“Ky komoditet që i karakterizon qeveritarët tanë sa herë që flitet për interesa vitale të vendit, nuk guxon të na lë indiferent, ata duhet të ndëshkohen, përndryshe nëse do modifikonim një thënie të urtë tonën do të thoshim: qeveritarët i hanë dardhat, qytetarëve u mpihen dhëmbët”
Nga Ilir Sefaj
Serbia bëri edhe një tentativë për të stopuar njohjet e mëtejme të pavarësisë së Kosovës me anë të një rezolute për të cilën do të debatohet në OKB, dhe sipas gazetës beogradase “Blic”, kjo rezolutë synon negociata të reja rreth statusit të Kosovës.
Edhe pse pritet që kjo rezolutë të mos kalojë në OKB, dhe sado që kjo tentativë e shtetit serb mbase mund të thuhet se bëhet për konsum të brendshëm politik, është shqetësues diskursi politik që po e përdorë Beogradi ndaj Prishtinës.
Ajo çka shqetëson qytetarin e Kosovës është papërgjegjësia e qeverisë së Kosovës karshi obligimeve që ka.
Kjo qeveri po dëshmon se është tejet e ngathtë në raport me interesat e qytetarit të vendit tonë.
Përderisa Qeveria serbe ende “lufton” për territor të huaj duke krijuar strukturat e shtetit të saj në shumë pjesë të territorit të Kosovës, qeveria jonë i bën sehir veprimeve të pa precedent të shtetit serb.
Kjo qeveri e ka shndërruar Kosovën në shtet të “strategjive” (pa strategji) duke i bërë politik qytetarëve të saj, dhe duke u dëshmuar çdo ditë e më shumë se është e paaftë për të përmbush detyrat që i ka vënë vetës. Pra, kjo qeveri është pa strategji, në fakt ka një: strategjinë e hajnisë.
Kur flasim për strategjitë e Qeverisë, me siguri ju kujtohet njëfarë Ylber Hysa, dhe kjo strategji dhe ky emër në vetëdijen e qytetarit tonë kanë mbetur si nj relikt i dal boje.
Të dala boje mund të konsiderohen edhe deklaratat Skënder Hysenit se do të kemi njohje të shumta pas vendimit të GJND-së.
Ai pati premtuar se do të kemi njohje nga vendet e Konferencës Islamike, shpresojmë që së paku si sadaka për Bajram do të kemi ndonjë njohje nga vendet e kësaj Konference.
Sado shqetësues që të jetë përpjekja e qeverisë serbe për t’i vënë ndërskamca shtetit të Kosovës, ajo është edhe detyrë e saj, detyrë historike e saj, mirëpo nuk guxon të na lërë të qetë kjo apati në të cilën ka rënë Qeveria e Kosovës.
Në veçanti pas vendimit të GJND-së, kjo qeveri do të duhej të dëshmonte me hapa konkret se Kosova është shtet sovran dhe se pacenueshmërinë e sovranitetit të saj e garanton edhe ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Me vendimin e GJND-së Kosovës iu bë me dije se mund të vepron si shtet sovran në territorin e saj, megjithatë si përgjigje ky vendim fatkeqësisht mori prapë iniciativën e Qeverisë së Serbisë për të vënë në siklet qytetarët e Kosovës me rezolutën që e dërgoi në OKB.
Qasja e shtetit të Kosovës karshi interesave të qytetarit të saj është tejet miope, pra qeveria Thaçi nuk ka ndërmarrë asnjë sulm në taborin kundërshtar, ajo faktikisht vetëm po mbrohet edhe atë shumë ngathtë nga sulmet e pandërprera diplomatike që po i bën Serbia karshi vendit tonë.
Megjithatë, ky komoditet që i karakterizon qeveritarët tanë sa herë që flitet për interesa vitale të vendit, nuk guxon të na lë indiferent, ata duhet të ndëshkohen, përndryshe nëse do modifikonim një thënie të urtë tonën do të thoshim: qeveritarët i hanë dardhat, qytetarëve u mpihen dhëmbët!
(*) Dërguar nga autori