English

Zgjohu!: I drejtë vendimi për rigjykimin e rastit të Sopotit

Shkup, 17 shtator, NOA - Lëvizja Qytetare “Zgjohu!” ka përshëndetur vendimin e drejtë të gjykatës së apelit në Shkup për rigjykimin e tërësishëm të rastit të Sopotit dhe lirimin e Zenel Klaiqit si dhe 6 sopotasve të tjerë të arratisur që u mundëson atyre t’u bashkangjiten 4 të liruarve të tjerë me herët nga gjykata e Kumanovës dhe t’i kthehen familjeve të tyre.

Zgjohu! konsideron që përpjekjet e përbashkëta të partive politike, mediave dhe shoqërisë civile garantojnë sukses dhe ngadhënjim të drejtësisë në rastet e diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Apelojmë që ky mobilizim të realizohet edhe për mbylljen e dosjeve të kthyera në gjykatat e politizuara vendore nga ana e Tribunalit të Hagës për gjoja krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe të parandalojmë manipulimin dhe keqpërdorimin e këtyre dosjeve për hakmarrje politike ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Lëvizja Zgjohu! gjithashtu shpreh mirënjohje ndaj përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, në veçanti, ish-Ambasadorit të NATO-s, Niek Biegman, për angazhimin e tyre në zbardhjen e të vërtetës për pafajësinë e sopotasve.

Lëvizja Qytetare Zgjohu! rikujton që këto vendime të gjykatave në Kumanovë dhe Shkup nuk e mbyllin përfundimisht rastin e Sopotit, por mundësojnë rigjykim dhe beteja jonë duhet të vazhdojë deri në shpalljen e pafajësisë për të akuzuarit nga fshati Sopotit që 7 vite qëndruan të pafajshëm në burg dhe ky rast shërben si prova më relevante e situatë alarmante në gjykatat që arsyeton akoma më shumë mosbesimin në funksionimin e drejtë dhe të paanshëm të gjyqësorit.

n.e/NOA

KOMENTE