English

MEICO dhe 8 kompani të tjera po shesin armë, asnjëra nuk varet nga Ministria e Mbrojtjes

Shqipëria ka rritur shitblerjen e armëve gjatë këtij viti. Eksporti rezulton 72 për qind më shumë se viti i kaluar kurse importi 33 për qind. Katalizator i rritjes është demilitarizimi i vendit dhe modernizimi i ushtrisë

Tiranë, 10 Shtator 2010, NOA/ Ani Ruci – Deri një vit më parë, kompania shtetërore MEICO ishte e vetmja e licencuar për import- eksportin e armëve. Por me një ligj të posaçëm, të miratuar vitin e kaluar ky treg u liberalizua. Krahas MEICO-s tani veprojnë edhe 8 kompani të tjera. Por asnjëra prej tyre nuk varet nga Ministria e Mbrojtjes, si MEICO.

Viti 2010 shënon për këtë kompani shtetërore progres në shit- blerjen e armëve. Shifrat zyrtare nga Drejtoria e Doganave, flasin për një rritje me 72 për qind të eksporteve të armëve dhe 33 për qind të importeve në krahasim me vitin 2009.

Dy vjet e gjysmë pas tragjedisë së Gërdecit, ku kompania shtetërore e shitblerjes së armëve MEICO pati përgjegjësitë e veta, kanë mjaftuar që aktiviteti i saj tregtar të gjallërohet.

Granit Leka, drejtori i ri, i kompanisë është një nga njerëzit më me përvojë në fushën e projektimit dhe të prodhimit të armëve. Ai është inxhinier, është specializuar në kohën e regjimit të kaluar në institutin e njohur suedez “Nobël” dhe mban titullin profesor për lëndët luftarake eksplozive. Ai thotë se Shqipëria, pas rënies së regjimit komunist kishte një arsenal prej 200 mijë tonë municion. Tani shitjet bëhen pikërisht nga ky stok.

“Ne shesim në vendet e Europës. Europa shpesh i blen për tregje të tjera ose i blen për t'i demontuar dhe marrë metalin, plumbin, bronzin etj. Gjithmonë kemi shitur në vende që kanë garanci europiane dhe që janë të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të import – eksportit të armëve, që me një ligj të posaçëm u krijua vitin e kaluar. Për këtë vit kemi shitur 1500 ton armatime,” thotë Granit Leka, drejtor i MEICO-s.

Ndërsa importi i armëve është më i pakët. “Janë importuar të gjitha armatimet e lehta që ka nevojë Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Kufijve dhe Garda e Republikës. Kryesisht importohen armë të lehta të standardit evropian. Ende nuk kemi importuar armë të rënda, mbetemi tek pistoleta e standardit të NATO-s për oficerin, policin,”thotë Z. Leka.

Blerja e armatimit të lehtë financohet nga Ministria e Mbrojtjes nga buxheti vjetor prej 250 milionë dollarësh, që përbën 2 për qind të GDP, që pas anëtarësimit të saj në NATO, në Prill 2009.

Shqipëria – duhet të përgatitet të prodhojë vetë armatimin e lehtë

Drejtori i MEICO-s, Granit Leka, që ka drejtuar prodhimin e armatimit të lehtë në uzinat e armëve, që ngriti në Shqipëri regjimi i kaluar, thotë se vendi ka kapacitete që ta prodhojë vetë armatimin e lehtë. “Ka ardhur koha të mendojmë që municionet e standardit të NATO-s duhet t'i prodhojmë vetë. Duhet të fillojmë të prodhojmë pikërisht atë fishek që importojmë. Armët e policit t'i bëjmë vetë, municionet e policit t'i bëjmë vetë. Shqipëria ka qenë prodhuese e konsiderueshme e municioneve në Evropë,” thotë Z. Leka

Shqipëria - demilitarizimi dhe modernizimi i ushtrisë

Shitblerja e armëve nga Shqipëria gjenerohet nga dy procese të lidhura ngushtë me njëri – tjetrin: njëri është demilitarizimi, shkatërrimi i gjithë arsenalit stok sovjeto- kinez deri në vitin 2013 dhe tjetri është modernizimi i armatimit për ushtrinë profesioniste të një vendi anëtar të NATO-s.

Zv.Ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahia thotë për radion Deutsche Welle se demilitarizimi krahas shkatërrimit të tyre në territorin e Shqipërisë, bëhet edhe përmes shitjes së armëve të vjetra dhe se ai është transparent, i kontrolluar nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Import - Eksportit të materialeve ushtarake.

Duke paraqitur rezultatet e 8 muajve të parë të këtij viti, ai thotë: “Janë asgjësuar 12.453 ton. Për gjithë vitin 2010 parashikohet të asgjësohen 19 mijë e 442 tonë municione”.

Angazhimi i Shqipërisë para NATO-s është mbyllja e procesit të demontimit të stokut të armëve të vjetra deri në vitin 2013 dhe njëherazi modernizimi i armatimit të ushtrisë profesioniste.

KOMENTE