English

Gjermania: Shqipëria, rezultate të shkëlqyera në plotësimin e detyrimeve të NATO-s

Berlin, 15 shtator, NOA - “Shqipëria nuk është vetëm një partnere në NATO, por edhe një miqësi në rritje. Ajo është një vend i fortë e që po zhvillohet më së miri dhe që jo vetëm i plotëson detyrat e saj në kuadër të NATO-s, por edhe jep rezultate të shkëlqyera.

Kur e shoh se çfarë arrin Shqipëria në Afganistan në krahasim me ndonjë vend tjetër shumë më të madh, atëherë mund të them se meriton konsideratë mjaft të lartë”.

Ky ka qenë vlerësimi i ministrit të Mbrojtjes të Gjermanisë, Karl Theodor Zu Guttenberg, para mediave gjermane, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar, Arben Imami, gjatë një vizite të këtij të fundit në shtetin gjerman.

Vizita në fjalë, synonte zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politiko-ushtarake me Gjermaninë dhe konkludoi me negociatat paraprake për hartimin e një plani të përbashkët bashkëpunimi, që konsiston në ndihmën që do të japë pala gjermane për rritjen e kapaciteteve të Forcave të Armatosura Shqiptare, në zhvillimin e arsimit ushtarak, kualifikimin dhe trajnimin e pilotëve shqiptarë, etj.

Guttenberg vlerësoi marrëdhëniet e të dyja palëve si të shkëlqyera, si edhe vlerësoi përparimet që ka bërë Shqipëria, duke pohuar se Shqipëria po jep një kontribut të krahasueshëm me vendet e mëdha në Afganistan dhe kjo të imponon konsideratë të lartë.

dhe deklaroi se këto marrëdhënie do të intensifikohen edhe më tej.

Ndër të tjera, ministri Imami dhe homologu i tij gjerman konfirmuan se janë të angazhuar të zbatojnë planin e bashkëpunimit të negociuar më parë nga të dyja palët. Ndihma gjermane do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të FA shqiptare, ku përfshihet ndihma në kualifikime dhe trajnime të personelit, rritja e kapaciteteve profesionale të institucioneve arsimore të FA-së, trajnimi i pilotëve shqiptarë etj.

Gjatë takimit, ministri Imami shprehu pikëpamjen e shtetit shqiptar përsa i përket Kosovës.

“Kosova është një histori suksesi për NATO-n dhe Bashkimin Europian. Pavarësia e saj ka çuar në krijimin e një rajoni më të stabilizuar dhe më të sigurt”, u shpreh ministri Imami.

Më tej, deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet ministrive të Mbrojtjes tashmë do të fokusohet në disa çështje konkrete.

“Do fokusohemi në një grup të caktuar çështjesh, ku mund të ndihmojmë njëri-tjetrin për rritjen e kapaciteteve. Këto janë ndihma për emergjencat civile, mjekësinë ushtarake dhe ndonjë element tjetër. Duhet të kuptojmë se ne tashmë jemi vend i NATO-s dhe nuk jemi vend që presim ndihma, por një vend që kërkon të rrisë kapacitetet”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Në fund, Imami foli për angazhimin e Shqipërisë për sigurinë në rajon dhe më gjerë. “Shqipëria nuk është vend i vogël se jep kontribute të mëdha në Afganistan në krahasim edhe me vendet e mëdha, nuk është vend i vogël në Ballkan se po jep një kontribut të madh për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh ai.

n.e/NOA

KOMENTE