English

Azem Hajdari, të panjohurat e një krimi

Faktet, dyshimet dhe hipotezat të bëjnë të mendosh se vrasja e Azem Hajdarit ka qenë larg të qenit ashtu siç e përshkruan vendimi gjyqësor - një vrasje për hakmarrje. Përfundimi i procesit për këtë krim është një njollë turpi për sistemin tonë të drejtësisë

Nga Andi Bushati

Gjatë përkujtimit të përvjetorit të 12’të atentatit vdekjeprurës ndaj Azem Hajdarit, bashkëshortja e tij ka deklaruar se çështja e vrasjes së deputetit të PD-së nuk është zbardhur. Se procesi ka qenë nën trysni politike, në një kohë të vështirë dhe të pamundur për të marrë vendime të drejta dhe prandaj ai duhet rihapur. Në fakt, që në pranverën e vitit 2002, kur Gjykata e Shkallës së Parë, pas një maratone prej 65 seancash, arriti në përfundimin që provat tregonin se “...vrasja është kryer për motivet e dobëta të hakmarrjes”, të gjithë ata që e kanë ndjekur sadopak këtë çështje, janë ndierë të zhgënjyer. Megjithëse Gjykata kishte zbardhur skenën e krimit, megjithëse ajo kish vënë gishtin mbi atentatorët e vërtetë: Jaho Salihi dhe Fatmir Haklaj, ajo kish neglizhuar një pjesë të rëndësishme të këtij krimi. Kush i kishte shtyrë këta njerëz? Kush kishte përdorur futjen në lojë të rregullave të Kanunit për të kryer një krim të pastër politik? Dhe këto pikëpyetje, në atë kohë, nuk lindnin vetëm nga deklaratat e përçarta të Sali Berishës, se krimin e kishte urdhëruar Fatos Nano, i cili i kishte takuar vrasësit në rrugën Tiranë-Rinas, ndërsa kthehej nga një takim ndërkombëtar në Lisbonë (vite më pas ai u zëvendësua me Rexhep Meidanin). Ato nuk motivoheshin nga përdorimi i pashembullt që ish-shefi i opozitës i ka bërë çdo historie, për interes të politikave të ditës. Çdokush që e ka njohur sado pak këtë ngjarje është i bindur se ajo nuk është një histori e thjeshtë hakmarrjeje. Për një mijë e një arsye. Ato kanë të bëjnë, së pari, me intrigat e pafundme për manipulimin e zbardhjes së ngjarjes, që një aparat i tërë propagande vuri në lojë, dhe, së dyti, me mënyrën se si shteti u soll me frymëzimin, me fshehjen e më pas me eliminimin e vrasësve. Vrasësit e Azemit mund të kishin në thelb një motiv “marrjeje gjaku”, por ai u fry, u nxit, u mbrujt e u mbrojt nga segmente të larta të shtetit. Ndryshe nuk kish se si të shpjegohet që të gjithë ekzekutorët ishin njerëz me uniforma. Ndryshe nuk shpjegohet sesi Jaho Salihi, i denoncuar menjëherë nga PD’ja, nuk arriti të ndalohej, megjithëse ish-ministri i rendit, Perikli Teta, nxori një urdhër menjëherë për këtë. Por, dyshimet shkojnë edhe më tej. Si është e mundur që vetëm dy javë pas kësaj vrasjeje, nga banka e kursimeve në Tiranë, u dërguan 600 milionë lekë në drejtim të Tropojës, të cilat u vodhën nga të njëjtët njerëz që kishin kryer krimin dhe që kontrollonin realisht këtë provincë problematike të Veriut? Si është e mundur që vetëm pak ditë pas ngjarjes një grua anonime iu paraqit “Gazetës Shqiptare” si nëna e të vrarit së bashku me Azemin, Besnik Ceraj, për të dëshmuar se atentatorët ishin katër vëllezër që ishin larguar në drejtim të Milanos? Natyrisht, pasi e kishte botuar, gazeta e kuptoi që lajmi ishte i rremë, bëri madje edhe përgënjeshtrim më pas, por pyetja që shtrohet është tjetër: vallë ishin kriminelet hakmarrës nga Tropoja aq të zotët dhe aq finë sa të mendonin t’i manipulonin mediat? Natyrisht, kjo histori manipulimi nuk përfundon këtu. Për një kohë të gjatë u tentua me çdo mjet që të krijohej përshtypja se njeriu i interesuar për vrasjen e Hajdarit ishte vetë kreu i PD-së, Berisha. Shumë vite më pas, ajo që do të përdorej ishte gazeta “Koha Jonë”. Vëllezërit e Izet Haxhisë, ish-badigardit të Berishës, do ta akuzonin këtë të fundit si organizator të krimit. Ata pretendonin se Berisha po mundohej të fajësonte për këtë krim familjen Haxhia, pasi ai donte të eliminonte njërin prej tyre, Izetin, që i dinte shumë sekrete, përfshirë edhe urdhrat për të hedhur në erë shtylla tensioni në vitet pas humbjes së pushtetit. Por, kjo anë propagandistike është ana më pak kriminale në strategjinë e atyre që nxitën vrasjen e Azem Hajdarit. Ana më e errët është ajo e përgatitjes së krimit dhe më pas e mosarrestimit nga policia, me qëllim zhdukjen dhe eliminimin e atentatorëve.

Kështu siç kanë pohuar vetë edhe ish-ministri i Rendit, Perikli Teta, edhe ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, të gjithë e dinin që Azemit po i përgatitej një atentat. Madje, në zyrat e tyre gjendej muaj më parë një pohim i Fatmir Haklajt, se Hajdari do të vritej së bashku me nëntë vetë të tjerë për një hakmarrje të vjetër. Pyetja është: ç’bëri shteti për ta mbrojtur? Asgjë. Ndërkohë që segmente të tij bënë shumë. Në mënyrë të pashpjegueshme, një prej vëllezërve Haxhia dhe një prej vëllezërve Haklaj, pjesëmarrës në vrasje, u liruan vetëm pak ditë përpara krimit nga gjykata e Gramshit, megjithëse ata akuzoheshin për trafik armësh. Por, edhe pas atentatit të 12 shtatorit 1998, dyshimet vazhdojnë. Megjithëse ishin të gjithë me mandate të mëparshme arresti, dikush për vrasje e dikush për përdhunim, vrasësit e Azem Hajdarit u bë ç’ish e mundur të mos arrestoheshin. Sepse për të humbur gjurmët, ata duhet të zhdukeshin. Më 4 gusht të vitit 1999, Fatmir Haklajt iu bë një atentat me mina të telekomanduara. Ai shpëtoi për mrekulli. U dërgua urgjent në spitalin ushtarak në Tiranë dhe kur u bë më mirë - nuk u arrestua. Megjithëse kërkohej edhe për një vrasje tjetër, ai u la i lirë me kusht. Sepse - absurditeti më i madh! - ai vuri si garanci pasurore kullën e tij në Tropojë. Vetëm tre muaj më pas, ai do të vritej në një atentat në fshatin Bujan të Tropojës, përpara shtëpisë së Jaho Salihit. Edhe ky i dyti do të mbetej i plagosur në këtë ngjarje të 4 nëntorit 1999, por megjithëse qëndroi disa ditë në spital, dhe megjithëse kërkohej edhe për një krim përdhunimi, ai do të largohej i lirë nga shtrati i kurimit. Janë të gjitha këto fakte, dyshime dhe hipoteza që të bëjnë të mendosh se vrasja e Azem Hajdarit ka qenë larg të qenit ashtu siç e përshkruan vendimi gjyqësor - një vrasje për hakmarrje. Përfundimi i procesit për këtë krim është një njollë turpi për sistemin tonë të drejtësisë. Ndaj, bashkëshortja e tij ka të drejtë kur thotë sot se ai duhet të rihapet. Jo më për të gjetur vrasësit me pagesë, por për të shkuar te frymëzuesit e tyre. Ai proces duhet rihapur, jo vetëm për të vënë drejtësinë për një çështje. Jo vetëm për të kuptuar historinë e vërtetë të vrasjes së Azemit. Por edhe për të zhbërë një precedent, atë të pushtetarëve që gatuajnë krimin dhe që dalin gjithnjë pa lagur. Sepse ndërkohë që ne sot flasim për gjyqin e mbyllur të vrasjes së Hajdarit, në aulat e drejtësisë shqiptare, po zhvillohet në të njëjtën mënyrë një proces i ngjashëm, ai i Gërdecit. Ku fjala “hakmarrje” është zëvendësuar me fjalën “incident teknik” dhe ku frymëzuesit si gjithmonë po mbeten jashtë. Prandaj, qoftë për hir të së tashmes, qoftë, dhe të së ardhmes, procesi i vrasjes së Azemit, duhet rihapur.

KOMENTE