English

Katër kompanitë celulare, kërkesë zyrtare AKEP: Jo monopolit me 3G

Tiranë, 9 Shtator 2010 - Katër operatorët e telefonisë celulare në vend, i kane kërkuar jo vetëm publikisht, por tashmë edhe zyrtarisht Autoritetit te Komunikimeve Elektronike e Postare që të rishikojë vendimin për dhënien e një licence të vetme për sistemin 3 G. Nëpërmjet një komunikatë të përbashkët për shtyp, AMC, Vodafone, Eagle dhe Plus Communication kanë reaguar kundër tenderimit të vetëm një license, duke shprehur shqetësimin se kështu krijohet një situatë monopoli që dëmton kompanitë dhe konsumatorët.

Katër operatorët e telefonisë celulare shprehin bindjen se lëshimi njëkohësisht i katër licencave 3G kundrejt një tarife të favorshme për të gjithë spektrin e vlefshëm 3G, u shërben objektivave të qeverisë dhe nevojave në rritje të konsumatorëve për internet të shpejtë me bandë të gjerë, me qëllim për të inkurajuar një treg konkurrues dhe për të nxitur më tej investimet në vend.

Dhënia e katër licencave 3G, thuhet në kërkesën zyrtare që operatorët i kanë drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare, do të sjellë në të njëjtën kohë një shumëllojshmëri të produkteve dhe shërbimeve me çmime më konkurruese për qytetarët. Theksohet gjithashtu se futja e rrjetit 3G do të ishte më e shpejtë për mbulimin e të gjithë territorit të vendit, raporton tv Klan.

Nënvizohet fakti se shteti do të përfitojë më shumë të ardhura për buxhetin nga tarifat e paguara nga të katër operatorët e licencuar dhe investimet e bëra për teknologjinë 3G nga këta operatorë, që do të kenë një efekt pozitiv në PBB dhe rritjen e nivelit të punësimit. Katër operatorët e telefonisë celulare e shohin me keqardhje faktin e vënies së një tarife prej 12.5 milionë euro, e cila bashkë me investimin shtesë që nevojitet për futjen e rrjetit, e bën jashtëzakonisht të paarsyeshëm për të justifikuar vendimet logjike për të investuar në teknologjinë 3G sikundër dëshmon edhe eksperienca mbarë europiane.

Shqipëria ka qenë nismëtare e zhvillimit të komunikimit celular në vitet 1990-të, por aktualisht renditet e fundit në Europë për sa i takon përhapjes së teknologjisë 3G.

Ndaj, kompanitë celulare shprehen se është mjaft e rëndësishme që qeveria të demonstrojë vullnetin e saj politik për të përshpejtuar përhapjen e teknologjisë 3G dhe për të hapur tregun me internet të shpejtë pa krijuar pengesa të panevojshme.

Përpara publikimit zyrtar të dokumenteve të tenderit, operatoret celulare u bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të diskutojnë më tej me të gjitha palët e përfshira dhe operatorët për arritjen e një zgjidhje të përshtatshme.

LEXONI DHE REAGIMET E DREJTUESVE TE 4 KOMPANIVE CELULARE

Lexoni deklaraten e plote te 4 celulareve ne Shqiperi

KOMENTE