English

Berisha me sipërmarrësit shqiptaro-amerikanë: Dua t’ju shoh të gjithëve në Shqipëri

Nju Jork, 22 shtator, NOA – Kryeministri Sali Berisha në ditën e tretë të vizitës së tij në Nju Jork, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Rrjeti i Profesionistëve dhe sipërmarrësve Shqiptaro - Amerikanë (APEN), një organizatë që ka në fokus të punës së saj promovimin, mbështetjen dhe zhvillimin profesional të komunitetit shqiptar, të cilët jetojnë, punojnë e studiojnë në SHBA.

Shefi i ekzekutivit shqiptar e cilësoi këtë takim si shumë të veçantë, për shkak se APEN, përfaqëson gjeneratën e suksesit të emigracionit dhe diasporës shqiptare.

“Unë kam dëshirë t’ju shoh ju të gjithëve në Shqipëri, por nga ana tjetër nuk mund të mohoj se roli juaj në këtë vend nuk është më i vogël se ai që mund të luani në Shqipëri. Jam i vetëdijshëm se në fytyrën tuaj unë shoh biznesmenë të shquar në vendin më të madh të botës, por jam i sigurt se dhe senatorë, kongresmenë, e zyrtarë më të lartë të këtij vendi”, tha zoti Berisha në fjalën e tij drejtuar sipërmarrësve shqiptaro-amerikanë.

Kreu i qeverisë Berisha bëri edhe një pasqyrë të zhvillimeve dhe arritjeve të Shqipërisë në shumë fusha, kryesisht në fushën ekonomike.

“Në një hark të shkurtër kohor janë rritur në dhjetëra e dhjetëra herë të ardhurat për frymë; Shqipëria është vendosur në grupin e vendeve me nivel të lartë të të ardhura të mesme; 80 përqind e prodhimit e ka nga sektori privat; 90 përqind e nxënësve që mbaruan klasën e 9-të ndjekin shkollat e mesme dhe ku 70 përqind e maturantëve janë regjistruar në universitete, si dhe në çdo shkollë në të katër anët e vendit ka internet dhe kabinete informatike”, informoi kryeministri Berisha sipërmarrësit.

“Nesër unë do flas në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si përfaqësues i një vendi që në një hark të shkurtër kohor ka rritur në dhjetëra e dhjetëra herë të ardhurat për frymë, zhvillime këto shumë pozitive në ekonominë shqiptare, tha zoti Berisha.

Ai foli edhe për investimet e rëndësishme në infrastrukturën e vendit, duke nënvizuar se në pranverë çdo njeri, që niset nga Kosova për në Shqipëri, nga Morina e Kukësit deri në Konispol, do të ecë në rrugë të reja.

Në këtë pritje merrnin pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

mit/NOA
KOMENTE