English

Hashim Thaçi: Serbia vetëm një shtet fqinj, as më shumë dhe as më pak

Prishtinë, 11 shtator, NOA - “Është koha që Serbia ta pranojë realitetin dhe të marrë vendimin historik për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për “Radio Evropa e Lirë”.

Sipas tij, “Kosova është vend i popullit të Kosovës – shqiptarëve, serbëve, malazezëve dhe gjithë të tjerëve. Kosova është vend me perspektivë evropiane, ndërsa Serbia është një shtet fqinj dhe asgjë më shumë ose më pak”.

Z.Thaçi, Kombet e Bashkuara kanë miratuar rezolutën që hapë dyert për bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Si e shihni rrjedhën e zhvillimeve?

Ne u kemi ofruar raporte të barabarta të gjithë fqinjëve tanë - Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe duam të kemi bashkëpunim të mirë edhe me Serbinë. Në këtë drejtim ne do të angazhohemi që të bashkëpunojmë si dy shtete të pavarura për një jetë më të mirë të qytetarëve, popujve dhe vendeve tona.

A ka nisma shtesë që mund t’i ofroni Serbisë që ajo të pranojë realitetin e ri?

Është koha që Serbia ta pranojë realitetin dhe të marrë vendimin historik për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse kjo është zgjidhja e vetme për një të ardhme më të mirë të Kosovës dhe rajonit, për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës deshi apo nuk deshi Jeremiqi.

A jeni të gatshëm të bisedoni drejtpërdrejt me presidentin e Serbisë. Boris Tadiç?

Ne jemi të gatshëm për takime të drejtpërdrejta kushtuar bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, sepse ne kemi pasur takime me presidentët dhe kryeministrat tjerë të rajonit. Bashkëpunimi është politikë e shëndetshme për vendet tona.

Në aspektin e prioriteteve të jashtme të Kosovës, ku është bashkëpunimi me Serbinë?

Është një prioritet i rëndomtë si edhe në rastin e të gjitha vendeve tjera fqinje, por ne kurrë nuk harrojmë se Serbia udhëhoqi gjenocidin në Kosovë. Por, ne shikojmë përpara, shikojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen.

Çfarë mendoni për pohimet serbe se Kosova është djepi i kombit, historisë dhe kulturës serbe?

Kosova është vend i popullit të Kosovës – shqiptarëve, serbëve, malazezëve dhe gjithë të tjerëve. Kosova është vend me perspektivë evropiane, ndërsa Serbia është një shtet fqinj dhe asgjë më shumë ose më pak. Atë që ata e thonë, është mentalitet i vjetër nga koha e Sllobodan Millosheviçit. Ata vetëm përsërisin “Slobodan Millosheviç”, as më shumë dhe as më pak.

Cila është strategjia e juaj për t’u ballafaquar me krimin e organizuar në Kosovë, që konsiderohet problem serioz?

Ne atë e filluam pas 11 vjetësh. Ne filluam dhe do ta vazhdojmë duke hartuar ligje që do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kemi nisur me sukses dhe do të vazhdojmë, sepse çelës i ndërtimit të vendit është qeverisja e mirë dhe zbatimi i ligjit. Do të punojmë që sa më parë ta stabilizojmë procesin, madje edhe në veri të Mitrovicës.

Si ndiheshit në Asamblenë e Përgjithshme kur delegacioni i Serbisë kërkoi largimin tuaj dhe zyrtarëve tjerë kosovarë nga salla?

Prania e jonë në Asamblenë e Përgjithshme ishte legjitime. Loja e Serbisë ishte lojë fëmijësh. Ishte diç që ka mund të ndodhë vetëm gjatë kohës së Luftës së Ftohtë.

Cili është mesazhi i juaj për udhëheqjen e Serbisë?

Njohja e pavarësisë së Kosovës, sa më parë të jetë e mundur, është zgjedhja më e mirë për ta, për të ardhmen e Serbisë dhe rajonit.

“Radio Europa e Lirë”

KOMENTE