shteteve anëtare të OSBE-së të marrin vendim për këtë çështje, jo Prezencës. Në qoftë se Shqipërisë i jepet kryesia e radhës së OSBE-së, ne, pa diskutim, do të donim t'i ofronim gjithë ndihmën e mundshme në përgatitjet për vitin 2014 dhe përgjatë gjithë këtij viti, në mënyrë që kryesimi shqiptar të jetë më i suksesshmi dhe ai që do të mbahej mend më shumë.

Ju jeni shprehur hapur për një gjyqësor të pavarur dhe për emërimet e reja, që duhet të bazohen tek kriteret profesionale. A kanë qenë të drejta emërimet e fundit të Presidentit në gjykatat e nivelit më të lartë? Si i konsideroni sulmet e fundit të PD-së ndaj Presidentit Topi lidhur me këtë çështje? A i keni mbështetur nismat për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve?

Po, ne kemi rekomanduar që të ketë më shumë transparencë në procesin e përzgjedhjes në gjykatat e nivelit më të lartë – madje edhe në procesin e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve në gjykatën e apelit. Pa një transparence të tillë, është e vështirë të vlerësohet nëse emërimet kanë qenë të drejta apo jo. Sa i përket sulmeve ndaj të emëruarve nga Presidenti, kemi vënë re se ka mendime të ndryshme pikërisht lidhur me shkallën e autoritetit që duhet të ketë Kuvendi në shqyrtimin e këtyre kandidatëve. Megjithatë, ka pasur të paktën një rast kur një kandidat u hodh poshtë pa pasur plotësisht mundësinë që të shpjegohej, gjë që ne e konsiderojmë për të ardhur keq. Heqja e imunitetit të gjyqtarëve është një temë e vështirë dhe një çështje rreth së cilës ka argumente të forta nga të dyja palët. Nga njëra anë, imuniteti i gjyqësorit mund të shërbejë si një instrument për të mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv. Me këtë imunitet, nga ana tjetër, mund edhe të abuzohet për qëllime korruptive. Ne kemi konstatuar se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka filluar së fundmi ta heqë imunitetin në disa çështje që janë në proces e sipër, në vend që të heqë nga puna gjyqtarët, dhe kjo është një lëvizje e shëndoshë, pasi i lejon prokurorisë ta përfundojë punën e saj para marrjes së një vendimi të formës së prerë mbi fatin e gjyqtarit. Ne e mbështesim plotësisht atë çka ka thënë publikisht Këshilli i Evropës për këtë çështje vitin që shkoi, domethënë për heqjen e pjesshme të imunitetit. Sa i përket Presidentit, unë e kam thënë herë pas here se e mbështesim Zyrën e Presidentit si mbrojtësen kyçe të shtetit të së drejtës në këtë vend, por sigurisht që kjo zyrë ka gjithmonë vend për t'u bërë më e fortë.

Si do ta konsideronit punën e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë këtyre viteve?

Është e qartë se Prokuroria e Përgjithshme ka pasur një punë shumë të vështirë. Dihet se që të dy Prokurorët e Përgjithshëm të mëparshëm janë hequr nga puna pas procedurave të kritikuara nga Gjykata Kushtetuese, kështu që kjo Prokurorja aktuale e Përgjithshme ka ardhur në detyrë duke qenë e ndërgjegjshme se të tilla sulme nuk janë të pamundura as kundër saj. Kemi parë disa hapa të guximshëm të ndërmarrë nga Prokuroria e Përgjithshme në ndërmarrjen e disa ndjekjeve shumë të njohura penale. Megjithatë, do të doja ta shihja këtë institucion edhe më të konsoliduar për të bërë të mundur një qasje edhe më energjike ndaj hetimit të çështjeve që lidhen me krimin e organizuar, korrupsionin dhe proceset zgjedhore.

Prezenca e OSBE-së, së bashku me organizata të tjera ndërkombëtare, ka ndërmarrë dhe mbështetur nisma që kanë pasur për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në jetën publike. Si e konsideroni situatën aktuale? A jeni i kënaqur me pjesëmarrjen e grave në qeveri, parlament dhe në udhëheqjen e partive politike?

Duhet të pranohet se ka pasur progres dhe se kjo është meritë e qasjes vizionare të Kuvendit në miratimin e kuotave gjinore prej 30% për zgjedhjet parlamentare. Rezultati përfundimtar ishte që Shqipëria pothuajse e trefishoi numrin e grave deputete. Pra, kuptohet që kjo është një arritje e madhe. E megjithatë, ne e dimë se gjuha që u ra dakord të përdorej në Kodin Zgjedhor la hapësira që shumë gra të vendoseshin në fund të listave të kandidatëve, shumë larg tërmeteve politike në rang zone zgjedhore, ndërkohë që ato shumë mirë mund të vendoseshin në krye të listave. Në këndvështrimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2011, besoj se është e rëndësishme të kuptojmë se Kodi u ndryshua në mënyrë që shumë gra të talentuara në këtë vend të kenë më në fund mundësinë të zgjidhen ashtu siç e meritojnë. Duhet të shohim një masë shumë më të madhe grash të zgjedhura si anëtare të këshillave vendore të bashkive dhe komunave dhe, pse jo, edhe si kryetare të tyre. Sa i përket mbështetjes që ne i kemi dhënë këtij procesi, kemi ndihmuar qeverinë të vërë në zbatim kuadrin ligjor për barazinë gjinore dhe Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje. Gjithashtu, në lidhje me zgjedhjet, Prezenca po realizon një projekt tre-vjeçar që quhet "Rritja e Pjesëmarrjes së Grave në Jetën Publike dhe Politike", i cili ka çuar në organizimin e disa forumeve mbi aftësitë drejtuese dhe avokuese të grave në gjithë vendin me qëllim nxjerrjen më në pah të grave të zgjedhura në nivel vendor, drejtueseve të shoqërisë civile dhe zyrtareve të administratës publike.

Një nga projektet më të prekshme të Prezencës është modernizimi i sistemit të adresave dhe gjendjes civile të Shqipërisë. A jeni i kënaqur me cilësinë e regjistrit elektronik, që u përdor edhe në zgjedhjet e vitit 2009 për prodhimin e listave të zgjedhësve? A mund të na jepni një datë se kur do të ketë një adresë të saktë çdo shtëpi në këtë vend?

Zbatimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile në Shqipëri ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm për përpilimin e listave të zgjedhësve. Siç është theksuar edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, në këtë fushë është bërë një përparim i dukshëm. E pra, po, jam i kënaqur me rezultatet e modernizimit jo vetëm sa i përket listave të zgjedhësve, por edhe prodhimit të pasaportave dhe kartave biometrike të identitetit dhe përmirësimit të shërbimeve në përgjithësi. Megjithatë, është po aq e rëndësishme që të kuptojmë se ruajtja e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe cilësisë së të dhënave është një proces që nuk mbyllet kurrë. Kjo është ajo që shoh si sfidën kryesore në të ardhmen si për qeverinë, ashtu edhe për qytetarët, pasi që të dyja palët kanë përgjegjësi për garantimin e regjistrimit korrekt të ndryshimeve që ndodhin me gjendjen civile të qytetarëve. Sa i përket sistemit të adresave, apo më mirë akoma Regjistrit Kombëtar të Adresave, mund të them se po ecet shumë mirë me zbatimin e këtij projekti. Shpresojmë që nga fundi i muajit shtator, rreth 215 njësi të qeverisë vendore të kenë harta dixhitale me emrat e rrugëve dhe numrat e ndërtesave, duke mbuluar kështu afërsisht 80% të popullsisë së regjistruar. Synimi është që nga fundi i muajit nëntor, të përfundojë Regjistri Kombëtar i Adresave dhe të lidhet me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Në fund, kjo lidhje duhet t'i sigurojë çdo personi të regjistruar një adresë. Përdorimi i adresave është i rëndësishëm për qeverinë, bizneset dhe publikun në përgjithësi për të marrë e për të dhënë shërbime cilësore.

Ne kemi qenë të gjithë dëshmitarë të asaj çka ndodhi në Gërdec si rezultat edhe i municioneve të tepërta e të vjetruara. Së fundmi, OSBE-ja e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për heqjen e një sasie të madhe municionesh dhe kimikatesh toksike. A do të mbarojë këtu asistenca juaj?

Ajo çka ndodhi në Gërdec ishte tragjike dhe është diçka që nuk duhet të lejohet më kurrë të ndodhë. Heqja e municioneve të tepërta është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe për sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Deri tani, Prezenca ka ofruar me shumë sukses asistencë në të gjitha fushat që i është kërkuar dhe ne jemi më se të gatshëm për të ndihmuar më shumë në të ardhmen, në mënyrë që së bashku ta shpëtojmë vendin nga këto materiale të rrezikshme.

"Albanian Daily News"

KOMENTE