English

Licenca e vetme 3G, flasin drejtuesit e 4 kompanive celulare

Tiranë, 8 Shtator 2010 NOA - Drejtuesit e AMC, Vodafone, Eagle Mobile dhe Plus Comunication, shprehen se dhënia e një licence të vetme do të krijonte një sistem monopol, do të shmangte konkurrencën në treg dhe do të privonte nga ky shërbim mjaft konsumatorë. Aq më tepër kur këtë shërbim janë në gjendje ta ofrojnë të katërta kompanitë. Duke folur ne prononcime te sotme ne televizion, drejtuesit e kater kompanive shprehen argumentet pse nuk duhet te jepet vetem nje licence 3G.

Stefanos Oktapodas, Drejtor i Përgjithshëm i AMC tha: “Siç e ka vërtetuar përvoja e gjatë europiane, teknologjia 3G promovohet më mirë kur jepet më shumë se një licencë në të njëjtën kohë. Kështu shërbimet 3G zhvillohen në treg konkurrues, në të mirë të abonentëve. Teknologjia 3G është hapi i radhës në rritjen e tregut shqiptar të telekomunikacionit/ Shqipërisë iu desh shumë kohë për ta ndërmarrë këtë hap. Ofrimi i kushteve më të mira të mundshme për zhvillim të shpejtë dhe efektiv të broadbandit në celular është më e pakta që mund të bëjmë për abonentët shqiptarë”.

Ndërsa Haris Broumidis, Drejtor i Përgjithshëm,Vodafone Albania tha se “shërbimin e internetit 3G duhet ta ofrojnë të katërta kompanitë dhe jo vetëm një siç është përcaktuar në vendimin e AKEP dhe shtoi: “Këtë vendim ne ende nuk e kemi marrë në mënyrë zyrtare, por e kemi mësuar nëpërmjet mediave. Interesi i të gjithëve si i qeverisë, kompanive të telefonisë dhe vetë qytetarëve është që ky shërbim të ofrohet nga të katërta kompanitë, pasi rrit të ardhurat për shtetin, po ashtu rrit konkurrencën duke ofruar çmime të lira për konsumatorët, ndërkohe që ofrohen dhe më shumë vende të reja pune”.

Ali Taskin, Drejtor i Përgjithshëm i Eagle Mobile tha se “siç e kujtoni ne kemi qenë një operator që kemi thënë se 3G është e nevojshme për Shqipërinë. Dhe këtë e demonstrojnë më së miri përgatitjet tona që në fillim në përshtatje me këtë teknologji”.

Z.Taskin, vazhdoi: “Por vendimin që është marrë rreth dhënies së një licence 3G, nuk e gjejmë shumë me vend. Një licencë e vetme do të krijonte një situatë monopol në treg. Mendimi ynë në këtë pikë është që ndërkohë që në tregun shqiptar janë tre operatorë aktivë dhe një tjetër që tashmë sapo nis punën, nga këta shohim të drejtë që të hapet një tender me 4 licenca 3G. Si për operatorët celularë, ashtu dhe për ekonominë shqiptare dhe popullin shqiptar është e nevojshme që në këtë tender të futen 4 licensa 3G. Në çdo rast, kur një e drejtë i jepet vetëm njërit, hap udhën e një monopoli. Mendoj se një situatë e tillë nuk do t’i shërbejë as vendit, as popullit dhe as ekonomisë. Në fakt, një nga gjërat kryesore që Eagle Mobile ka bërë në këtë treg është thyerja e monopolit, dhe kemi qenë gjithnjë përkrahës të konkurrencës, dhe nëse vjen teknologjia 3G, vjen edhe konkurrenca, vijnë rinovimet. Prandaj dhe dhënia e licencës 3G duhet të jetë në një kohë për të 4 operatorët celularë”.

Kurse Petraq Shomo, Kryetar i Bordit Drejtues të "PLUS Communication”, tha: Mënyra sesi qeveria do të procedojë me mënyrën e licensimit është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, në mënyrë që të përmirësojmë këta tregues, të cilët në fund do të përcaktojnë shkallën e dixhitalizimit në të gjitha qelizat e saj. Dhe kjo mund të arrihet për mendimin tonë në dy mënyra; me ofrimin e të katërt operatorëve njëherësh të licencës 3G, sepse do të ofrojë katër autostrada të cilat do të mundësojnë një depërtim sa më të madh të internetit në të gjithë vendin. Dhe së dyti duke qenë të katër konkurrentët në garë, do të jenë çmime më të ulëta dhe konkurruese për publikun shqiptarë”.

Në këto kushte, drejtuesit e katër kompanive celulare shprehen skeptikë edhe për pjesëmarrjen në zhvillimin e tenderit, nëse licenca 3 G do të jetë për një kompani të vetme dhe për faktin se nuk është i qartë afati i dhënies së një licence të dytë.

Haris Broumidis, Drejtor i Përgjithshëm, Vodafone Albania tha: “Nuk e dimë ende qëndrimin që do të mbajmë si kompani përsa i përket pjesëmarrjes në tender. Ende nuk jemi zyrtarisht me këtë vendim pasi nuk dimë edhe se kur do jepet një licencë e dytë për këtë shërbim”.

Kurse Ali Taskin, Drejtor i Përgjithshëm i Eagle Mobile, pohoi: “Do të kisha shumë dëshirë të thoja se do të marrim pjesë, por nuk e them dot. Nuk dua të them edhe që nuk futemi dot. Pra, në këtë pikë nuk kemi vendosur ende diçka”.

Petraq Shomo, Kryetar i Bordit Drejtues të "PLUS Communication”, pohoi se “po presim që të hapet tenderi dhe në atë moment do të vendosim” dhe shtoi: “Por theksoj se për Shqipërinë është e rëndësishme që të marrë internet me bandë të gjerë sa më shumë autostrada dhe në mënyrë sa më të shpejtë dhe kjo mund të arrihet jo më ketë lloj praktike që po ndiqet.

Duke shprehur rezerva të forta në lidhje me dhënien e një licence të vetme për shërbimin 3 G, operatorët e telefonisë celulare u bëjnë thirrje autoriteteve, që para se të hapin tenderin për shërbimin 3 G, të zhvillojnë takime me grupet e interesit.

e.r/NOA

Lexoni deklaraten e plote te 4 celulareve ne Shqiperi

KOMENTE