Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kukësi, qyteti me dy histori dhe me fytyrën e së ardhmes
English

Kukësi, qyteti me dy histori dhe me fytyrën e së ardhmes

REPORTAZH/ Qyteti veriperëndimor ku lindin njerëz që nuk i tremben vdekjes, por që kanë shumë optimizëm për jetën

Nga Albert Zholi dhe Helena Halilaj

Kur nis e shfleton historinë e kombit shqiptar të vjen keq që Luma, krahina me shumë emër e lavdi, zë pak vend në rreshtat e pseudohistorianëve të djeshëm …

Luma e Zaskocit, Islam Spahisë, Hoxhë Mehmetit e Sul Elezit u bë varr i hordhive Otomane e Serbe dhe mbeti gjallë rrëzë Gjalicës e buzë Drinave, e patundur nën peshën e kohërave…

Krajl as Pashë s’i la rehat

N’këto malësi me ba konak…

Ah, Lumëkuqja ime, prush më djeg e mall më kall’ sa herë emrin tënd ndër dej’ e përcjell, sa herë shekujt flasin për ty. Fjalët përkulen nën përflakjen e të njëjtit flamur…valë-valë kohët tua të lavdishme derdhen me krenari në shtrojën e të njëjtit vend…

Një natë dhe një ditë në Kukës

Kur nata shpejtonte të mblidhte gjurmët e fundit qyteti zgjohet nën mbulesën e vesës pranverore. Duket sikur Gjalica s’donte ta hiqte për asnjë çast plisin e bardhë. E ndërsa qyteti shtat-madh zgjohet i pari, qytetarët e tij e marrin si përkëdhelje mëngjesore lindjen e diellit…Ata mbushin rrugët fluturimthi, hapat e tyre i përpin qarkullimi kaotik në destinacione të ndryshme ku të gjithë merrnin jetë nga jetët e njëri-tjetrit. Trotuaret me mozaik të larmishëm shtrihen gjerë e gjatë nën këmbët e kalimtarëve që e duan aq shumë vendin e tyre. Herët në agim janë ata, pastruesit e qytetit dhe policët rrugorë që lajmërojnë lindjen e një dite të re. I bukur në madhështi, Kukësi, me rrugicat plot dritë e lule, me udhët e pafundme ku gumëzhijnë zërat e ëmbël fëminorë që vërshojnë kopshteve e shkollave si dhe të rinjtë e të rejat në fakultetin e ri për të nxënë dije e kulturë, duket magjepsës. Nën thellësitë e kaltërsive të liqenit të Fierzës fle qyteti i vjetër…Aty ku u kryqëzuan fatet e historisë… qyteti i besës së Avdylit, sofra ku u shtruan këmbëkryq Azemi e Shota, Hasan Prishtina e Avni Rustemi…e vitet rrodhën…qyteti mbledh kujtimet për të rinisur lulëzimin në pllajën buzë liqenit në vitin 1962 e që do pagëzohej Kukësi i Ri. Kukësi i ri mbante të mbërthyera fort marrëdhënien me vëllezërit kosovarë gjë e cila u evidentua për vite të tëra.

Shkollimi i kukësianëve

Shkollimi i kukësianëve ka qenë një ëndërr e kahershme që nga Kolosjani i shkollës së parë shqipe më 1911 që rrezatoi dije për brezat deri tek te rinjtë e sotëm që aspirojnë universitetet më të mira të vendit e gjetkë.

Në auditorët e fakultetit të ri shumë degësh, premtim i mbajtur i qeverisë Berisha takojmë pedagogun e ekonomi biznesit njëherësh dhe Kryetarin e Bashkisë së Kukësit z.Hasan Halilaj me të cilin biseduam për mbarëvajtjen e fakultetit, të ardhmen e studentëve mbështetur në preokupimin max të tyre.

Ai shprehet tejet optimist për mbarëvajtjen fakultative të studentëve dhe aspiratat e tyre drejt zhvillimit të mëtejshëm të këtij fakulteti të sapohapur në qytetin verior.

Optimizmi i shpërthyer në fytyrat e të gjithë qytetarëve dhe kuadrove të fakultetit reflektohet edhe tek rektori Mexhit Hajdari i cili tregon për tre degët e mësim dhënies që jepen për auditorin aktualisht si ekonomi biznesi, gjuhë angleze dhe infermieri duke pretenduar për më tej në thithjen e talenteve të reja dhe nga Kosova, Mali Zi, Presheva e Maqedonia.

Kryetari i bashkisë Hasan Halilaj

Kryetari i bashkisë Hasan Halilaj është i kudogjendur pranë qytetarëve në nevojë së bashku me stafin drejtues të bashkisë së qytetit në zgjidhjen e halleve dhe preokupacioneve të përditshme. Zëri i Tij lidh në një idetë dhe ndryshimin progresiv të qytetit që rritet dhe zbukurohet çdo ditë në këmbët e Gjalicës.

Lëmë pas qytetin e Kukësit e vazhdojmë rrugëtimin e mbushur gjithë emocion drejt rrugës së madhe, rrugës së kombit…buzë saj shtrihen fshatrat me bukuritë dhe ndërtimet e reja që tregojnë qartë dëshirën e banorëve të Kukësit dhe rrethinave për të jetuar aty.

Sadisfaksioni është i papërshkrueshëm kur hidhemi mbi urën madhështore mbi lumin Luma e syri ynë tanimë ndesh në dy realitete të kundërta, në të djathtë oxhaku “ muze” që s’vjell më tym, vepër e sistemit komunist, e ndërkohë magjishëm përshkojmë kilometrat drejt Morinës mbi qilimin e shtruar autoband me katër korsi që përtyp vrullshëm brigjet…e që në të ardhmen e shpejtë do t’a bëjë qytetin verior të Kukësit më atraktiv…

Kjo vepër gjigande pa diskutim që është më e madhja e bërë ndonjëherë në gjithë ekzistencën e kombit shqipëtar e që tashmë misioni i bashkimit të kombit shpirtëror dhe fizik është bërë një realitet i prekshëm…dhe kënga rapsodike derdhet furishëm anëekënd trojeve të ëmbla arbnore:

Kan’ shkrue shekujt n’gurë të trollit

Veç bashkimi është forca e kombit…

Projektet dhe planimetritë bashkohore

Një vend të veçantë zënë projektet dhe planimetritë bashkëkohore të zhvillimit të Kukësit duke dashur t’i japin atij konturet e një qyteti modern. Projektet konsistojnë në infrastrukturën e përmirësimit të furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë, në asfaltimin dhe sistemimin e rrugëve të brendshme si dhe prioritet i veçantë i është dhënë gjelbërimit dhe turizmit malor.

Pamje filmike dhe shpjegimi i projekteve:

Pas viteve ‘90-të një hov cilësor ka marrë biznesi në shkëmbimin e mallrave të artikujve industrial, ushqimorë dhe kozmetikë me Kosovën dhe shtetet fqinje. Gjithandej vërehen linja prodhimi e përpunimi të materialeve ndërtimore, prodhimi dyfishimi i tregtisë së patates e bimëve medicinale, produkteve e nënprodukteve bujqësore e blegtorale gjë që ka ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen dhe mirëqenien e banorëve kukësianë.

Përmendorja

Në sheshin para bashkisë iu flet brezave përmendorja e paqes që simbolizon mirënjohjen dhe bujarinë e pashembullt në historinë e qytetërimit botëror ndaj qytetarëve të Kukësit dhe ruan në memorien e vet gjenocidin barbar sllavo-bizantin të vitit 99-të.

79 ditë dhimbje e lot, pritje e përcjellje, ankth e shpresë në kryeqytetin tashmë të botës.

Ëndrrat kosovare kacavirreshin deri në majën e Pikëllimës e Pashtrikut për të hedhur shikimin larg, larg …atje në malet e Drenicës heroike, atje ku vallja shqip kishte nisur…atje ku jehoi kumbueshëm për liri zëri i Shotës, Azemit, Tahir Mehës e Adem Jasharit… Prisnin, prisnin padurimisht ikjen e reve të helmatisura me mllef cinik…derisa 13 qershori i dha krahë lirisë së shumëpritur të fluturojë në qiellin plot diell të Kosovës martire.

Radio Kukësi

Brinjë Pallatit të Kulturës ndodhet godina e radio Kukësit e cila për nga gjatësia e valëve transmetuese pasonte valët e radio Tiranës. Ajo luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të frymës patriotike të shqiptarizmës në mbarë trevat shqiptare e diasporë nëpërmjet këngës dhe fjalës si ushqim shpirtëror që s’njohu kufij.

Blerimi dhe artizanati

Ndalesa e radhës është te kopshti mahnitës plot lule gjithfarë ngjyrash, një oaz gjelbërues si vetë qyteti i Kukësit ku qytetari pasionant Mehmet Lezaj thyen vitet e pleqërisë nën freskinë e luleve, rritur nga duart e tij dhe shpreh gatishmërinë për të dhënë ndihmesë në shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara që bashkëqytetarët kukësianë të kenë sa më shumë ambiente çlodhëse. Artizanes së Lumës që natë e ditë qëndiste qilimat dhe sixhadet më bukur se gjithë pranverat bashkë, traditë e hershme që preku kufijtë e botës dhe u përdor si një tregti eksporti që mbarte vlera etnografike e kulturore të patjetërsueshme dhe sot i duhen thurur dhe kënduar këngë si dikur pasi tradita e vjetër vazhdon akoma si trashëgimi e që modernitetet e kohës nuk e tundin përfaqësimin e saj ndërshekullor.

Njerëzit e letrave

Fjala letrare në qytetin e Kukësit nisi të përfaqësohej denjësisht shumë vite më herët si letërsi e kufizuar për shkaqrt që tashmë dihen për të zbritur deri në ditët e sotme me purje të shumta veprash zgjidhur nga vargojtë e sigurimit të partisë-shtet. Poezitë e Agim Spahiut,Bajazit Cahanit,Izet Durakut, Rexhep Shahut, Granit Zelës, dhe të paharruarës Sabajete Peposhit etj, shkrimet historike të prof.dr Shefqet Hoxhës, Azis Bulicës, Isa Halilajt, Besim Cengut, Fejzulla Gjabrit, Petrit Palushit etj, si dhe të poetit martir Havzi Nela i kryqëzuar në vitin 1988 në mesin e qytetit të Kukësit nga ish diktatura komuniste, mbeten një kontribut i vyer në thesarin e çmuar të letërsisë shqiptare.

Informacioni elektronik

Të rinjtë e qytetit të Kukësit tashmë marrin informacion të bollshëm e të rëndësishëm falë zyrës American Corner tek e cila gjejnë mjaft libra dhe foto të gjigandëve të artit botëror. Përgjegjësi i kësaj zyre flet për autorët dhe kinematografinë amerikane ku vihet re frekuentimi gjithnjë e në rritje i studentëve duke shfrytëzuar gjithashtu shërbimin falas të internetit që dëshmon qartë se të rinjtë kuksiane e duan të renë.

TV i Kukësit

Tv i Kukësit u ngrit si domosdoshmëri e kohës me iniciativën e z.Lutfi Meçka duke hapur kështu një dritare të re në të cilën do të pasqyroheshin evenimentet më të rëndësishme të trevave verilindore të Hasit, Tropojës, Prizrenit e gjetkë.

Kjo godinë e vogël dykatëshe u bë qendra më e fuqishme agjitativo-vizive që përçoi në sytë e botës moderne shëmbëlltyrën më ç’njerëzore të gjenocidit Millosheviçjan kundër vëllezërve tanë Kosovarë. Dhe sot studiot moderne dhe programacionet e larmishme transmetojnë çdo moment informacion për qytetarët kukësianë dhe më tej.

Tradita muzikore

Krahas muzikës folklorike tradicionale të trashëguar, rreth viteve 70-të startoi veprimtarinë artistike estrada profesioniste e rrethit Kukës me pionerët e parë të këngës popullore kuksiane interpretuar nga solistët popullorë Maliq Cena, Hane Baftjari, Hekuran Çurçiali, instrumentisti Sheqer Ademi si dhe artisti i merituar lodraxhiu Xhemali Toçilla. Muzikantët Hamdi Gjana e Binak Elezi, këngëtarët e talentuar të tre dekadave të fundit Nuhi Elezi, Kudusi Muçmata, Flutura Palushi etj si dhe aktorët e humorit Sokol Spahiu, Abdulla Bilali, Mus Halili, Gëzim Bilali, Qazim Velia etj.

Kujtojmë me admirim te madh korifeun e valles së rëndë lumjane Ymer Shehun, grupin e fatosave Bicaj, koreografin prej disa vitesh në pallatin e kulturës Kukës Ali Kingjin si dhe regjisorin e përkushtuar Bilbil Herenin. Rapsodët e Lumës Rexhep, Sulejman dhe Haxhi Kovaçi, Ferid Dida, Nexhmi Voka, Ymer dhe Milazim Halilaj që mbajtën gjallë kulturën folklorike epiko-lirike lumjane.

Mundja është sporti i veçantë

Mundja është sporti më tradicional në rrethin e Kukësit trashëguar në breza. Ekipi i Përparimit ka promovuar talente të reja në këtë sport burrëror në gjithë historinë e tij duke u vlerësuar me tituj e medalje në rang kombëtar e ndërkombëtar. Kujtojmë këtu mundësit me origjinë kuksiane Asip Omuri e Neshat Aledini, të cilët përveç titujve të shumtë si kampionë kombëtarë dhanë një kontribut të pazëvendësueshëm si trajnerë në ekipet e Tiranës dhe Dinamos.

Vlerësimi e mirënjohje e veçantë në ngritjen e ekipit të Përparimit të Kukësit i përket mjeshtërit të talentuar të mundjes z.Hajredin Hoxha, i cili me përkushtim e pasion të madh si trajner, ekipin e zemrës në mundjen e lirë e shpalli disa herë kampion kombëtar, duke i dhënë në harkun e disa dekadave kampionë të shumtë si Nuhi Murseli, Destan Jakupi, Pjetër Marku, Lutfi, Meçka, Ibrahim Kovaçi, etj në mundjen e lirë dhe në atë klasike Agim Mazreku, Njazi Selmani, Selim Spahija, Haxhi Beluli etj deri tek mundësi Sehit Prizreni i medaluar me çmime të ndryshme ballkanike, evropiane e botërore. Gjithashtu në Kukës ka shumë terrene të tjera sportive si fusha: futbolli, basketbolli, volejbolli ku të rinjtë e qytetit janë mjaft aktivë dhe sidomos të interesuar për ndërtimin e një stadium rë ri me përmasa bashkëkohore.

Lokalet me specialitete vendase

Lokalet e baret në këtë qytet janë të shumta e me pamje mjaft tërheqëse që lënë gjurmë në mendjet e vizitorëve dhe të vetë qytetarëve për shërbimet dhe ambjentet e qeta e çlodhëse. Ato shquhen për gatimet tradicionale dhe moderne në varësi të kërkesave të klientëve si dasma e gëzime të tjera familjare.

Boza, si pije tradicionale

Teknologjia e prodhimit të bozës është një specialiteti i hershëm që serviret gjithandej në lokalet dhe mjediset familjare kuksiane dhe ruan freskinë e traditës në cilësinë e mrekullueshme të kësaj pije, e për më tej flet specialist i mirënjohur Kujtim Pacara shpjegon: E ndërsa rrugëton në qytetin e mikpritjes një drekë tradicionale kuksiane është një arsye më tepër për t’u ndjerë i privilegjuar nën shoqërinë e miqve pranë një gote rakie a verë vendi në sofrën e madhe e gjithmonë plot të këtij qyteti bujar.

Gruaja kuksiane

Është folur gjithmonë për gruan, për hiret dhe butësinë e saj, për vlerat dhe nënshtrimet në një shoqëri patriarkale që e ka të vështirë të dalë nga këllëfi i frymëmarrjes burrërore. Alketa Cenaj është një rast emancipues e domethënës i cucës lumjane. Si zv/kryetare e bashkisë ajo dikton pozicionin dhe sfidat e femrës duke shkelur mbi pirgjet e tabuve të deritanishme e për të kontribuar suksesshëm në evoluimin e mentalitetit kuksian në kushtet e reja që server koha…

Flet zv/kryetarja e bashkisë Alketa Cenaj:

Që në bankat e shkollës, në sytë e fëmijëve dhe të rinjve e ardhmja është e kthjellët. Janë gjimnazistët që flasin për dëshirat dhe aspiratat e tyre në shërbim të qytetit të lindjes.

Përcjellja

Përkrah ëndrrave të qytetarëve të Kukësit qëndron kryetari i bashkisë z.Hasan Halilaj që përcjell gjithnjë optimizëm e shpresë tek bashkëqytetarët e tij, për një të ardhme më të begatë ngjyer në pjalmin e demokracisë. Në faqen zyrtare të bashkisë vërejmë një interesim të madh të qytetarëve që jetojnë në Kukës si dhe të emigrantëve apo dashamirësve që sugjerojnë ide të reja për ndryshimin e mëtejshëm të qytetit të shtrenjtë dhe si këmbim marrin projektet tashmë vënë në zbatim, pamjet e një realiteti ndryshe dhe gjithçka ndodh në qytetin e bukur e plot dritë të Kukësit.

Qyteti ngryset e zgjohet në vizionin e tij…

Ai e do të ardhmen përtej të sotmes që zambaku i bardhë të shtojë petalet dita-ditës…

KOMENTE
  • bato16:07 - 26 Tetor 2011
    "shume bukur" Me behet qejfi kur qytetaret e kukesit jetojne me optimizem per te ardhmen. Ky optimizem do kishte vlera te jashtezakonshme kur niveli i jetes te te gjithe qytetareve te ketij qyteti( te lashte nga emri e i ri nga halli), te ishte i barabarte e pa diferenza ,gje qe s'eshte e mundur me kulturen e miopine qe ka ngele ne mendjen e shume personazheve te ketij qyteti me te vetmen pasuri shpirterore qe i ka ngelur bukurine e natyres e forzes per te jetuar ne varferi. Nje qytet nuk mund te jete i kulturuar kur mendon vetem te kaluaren historike, duke mohuar provinzat e tij ,ku po zen rrenje nje tjeter kulture,ajo e mungeses se respektit ndaj njerezve te moshuar, mungeses se edukazionit te femijeve,mungeses se respektit per emigrantet,e shtimit per fat te keç te vjedhjeve , mungeses se dialogut e percarjes ne te gjithe nivelet e jetes sociale. Vitet kalojne dhe mbetem me shprese qe gjerat do ndryshojne , shpresoj qe te kthehen ato karakteristika te burrerise , civilizimit e kultures te ketij qyteti te jashte zakonshem ne te gjitha fushat e jetes se perditshme , shpresoj qe kur te kthehemi ndonjehere ne kete qytet qe shpesh emigrantet i shikon per ti rjepur e jo si nje element qe ndikon e do te ndikoj gjithmone si nje element i pasurise kulturore e jo vetem kulturore, por edhe ekonomiko- finanziare.Megjithate krenohem qe jam nga ky qytet, megjithe anet positive e ato me pak positive .Nga ky binom rjedh e ardhmja e generazioneve te reja qe do ndryshoj edhe koracatat me te veshtira te ignoranes se pa vlere .