English

Del raporti i konkurrencës globale: Shqipëria ngjiti 8 vende

Tiranë, 9 Shtator 2010 NOA - Është publikuar një raport i konkurrencës globale 2010-2011 nga Forumi Ekonomik Botëror i cili rendit vendet e globit sipas arritjeve të tyre ekonomike dhe zhvillimeve të tjera në gjithë aspektet.

Në këtë raport Shqipëria ka shënuar përmirësime pasi është ngjitur me 8 vende nga vendi i 96 kur renditej vitin e shkuar në vendin e 88. Gjithsej në këtë raport janë përfshirë 139 vende të botës.

Raporti përfshin ecurinë në institucione, infrastrukturën mjedisin makroekonomik, arsimin e shëndetin, eficencën e prodhimeve të tregut, efiçencën e tregut të punës, zhvillimin e tregut financiar, gatishmëria teknologjike, madhësia e tregut, sofistikimi i biznesit, shpikjet e reja etj.

Kjo renditje llogaritet në bazë të të dhënave ekonomike të bëra publike tashmë nga gjitha vendet, por edhe në bazë të pyetjeve ndaj qytetarëve. E për këtë studim janë pyetur 13 500 njerëz në 139 vende.

Raporti është gjithsej 515 faqe. Ndërkohë e veçantë në këtë raport të fundit është rënia e SHBA-së në renditje. SHBA ka rënë në listën e konkurrencës të përgatitur nga forumi ekonomik botëror. Kështu SHBA tashmë renditet në vend të katërt të këtij vëzhgimi.

Sipas listës së re të konkurrencës në vend të parë është Zvicra e cila i zuri vendin SHBA-së vitin e shkuar. Tashmë në vend të dytë kalon Suedia dhe në vend të tretë Singapori duke e zbritur SHBA-në në vend të katërt.

Gjermania në këtë listë është në vend të pestë si vendi i pozicionuar më mirë nga e gjithë eurozona.

Britania ka rënë në këtë listë dhe është në vendin e 12-të.

SHBA ka humbur terren pas thirrjeve për dobësimin e institucioneve publike e private dhe pas shqetësimeve për gjendjen e tregjeve financiare. Suedia është në rangun më të mirë krahasuar me vendet nordike.

Raporti i fundit i forumit ekonomik botëror reflekton përmirësimin e ekonomisë në vendet në zhvillim edhe pse thuhet se duhet kohë para se ato të krahasohen me botën e zhvilluar për konkurrencën.

Kina është në vendin e 27 edhe pse është ngjitur me dy vende dhe pastaj vijnë ekonomitë e tjera si India, Brazili e Rusia. E veçantë është zbritja në këtë raport e Greqisë nga vendi i 71 në vendin e 83-të.

e.r/NOA

KOMENTE