English

Rama me besimtarët: Do të bëj gjithçka që t’ju siguroj mbështetje dhe jetë më të mirë

Tiranë, 9 shtator, NOA – Me mesazhin e paqes dhe solidaritetit për të gjithë ata që jetojnë në vështirësi dhe pamundësi, Bashkia e Tiranës, në ditën e shenjtë të Fiter Bajramit, për muslimanët në mbarë botën, organizoi një drekë me rreth 200 besimtarë, kryesisht të shtresave në nevojë, në sheshin tek “Partizani i Panjohur”.

Kreu i Bashkisë së kryeqytetit Edi Rama, u përcolli të gjithë të ftuarve në këtë drekë, urimet e tij duke e konsideruar këtë si një ditë të posaçme, ku të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të ndjehen të kënaqur për vlerën e jashtëzakonshme të harmonisë fetare, të tolerancës fetare, të bashkëjetesës mes të gjitha komuniteteve, dhe ta përjetojnë Fiter Bajramin si një ditë reflektimi për këdo, që ka diçka në dorë për të përmirësuar jetën e përbashkët.

“Duke ju uruar të gjithëve mirëseardhjen, në këtë festë të madhe tradicionale dhe duke shprehur të gjithë kënaqësinë time për këtë traditë, që ne po krijojmë në këtë shesh, dua t’ju uroj nga zemra të gjithëve ju dhe të gjithë atyre njerëzve të varfër, të pastrehë, të papunë, të pashpresë në të gjithë Shqipërinë, mbarësi dhe shëndet dhe pataj padyshim, gjithçka tjetër që ju dëshironi dhe që ju meritoni”, tha në fjalën e tij kryebashkiaku Rama. Duke e cilësuar si ditën që simbolizon ngjalljen e shpresës dhe mirësisë duke kremtuar besimin, shefi i Bashkisë së Tiranës, nënvizoi se kjo ditë nxjerr në pah përkushtimin dhe sakrificën.

“Në këtë ditë, përtej gëzimit të tryezës së shtruar të festës, është momenti më i mirë për të menduar për të gjithë ata që këtë gëzim e kanë të rrallë, për të gjithë ata që këtë gëzim e kanë të pamundur në një ditë të zakonshme, gëzimin e të qenit në një tryezë të përbashkët ku gjithësecili të ndjehet mirë”, tha zoti Rama duke garantuar se “Dua t’ju siguroj se do të bëj gjithçka, që secili prej jush me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje, për ndihmë, për solidaritet të ndjehet më mirë”.

Komunikimi njerëzor, dhe dëshira për të sjellë sa më shumë paqe e dashuri për të gjitha ata që kanë nevojë për një jetë më të mirë, ishte në qendër të drekës së shtruar për besimtarët në nevojë nga kreyatri i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

mit/NOA
KOMENTE