Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
“Shpërthen” ambasadori Bosh: Kutitë e votimit mos digjen, të blihen të tjera (VIDEO)
English

“Shpërthen” ambasadori Bosh: Kutitë e votimit mos digjen, të blihen të tjera (VIDEO)

Tiranë, 10 Shtator 2010 - “Fletët e votimit duhet të ruhen, të paktën, edhe për një gjysmë viti, le të themi deri më 28 qershorin e vitit të ardhshëm, në mënyrë që drejtësia të ketë mundësi të hetojë, nëse do të jetë e nevojshme”.

Ky është qëndrimi që shprehu sot Ambasadori i OSBE-së Robert Bosch, duke sjellë kështu një tjetër pështjellim në morinë e debateve për ngërçin e tejzgjatur politik në Shqipëri.

Sipas z.Bosch, nëse fletët digjen, atëherë s'ka se çfarë të hetohet. Për më tepër, z.Bosch sugjeron: “Argumenti se nevojiten kutitë e votimit, sigurisht që qëndron, por besoj se mund të blihen kuti të reja, pa e rënduar shumë buxhetin. Nuk mendoj se buxheti do të çorientohej nëse do të bliheshin ca kuti më shumë, për të mos asgjësuar ato që keni”.

Z. Bosch deklaroi se vonesat në realizimin e reformës zgjedhore rrezikojnë rikthimin në situatën e zgjedhjeve të mëparshme vendore të cilat u cilësuan si një shans i humbur. Këto komente ambasadori Bosch, i bëri sot për Zërin e Amerikës përpara largimit nga Shqipëria. Lidhur me mosmarrëveshjet për hetimin e zgjedhjeve të qershorit të 2009 ambasadori i OSBE-së thotë se vullneti politik do të sillte edhe zgjidhjet ligjore të ngërçit, ndërsa shprehet kundër idesë së asgjësimit të fletëve të votimit nga ana e Komisionit qendror të Zgjedhjeve.

Më poshtë vijon intervista e plotë:

{youtube}y9JKrOu6eL8{/youtube}

Zoti Ambasador, ju aty i kushtoni vëmendje të veçantë situatës politike, ndonëse duket sikur u shmangeni komenteve rreth kësaj situate. Ajo që unë doja të dija, është se kjo krizë e gjatë, kjo përplasje e gjatë mes shumicës dhe opozitës për më shumë se një viti tashmë ka sipas jush një baze politike apo juridike?

Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Së pari, sigurisht që është politike, por, qeveria përdor si pretekst edhe aspektin gjyqësor. Sigurisht, që ka një aspekt juridik, por siç e kam thënë shumë herë më parë, kur ka vullnet politik, ka edhe zgjidhje, madje edhe zgjidhje ligjore. Ka gjithmonë një rrugëzgjidhje, kur ekziston dëshira e mirë. Kjo, sigurisht, vlen për të dyja palët, pa veçuar asnjërën prej tyre. Nëse ka vullnet politik, edhe çështjet juridike mund të zgjidhen.

Duke mbetur te ngërçi politik i krijuar për shkak të çështjes që lidhet me hetimin e zgjedhjeve, tashmë që është caktuar edhe data e zgjedhjeve lokale, kemi një deklarim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për asgjësimin e fletëve të votimit, e cila, sipas opozitës, konsiderohet diçka e papranueshme që do të mbyllte urat e komunikimit. Sa të komplikuar e shihni këtë situatë?

Këto ditë kam qenë në Vjenë, siç e dini dhe nuk jam njohur me një deklaratë të tillë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndoshta është një deklaratë vetëm e kryetarit dhe jo deklaratë e Komisionit. Gjithsesi, nga një pikëpamje politike, do ta konsideroja veprim jo të mençur djegien e fletëve të votimit, shto këtu faktin që kjo nuk do të ishte korrekte nga ana juridike, sepse, sipas një ligji tjetër, jo Kodit Zgjedhor, nëse ngrihen padi, prokuroria ka dy vjet kohë në dispozicion. Prandaj, fletët duhet të ruhen, të paktën, edhe për një gjysmë viti, le të themi deri më 28 qershorin e vitit të ardhshëm, në mënyrë që drejtësia të ketë mundësi të hetojë, nëse do të jetë e nevojshme. Nëse fletët digjen, atëherë s'ka se çfarë të hetohet. Argumenti se nevojiten kutitë e votimit, sigurisht që qëndron, por besoj se mund të blihen kuti të reja, pa e rënduar shumë buxhetin. Nuk mendoj se buxheti do të çorientohej nëse do të bliheshin ca kuti më shumë, për të mos asgjësuar ato që keni.

Në raport ju shpreheni gati me tone shqetësuese për sa i përket çështjes së reformës zgjedhore. Është e vërtetë që koha e mbetur në dispozicion është e pakët. Sa mendoni ju se rrezikohen standardet apo cilësia e procesit të ardhshëm zgjedhor me këto vonesa?

Rrezikohen deri në atë masë sa mund të rikthehemi, edhe njëherë, në situatën e mëparshme, e cila u kritikua ashpër edhe nga ODIHR-i, që i quajti zgjedhjet e fundit vendore si një tjetër mundësi e humbur. Tashmë kemi një kod të ri zgjedhor, i cili ka nevojë të përmirësohet, në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës, misionit të NATO-s në Shqipëri dhe të vetë Prezencës. Sigurisht që mbetet shumë për të bërë dhe ne po përpiqemi të bëjmë maksimumin, në mënyrë që të shmangim përsëritjen e situatave të mëparshme. Prandaj, reforma zgjedhore është kaq e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme vendore.

Shqipëria e ka kodin zgjedhor. Propozimet e ODIHR-it sa peshë kanë në mënyrë që procesi i ardhshëm zgjedhor t'i arrijë dhe t'i plotësojë standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët?

Besoj se kanë peshë të konsiderueshme. E rëndësishme është, gjithashtu, edhe çfarë ka thënë Gjykata juaj Kushtetuese, për shembull, për Kodin Zgjedhor. Ka sigurisht shumë gjëra që duhen përmirësuar në Kodin Zgjedhor dhe të tjera si, për shembull, ky ngërç politik, të cilat nuk ishin parashikuar dhe që tashmë mbeten në dorën e vullnetit politik për t'u zgjidhur. Prandaj dhe përdoren tashmë argumente ligjore për moszgjidhjen e kësaj situate, pikërisht për shkak të mosparashikimit të rrethanave të tilla në Kod. Pra, këtu lind edhe urgjenca për të bërë ndryshime dhe shtesa në Kod, për të garantuar parashikimin e çdo situate të mundshme. Ashtu siç thotë edhe qeveria juaj, është luftuar për më të mirën dhe zgjedhjet e fundit ishin më të mirat deri më sot, siç i ka cilësuar edhe ODIHR-i në raportin e tij. Gjithsesi, standardet nuk u arritën 100 % dhe, nëse doni t'i arrini plotësisht, përpiquni të zbatoni ndryshimet dhe përmirësimet e propozuara. Këto s'i thotë vetëm ODIHR-i, por i keni vënë në dukje edhe vetë ju, si për shembull, Gjykata Kushtetuese. Nëse Kodi do të ishte formuluar më mirë, ndoshta s'do të kishim pasur ngërç politik.

Një fushë, së cilës OSBE-ja i ka kushtuar vëmendje është ajo e sistemit të drejtësisë. Ju trajtoni në raportin tuaj veçanërisht problemet në sistemin gjyqësor. Po të kthehemi një vështrimi më të gjatë, duket se sistemi gjyqësor ka ardhur duke u përkeqësuar, të paktën edhe nga sondazhet e opinionit publik, besimi i publikut te ky sistem ka ardhur gjithmonë në rënie. Çfarë e ka provokuar këtë situatë?

Kjo është një pyetje shumë e mirë dhe e kam të vështirë të përgjigjem. Ju thatë një fakt: ekziston, një mosbesim i madh i publikut te gjyqësori. Besoj se kjo vjen ngaqë njerëzit nuk janë të kënaqur me atë çka po bëhet. Ne, sigurisht, kemi projektin tonë të monitorimit të seancave gjyqësore. Në kuadër të këtij projekti, kemi nxjerrë edhe shumë raporte, ku themi se gjykatat, në shumë raste, nuk funksionojnë siç duhet, në kuptimin që çështjet mbyllen edhe atëherë kur nuk ka prova të qëndrueshme për të justifikuar mbylljen e tyre; bëhen gjykime të bazuara shpesh në prova jo të mjaftueshme dhe, shpesh herë, shihen kontakte të drejtpërdrejta mes avokatëve mbrojtës dhe gjyqtarëve. Pra, ka shumë ka nga këto gjëra, në dukje të vogla, por shumë të rëndësishme, të cilat, në sytë e njerëzve, nëse mblidhen, bëhen problematike. Diçka tjetër që nuk funksionon siç duhet është që gjyqet shtyhen në rastin e mosparaqitjes së një avokati mbrojtës apo të një të padituri, pa u pasuar nga asnjë ndëshkim, duke penguar sistemin. Shpesh herë, në këtë mënyrë, një gjyq mund të shtyhet ligjërisht për një kohë të gjatë. Njerëzit që e shohin këtë gjë, sigurisht që nuk u pëlqen, kështu që kjo është diçka që duhet adresuar, në mënyrë që njerëzve t'u kthehet besimi, sepse sistemi gjyqësor funksionues dhe i besueshëm është në themel të demokracisë. Unë nuk kam qenë personalisht i përfshirë në ndonjë çështje gjyqësore, por nga ajo çka perceptohet nga njerëzit dhe nga raportet tona, nevojitet të bëhet diçka.

Zoti Ambasador, edhe një pyetje të fundit. Korrupsioni është një temë mjaft e debatuar në Shqipëri. Kemi, nga njëra anë, qeverinë që thotë se ka realizuar hapa shumë të suksesshme përpara; nga ana tjetër, opozita jep një tablo të përmbysur. Megjithatë, në raportet ndërkombëtare çështja e korrupsionit trajtohet si një fenomen i përhapur dhe një problem shumë serioz. Edhe ju, në raportin tuaj, përmendni, për shembull, faktin që përpjekjet për të dënuar zyrtarët e lartë janë modeste. Cili do të ishte vlerësimi juaj për këtë fenomen në Shqipëri?

Kjo deklaratë bazohet tek ajo çka ka thënë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ata kanë fajësuar prokurorinë që nuk heton akuzat ndaj zyrtarëve të lartë. Unë thjesht kam përsëritur atë që kanë thënë institucionet tuaja, me të cilat, meqë ra fjala, kemi një bashkëpunim shumë të mirë në projektet tona. Nuk mjafton të kapen vetëm peshqit e vegjël, por duhen kapur edhe peshqit e mëdhenj.

Në fakt, unë do të doja një vështrim më të përgjithshëm tuaj mbi këtë fenomen.

E kam të vështirë të bëj një deklaratë përgjithësuese, por sipas sondazheve publike, për shumicën e njerëzve, problemi më i rëndësishëm, pas ekonomisë, është korrupsioni, me të cilin ata ende përballen. Unë personalisht nuk e kam ndeshur, por, me sa duket, për njerëzit është një problem shumë i madh. S'ka dyshim që qeveria ka bërë shumë, për shembull për komunitetin e biznesit me ngritjen e one-stop shop. Ky është një përmirësim i ndjeshëm, pasi njerëzve nuk u duhet të shkojnë nga njëra zyrë në tjetrën për të marrë licenca. Ky është një hap i rëndësishëm përpara drejt ndalimit të korrupsionit, por, me sa duket, nga ajo që thotë shoqëria, mbetet ende për të bërë.

Zoti Ambasador, ju faleminderit dhe suksese për detyrën tuaj të re në Kosovë.

Faleminderit shumë. Do të doja të shtoja edhe diçka. Unë kam punuar në Shqipëri për tre vjet. Ka qenë një kënaqësi për mua të jem këtu. Megjithëse tani po flasim për korrupsionin, shqiptarët shpesh herë, nuk kanë reputacionin që meritojnë. Në të vërtetë, shqiptarët janë njerëz shumë pozitivë, shumë punëtorë dhe jam më se i bindur se, nëse vazhdoni të punoni kështu dhe të ruani këtë frymë, do të afroheni më shumë me BE-në dhe do të përmirësoni demokracinë. Shqiptarët janë njerëz shumë të mirë dhe unë jam shumë i lumtur edhe për faktin që nuk do të largohem plotësisht nga kjo zonë e që do të vazhdoj të kem mundësinë të gëzoj miqësinë dhe mikpritjen shqiptare.

FUND

KOMENTE