English

PS: Berisha të heqë dorë nga politika e vjetër e përbaltjes, të tregojë korrupsionin

Tiranë, 21 shtator, NOA – “Eshtë e turpshme mënyra se si kjo qeveri u përgjigjet akuzave të provuara të korrupsionit”. Ky ka qenë reagimi i deputetes së Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, ndaj deklaratës së sotme të deputetit demokrat, Gerti Bogdani.

“Sali Berisha duhet të heqë dorë nga politika e vjetër e përbaltjes dhe të japë shpjegime, pasi heshtja e tij nuk bën asgjë tjetër, veçse provon se akuzat e ngritura nga opozita dhe të vërtetuara nga faktet dhe dokumentet e bëra publike, janë të vërteta”, tha ajo.

Duke shtuar se kjo familje në pushtet i ka vjedhur shqiptarët aq shumë, sa tani nuk di më as si të justifikohet.

“Është e turpshme kjo metodë që Sali Berisha ka zgjedhur për tu përgjigjur. Duke heshtur ndaj çdo akuze, dhe duke hedhur baltë mbi kundërshtarin. Prej muajsh kemi sfiduar qeverinë të ofrojë qoftë edhe një provë të vetme të akuzës që kanë ngritur, qoftë edhe një provë të vetme se ekziston ndonjë leje ndërtimi në zonën në fjalë. Por ata vetëm flasin dhe hedhin baltë, pasi nuk ka asnjë dokument që vërteton atë çka thonë”, tha më tej deputetja Gjermeni.

Sipas saj, kjo është politika që duhet ta ndryshojmë. Kjo është politika e vjetër e përbaltjes, që synon të nxije kundërshtarin në fjalë, pa u bazuar në asnjë fakt.

“Sali Berisha duhet të kuptojë se nga karrigia e kryeministrit, nuk mund të heshtë. Duhet të japë përgjigje. Janë familjarët e tij ata që, përmes fakteve, është vërtetuar se po vjedhin pronat e shqiptarëve. Janë deputetët dhe ministrat e tij ata që përmes dokumentave zyrtare janë kapur mat, në aferat më të mëdha korruptive, që kanë grabitur çdo pronë publike, vetëm e vetëm për të pasuruar një grusht njerëzish në pushtet”, përfundoi fjalën e saj deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni.

n.e/NOA

KOMENTE