English

Valeri Dyrzi Tarasov, “Pass-Port”, ekspozita e parë shqiptare në GKA

Tiranë, 8 shtator, NOA, Milena Selimi - “Ndjesia e lirisë në këto pëlhura është e pakufishme, dinjitoze, madje kërcënuese”- shkruan shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare. Këto janë ndjesitë që merr nga piktura e artistit Valeri Dyrzi Tarasov, i cili prezantohet në Shqipëri, për herë të parë në GKA, me ekspozitën “Habitat-Dis-Habitat”. Në këtë ekspozitë prezantohen 20 kompozime nga cikli “Pass-Port” dhe 11 kompozime nga cikli “Habitat Dis Habitat”.

Valeri Dyrzi Tarasov do të shprehej se “Cikli “Pass-Port” është një veprim artistik që kërkon të ofrojë mundësinë për të reflektuar mbi realitetin bashkëkohor, të karakterizuar nga një kaleidoskop mozaiku kulturash, që nuk gjen përgjigje në arkivat e burokracisë, por në një mbartës kulturash, që të lejon të interpretosh lirisht identitetet, hera-herës të nëpërkëmbura e keqinterpretuara në vendkalimet kufitare.

Cikli me titullin kontradiktor “Habitat Dis Habitat”, ka për qëllim eksplorimin e botës imagjinare të vendeve të banimit si të kundërt.

Të banuarit për artistin nuk është vetëm koncept ekonomik, apo dëshirë.

Të banuarit është edhe aspekt kulturor, ekologjik, rrethanor.

Sipas tij, nëpërmjet një mjedisi njeriu shpreh përshtatshmërinë si edhe refuzimin ndaj tij. Mjedisi mund të jetë shtet, ambient, kontekst, që ne mund të krijojmë me imagjinatën tonë, ku ka vetëm porta hyrjeje dhe daljeje.

Tarasov shprehet se “Këtë ia lë vetë vizitorit ta vendosë, nëse është Habitat, apo Dis-Habitat”.

Krijimtaria e artistit Valery-Dyrzi-Tarasov bazohet kryesisht në kërkimin e zhvillimin e cikleve tematike të veçanta.

Në eksperiencën e tij 20-vjeçare ai ka realizuar vepra jo vetëm në fushën e pikturës dhe performancës, por edhe në atë të instalacionit dhe skulpturës.

Artisti u lind më 2 qershor 1956 dhe sot punon e jeton në Itali, ku gjeti strehim politik përpara 20 vitesh.

Ai është shpallur fitues i disa konkurseve ndërkombëtare, dy prej të cilëve, organizuar nga shteti Italian në vitet ’96 dhe ’98.

Gjashtë vepra të këtij artisti janë blerë nga shteti Italian dhe sot gjenden në qytetet e Leçes dhe Sirakuzës, duke hyrë kështu në thesarin e kulturës italiane.

Vepra të tjera të Tarasov janë komisionuar dhe blerë nga Bashkia e Barit për Muzeun “Shën Nikola dhe fëmijët”.

Aktiviteti i tij artistik i kapërcen kufijtë e Italisë, me një sërë ekspozitash të suksesshme dhe të përvitshme të V.D Tarasov-it në Evropë si : Paris, Barcelonë, Moskë, Budapest, etj, dhe shumë shpejt në Bruksel.

Ekspozitat e artistit Valeri Dyrzi Tarasov janë mirëpritur nga kritika dhe shtypi italian si: “Corriere della Sera”, “IL Mezzoggiorno”, “La Republica” si dhe nga disa kanale televizive si RAI, që kanë treguar vëmendje për veprën dhe figurën e artistit.

“Pass-Port” është një cikël që prezantohet për artdashësit që në vitin 2000 dhe vazhdon rrugëtimin e saj edhe në vitin 2010.

Kjo është ekspozita e parë e artistit Tarasov në Shqipëri, e cila shoqërohet me një katalog, me një parathënie nga shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare, ku përfshihen ciklet “Pass-Port”, “Habitat Dis Habitat” dhe disa punime të rëndësishme të artistit.

Kjo ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur në GKA, nga data 10-30 shtator 2010 organizohet nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Kuvendit Popullor, znj. Jozefina Topalli.

“Pass-Port” do të vazhdojë prezantimin e artistit V.D Tarasov me ekspozitën e radhës në Bruksel, në muajin nëntor 2010.

m.s/NOA
KOMENTE