English

Operacioni “Fllad i ftohtë” kap autorin e disa vjedhjeve në fshatrat e Dropullit

Gjirokastër, 22 shtator, NOA – Nën kuadrin e një operacioni të koduar me emrin “Fllad i ftohtë”, forcat e policisë së Gjirokastrës kanë mundur të arrestojnë në flagrancë persona të cilët kanë kryer një seri vjedhjesh në fshatrat e minoritetit në Dropullin e Poshtëm si dhe disa vjedhje në Delvinë.

Ngjarja e raportuar nga këto burime policore për agjencinë e Lajmeve NOA, tregon sesi në total të dyshuarit kanë vjedhur shumën prej 1.5 milion lekësh të vjetra si dhe 230 euro dhe sende të tjera, të cilat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Ata janë kapur në flagrancë e në momentin që kishin shkuar në një lokal në fshatin Terihat për të kthyer disa të holla nga euro në lekë, të cilat i kishin vjedhur në një banesë gjatë orëve të para të mëngjesit, konkretisht atë në pronësi të personit me inicialet V.N.

Mësohet se ndër të tjera, Jashar Hysi, 22 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, në bashkëpunim me një të mitur të moshës 13-vjeç po nga ky qytet, në datën 14 shtator, pasi janë futur nga dritarja e dhomës së gjumit në banesën e personit me inicialet N.N, nga fshati Peshkëpi e Poshtme Gjirokastër, ka vjedhur shumën prej 50.000 lekësh të reja dhe 150 euro.

Ndërsa një ditë më pas, po ky person ka vjedhur banesën e gruas me inicialet K.B, nga fshati Peshkëpi e Poshtme, shumën prej 13.000 lekë të reja.

Ndërsa, dy ditë më pas, ky person pasi është futur nga dritarja e tualetit në banesën e personit me inicialet H.LL, nga fshati Grapsh i Dropullit të Poshtëm, ka vjedhur shumën prej 13.000 lekë të reja dhe 70 euro.

Në fund, ditën e djeshme, pasi është futur nga dritarja në banesën e shtetasit V.N, nga fshati Terihat i Dropullit të Poshtëm ka vjedhur një aparat dixhital, një dredhëse duhani dhe 10 euro.

Gjatë veprimeve të para hetimore, forcat policore të Gjirokastrës zbardhën ndaj tij edhe një vjedhje të kryer në fshatin Vrion të Delvinës, ku në banesën e personit me inicialet L.Ç, ai ka vjedhur shumën prej 70.000 lekësh të reja.

Mësohet se Jashar Hysi, të gjitha vjedhjet i kryente gjatë orëve të para të ditës (07.00-10.00), i ndihmuar nga 13-vjeçari me inicialet A.A, lindur dhe banues në Tepelenë , i cili bënte roje gjatë kohës që ai hynte nëpër banesa.

Jashar Hysi, së bashku me të miturin, lëviznin nëpër fshatrat e Dropullit të Poshtëm duke u justifikuar se gjoja kërkonte vëllain e tij 16-vjeç që ishte larguar nga banesa.

Po punohet për gjetjen e lekëve të vjedhura si dhe për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se i ka kryer ky person në rrethin e Delvinës.

Nga ana e policisë u bë arrestimi i Jashar Hysit, për veprën penale të “Vjedhjes kryer në bashkëpunim”, vepër kjo e parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal, ndërsa i mituri për shkak të moshës së mitur, është lënë i lirë.

n.e/NOA

KOMENTE