English

Kuvendi kundër PS: Votimi i dekretit të Topit, sipas rregullores

Tiranë, 17 shtator, NOA –Shërbimi i Seancave Plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka hedhur poshtë sot pretendimet e opozitës se votimi i dekretit të Presidentit është bërë në shkelje me rregulloren e Parlamentit.

Në njoftim thuhet se dekreti i kreut të shtetit për ligjin e pronave është pezulluar në fillim të votimit të gjithë pikave të rendit të ditës dhe me kërkesë është lënë për në fund. Për këtë votimi PS-ja regoi mbrëmen e djeshme pas seancës duke e cilësuar si të turpshëm.

“Siç rezulton nga regjistrimet audio dhe video të procedurës së votimit, votimi është bërë i pandërprerë për të gjitha projektet e përcaktuara në rendin e ditës. Gjatë procedurës së votimit të dekretit nr. 6664 datë 13.8. 2010 “Për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 10308, datë 22.7.2010, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”, me kërkesë, është pezulluar votimi dhe është ribërë ai si pikë e fundit e rendit të ditës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Gjithashtu, Shërbimi i Seancave Plenare të Kuvendit njofton se dekreti i Presidentit është rrëzuar me shumicën e nevojshme të kërkuar nga neni 85, paragrafi 2 i Kushtetutës.

Duke u ndalur në akuzat që janë bërë dje dhe sot nga PS-ja, Kuvendi sqaron se gjithçka ka qenë e hapur dhe deputetet e PS-së mund të njihen me procedurën e votimit.

“Në lidhje me deklarimet e bëra dje dhe sot, nga eksponentë të Partisë Socialiste, për rregullueshmërinë e procedurave të votimit në seancën plenare të datës 16 shtator 2010, shërbimi i seancave plenare sqaron se e gjithë procedura për votimet e kryera në këtë seancë, është e dokumentuar, e hapur dhe publike. Procedura e votimit është zhvilluar konform Rregullores, në mënyrë specifike neneve 56, 57, 58 dhe 61 të saj”, thuhet në sqarimin e Kuvendit.

Drejtoria e Shërbimit të Seancave Plenare deklaron se për rregullsinë e kësaj procedure, shërbimi i seancave plenare është i gatshëm të përballet me çdo deputet, grup deputetësh apo Grup Parlamentar që do të kontestonte, sipas Rregullores, vlefshmërinë e saj në instancat përkatëse të Kuvendit.

a.k/NOA

KOMENTE