English

Gjëegjëzat e Shalsit dhe libri i shtëpisë

Sigurisht mund të konstatohet, mendohet, gjykohet që ka mospërputhje midis atyre që shfaqen sot në realitetin e përditshëm në transaksionet e përditshme si çmime të pronave të paluajtshme të trojeve apo të godinave me ato që referon harta e vlerës. Është një realitet i pranueshëm, asnjë ligj, në vetë logjikën e tij statike të zbatimit të një formule nuk mund të ndjekë atë evoluim që ka përditë tregu jonë i pasurive të paluajtshme ku pak vite më parë ky treg pothuajse nuk ka ekzistuar

Nga Genc Ruli

Së pari desha të sqaroj se nuk i jam përgjigjur gjëegjëzave të përditshme të zotit Shalësi, aspak se nguroj, aspak se shpërfill personin e tij politik si përfaqësues i opozitës, por i qëndroj me bindje besimit se politika serioze ka forumet dhe institucionet e saj ku zhvillon betejat politike.

Në këtë kuptim zoti Shalësi dhe gjithë opozita kanë instrumentet kushtetuese qoftë hetimin në parlament, nëpërmjet interpelancave, qoftë kërkesave me shkrim ndaj personit tim si ministër, për të bërë sqarime për kërkesat në fjalë, qoftë edhe duke iu drejtuar organeve të drejtësisë për të sqaruar të vërtetën dhe jo të ndjekin metodën e dacibaove politike dhe mediatike.

Fillimisht rruga e arsyeshme dhe institucionale e debatit politik dhe betejave politike nuk mund të jetë rruga që përdor Shalësi dhe padroni i tij Rama.

Mbetet për mua detyrim i përhershëm dhe i paneglizhueshëm ndaj publikut shqiptar për të sqaruar të vërtetat mbi çështjet e ngritura.

Së pari çështja e kontratës me subjektin TCH. Bëhet fjalë për kontratën për përdorimin me qeradhënie të një pjese të hapësirës të ish ekspozitës Shqipëria Sot dhënë me kontratë vetëm dy muaj para zgjedhjeve të vitit 2005. Madje po ta shohim strikt me logjikën e ligjit të dalë në vitin 2004 mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, kontrata nuk duhej bërë sepse ish pronarëve të truallit jo vetëm që u ishte njohur dhe kthyer prona por edhe e kishin hipotekuar pronën prej disa vitesh në ZRPP e Tiranës. Madje shteti prej disa vitesh u kishte paguar qeranë pronarëve për godinën që ngrihej mbi truallin e tyre.

Megjithatë ministri i asaj kohe ka qenë tepër i kujdesshëm dhe për mua ka vepruar drejt që në kontratën e lidhur me subjektin TCH, e ka vënë një kusht në nenin 9 të saj, që në rastin më të parë të privatizimit kundrejt kërkesave të pronarëve të objektit ish ekspozita, kontrata prishej automatikisht.

Në këtë kuptim akuzës së keqinterpretimit që kemi prishur në mënyrë të njëanshme apo të beftë kontratën, nuk i përgjigjet aspak e vërteta.

Unë në cilësinë e ministrit në atë kohë të METE, kam bërë vetëm njoftimin e faktit të ndodhur që pas 8 kërkesave rresht të pronarëve, prona do t’u kthehej pronarëve dhe objekti do të privatizohej nga ata sipas të drejtës që parashikon ligji dhe për këtë arsye kontrata prishet automatikisht. Madje dhe kërkesave të përsëritura të subjektit Top Channel, iu sugjerua zgjidhja e problemit si kanal mediatik për të siguruar ambiente dhe zhvilluar aktivitetin e tij, vetëm duke lidhur marrëveshje me pronarët e rinj për të siguruar hapësirën e duhur.

Duke patur të njëjtin respekt për subjektin TCH si për të gjithë subjektet e tjera të nderuara mediatike në Shqipëri, i është dhënë një trajtim po aq i veçantë dhe po aq i kujdesshëm nga shteti duke i ofruar në të njëjtën kohë rreth 5000 metër katrorë sipërfaqe ndërtimi në objektin ish Kinostudio ku janë grumbulluar pothuaj pjesa më e madhe e mediave shqiptare për të ndërtuar atje godinën që i duhej për punën e tij.

Shitja pronarëve një pjese të truallit e cila ishte pronësi shtetërore, rrjedh nga e drejta e tyre e ligjshme e përcaktuar me akte ligjore që kur pronarët zotërojnë mbi 70 % të truallit në një objekt ata automatikisht privatizojnë me të drejtën prioritare që u jep ligji, gjithë sipërfaqen e objektit. Dhe për më tepër ky veprim nuk mund të kryhej nga METE, po të mos konfirmohej gentplani i saj nga zyra e urbanistikës në bashkinë e Tiranës e cila e ka dhënë këtë konfirmim. Këtë dokument e ka dhënë edhe media, dokument të cilin unë e kam dhe sot në këtë paraqitje para jush, e cila mban datën 18.11.2008, zyrë e cila pranon që privatizimi i objektit të bëhet jo vetëm për sipërfaqen në ndërtim që ishte pronë e pronarëve të ligjshëm por edhe për pjesën e mbetur që ishte pronë shtetërore.

Problemi i dytë që ngrihet po në mënyrë abuzuese është problemi i çmimit me të cilin është realizuar shitja e pjesës së sipërfaqes që ishte ende pronë e shtetit. Theksoj se ky çmim është ai që është miratuar me hartën e vlerës, me vendim qeverie, në zbatim të ligjit të miratuar në dhjetor të vitit 2004 për kthimin e kompensimin e pronave ish-pronarëve. Ligji parashikon nevojën e një formule se si duhet llogaritur ky çmim i trojeve në gjithë territorin e Shqipërisë. Dhe kjo formulë është miratuar me një VKM të qeverisë së partisë socialiste në fillim të vitit 2005.

Sigurisht mund të konstatohet, mendohet, gjykohet që ka mospërputhje midis atyre që shfaqen sot në realitetin e përditshëm në transaksionet e përditshme si çmime të pronave të paluajtshme të trojeve apo të godinave me ato që referon harta e vlerës. Është një realitet i pranueshëm, asnjë ligj, në vetë logjikën e tij statike të zbatimit të një formule nuk mund të ndjekë atë evoluim që ka përditë tregu jonë i pasurive të paluajtshme ku pak vite më parë ky treg pothuajse nuk ka ekzistuar.

Këto mospërputhje nuk kanë të bëjnë me truallin në fjalë e çështjen në fjalë. Këto mospërputhje mund të vërtetohen dhe ka patur mjaft ankime qoftë nga subjekte privatë dhe subjekte publikë pothuajse në gjithë territorin e Shqipërisë. Sot vërtetohet mos përputhje midis çmimeve të hartës së vlerës dhe çmimeve me të cilën realizohen transaksionet e përditshme të shitblerjes së këtyre pronave.

Por ama një gjë është e sigurt që çmimi që është përdorur në këtë rast është një çmim që është marrë nga vendimi i qeverisë, nuk është një çmim subjektiv që është aplikuar nga komisioni i vlerësimit vetëm për këtë rast.

Akuzat e zotit Shalësi për të treguar mospërputhjet që ekzistojnë me çmimet e referuara me vendim qeverie për hartën e vlerës, mund të përmend që çmimi i dhënë për zonën Gjykata e rrethit Tiranë dhe ish ekspozita Shqipëria Sot, është vënë 42.6 lekë, është njëlloj me çmimin e dhënë për zonën restorant Piaca që është akoma më në qendër të Tiranës, Zëri i Popullit, gjimnazi Sami Frashëri, që është po kaq, 42.6 lekë. Është çmimi akoma më I ulët në rrugën e Durrësit që është më afër qendrës së Tiranës, blloku i ambasadave, rruga e Durrësit, Prokuroria që është dhënë 39.5 lekë, apo ambasada amerikane që është dhënë vetëm 37 lekë, në të njëjtën kohë kur ka çmime tepër të larta për zonën Sauk, Selitë, rreth 120 lekë, për zonën e shkollës Avni Rustemi 120 lekë dhe për zonën që përdor zoti Shalësi në referimin e tij në Myslim Shyri, Drejtoria e Policisë, Kisha katolike që është po 120 lekë.

Këto janë probleme të vetë formulës, të vetë hartës dhe nuk mund të akuzohet një vullnet I vecantë I një zyrtari në miratimin e këtyre çmimeve.

Kush përfitoi nga ky privatizim? Me bindje të plotë, me sigurinë më të plotë, mund të konfirmoj vetëm një diçka – fituan pronarët e ligjshëm të pronës, gëzuan frutin e një prone për të cilën kishin gjithë të drejtën historike dhe ligjore që të merrnin pronën e tyre.

Pronarët kanë gjithë të drejtën për tu lidhë me subjekte private për ta zhvilluar pronën e tyre dhe në mënyrë të natyrshme ju takon vetëm atyre ta gëzojnë frutin e shfrytëzimit të kësaj prone.

Me aq sa jam në dijeni, për subjektet që janë prapa, zoti Shalësi bën mirë të mos hyjë në librat e shtëpisë sepse ka mundësi që të dalin kushërinj dhe të afërt pranë tij dhe të zotit Rama më shumë se pranë subjekteve të tjera.

Sigurisht zotit Shalësi i duhet kjo retorikë sepse mbrapa zotit Shalësi është gjithmonë padroni i tij Rama, për t’ju kundërvënë dhe për të kundërbalancuar skandalin e gjobave të 20 % të lejeve të ndërtimit që ka dhënë bashkia e Tiranës. Jo rastësisht goditet zonja Vokshi si bashkëjetuesja e personit që ka patur kurajën civile e qytetare për të qene dëshmitare dhe denoncuesi kryesor kundër gjobave të 20 % i një prej transaksioneve më të mëdha të lejeve ndërtimore në Tiranë.

Ky sulm i Shalësit nuk është vetëm politik por është edhe i sponsorizuar nga ato subjekte të cilëve nuk u del marazi që nuk përfituan në mënyrë të padrejtë e të paligjshme duke privuar nga e drejta e përfitimit të parë pronarët që ju takonte ta merrnin atë pronë.

Zotit Shalësi dhe padronit të tij u duhet të flasim me këtë gjuhë dhe do të çuditesha që ata të kishin gjuhë tjetër sepse padyshim zoti Shalësi është përfaqësuesi më i bindur dhe më fanatik i një bashkie dhe i një kryetari bashkie që për 10 vjet vetëm kanë nëpërkëmbur të drejtat e pronarëve të trojeve në qytetin e Tiranës. Nuk ka as edhe një shpronësim të ndërmarrë nga bashkia e Tiranës për bërje rrugësh apo objektesh publike ku të jenë paguar pronarët për pronën që u është marrë.

Qeveria jonë ka paguar qindra milionë euro në çdo skaj të Shqipërisë për të shpronësuar çdo metër katror tokë që u është marrë pronarëve të ligjshëm.

Bashkia e Tiranës prej 10 vjetësh nuk ka pranuar të miratojë asnjë privatizim objekti ku pronarët e truallit janë privatët përveç atyre rasteve ku për zhvillimin e atyre trojeve kishin interes subjekte të lidhura tepër ngushtë me vetë kryetarin e bashkisë Ramën.

Prandaj zoti Shalësi dhe kryetari i tij zoti Rama s’mund ta pranojnë kurrë sit ë ligjshme kthimin e dhënien pronës të zotit dhe as mund ti shmangen dot marazit të bizneseve që nuk arritën dot të përfitojnë miliona vetëm e vetëm sepse ne respektuam ligjin.

Sikundër përsërita në deklarimin tim të mëparshëm, zoti Shalësi dhe kryetari i tij kanë në dorë të gjitha instrumentet politikë për t’i provuar këtij publiku që ata janë konsekuentë në akuzat që bëjnë. Le të vijnë në parlament dhe të ngrenë komisione parlamentare për të investiguar çdo dosje dhe jo vetëm këtë dosje, ose t’u drejtohet organeve të prokurorisë që ta zbardhin dhe jo të hedhin tym mbi këtë çështje sikundër kanë vepruar edhe për çështje të tjera.

KOMENTE