English

Rritet volumi i shitblerjes së armëve

Berlin, 9 shtator, DW - Shqipëria ka rritur shitblerjen e armëve gjatë këtij viti. Eksporti rezulton 72 përqind më shumë se viti i kaluar kurse importi 33 përqind. Katalizator i rritjes është demilitarizimi i vendit dhe modernizimi i ushtrisë.

Deri një vit më parë, kompania shtetërore MEICO ishte e vetmja e licensuar për import- eksportin e armëve. Por me një ligj të posaçëm, të miratuar vitin e kaluar ky treg u liberalizua. Krahas MEICO-s tani veprojnë edhe 8 kompani të tjera. Por asnjëra prej tyre nuk varet nga Ministria e Mbrojtjes, si MEICO. Viti 2010 shënon për këtë kompani shtetërore progres në shit- blerjen e armëve.

Shifrat zyrtare nga Drejtoria e Doganave, flasin për një rritje me 72 përqind të eksporteve të armëve dhe 33 përqind të importeve në krahasim me vitin 2009. Dy vjet e gjysëm pas tragjedisë së Gërdecit, ku kompania shtetërore e shitblerjes së armëve MEICO pati përgjegjësitë e veta, kanë mjaftuar që aktiviteti i saj tregëtar të gjallërohet.

Granit Leka, drejtori i ri, i kompanisë është një nga njerëzit më më përvojë në fushën e projektimit dhe të prodhimit të armëve. Ai është inxhinier, është specializuar në kohën e regjimit të kaluar në institutin e njohur suedez “Nobël” dhe mban titullin professor për lëndët luftarake eksplozive. Ai thotë për DW së Shqipëria, pas rëniessë regjimit komunist kishte një arsenal prej 200 mijë ton municion. Tani shitjet bëhën pikërisht nga ky stok.

“Ne shesim në vendet e Europës. Europa shpesh i blen për tregje të tjera ose i blen për t'i demontuar dhe marrë metalin, plumbin, bronzin etj. Gjithmonë kemi shitur në vende që kanë garanci europiane dhe që janë të miratuara nga Agjenisa Kombëtare e Kontrollit të import – eksportit të armëve, që me një ligj të posaçëm u krijua vitin e kaluar. Për këtë vit kemi shitur 1500 ton armatime,” thotë Granit Leka, drejtor i MEICO-s.

Ndërsa importi i armëve është më i pakët. “Janë importuar të gjitha armatimet e lehta që ka nevojë Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Kufinjve dhe Garda e Republikës. Kryesisht importohen armë të lehta të standartit evropian. Ende nuk kemi importuar armë të rënda, mbetemi tek pistoleta e stsndartit të NATO-s për oficerin, policin”, thotë Leka. Blerja e armatimit të lehtë financohet nga Ministria e Mbrojtjes ngsa buxheti vjetor prej 250 milion dollarësh, që përbën 2 përqind të GDP, që pas anëtarësimit të saj në NATO, në Prill 2009.

Shqipëria – duhet të përgatitet të prodhojë vetë armatimin e lehtë

Drejtori i MEICO-s, Granit Leka, që ka drejtuar prodhimin e armatimit të lehtë në uzinat e armëve, që ngriti në Shqipëri regjimi i kaluar, thotë se vendi ka kapacitete që t'a prodhojë vetë armatimin e lehtë. “Ka ardhur koha të mendojmë që municionet e standartit të NATO-s duhet t'i prodhojmë vetë. Duhet të fillojmë të prodhojmë pikërisht atë fishek që importojmë. Armët e policit t'i bëjmë vetë, municionet e policit t'i bëjmë vetë. Shqipëria ka qenë prodhuese e konsiderueshme e municioneve në Evropë,” thotë Z. Leka

Deutsche Welle

KOMENTE