English

Rama: 400 banesat sociale synojnë jo vetëm strehimin, por integrimin e të pastrehëve në komunitet

Tiranë, 22 shtator, NOA - Punimet për realizimin e 400 banesave sociale në zonën ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, për të pastrehët janë inspektuar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Rama theksoi se bashkia e Tiranës ka ngritur një grup ekspertësh të huaj dhe shqiptarë që po punojnë për një plan lidhur me katet e para të kompleksit të banesave sociale, të cilat sipas shefit të bashkisë së kryeqytetit, do të vihen në dispozicion të të rejave dhe të rinjve të papunë, dhe që kanë ambicje të merren me një sipërmarrje.

“Projekti ambicioz i ndërtimit të banesave sociale nuk do të ketë për synim thjesht qëllimin parësor të tij, strehimin e familjeve në nevojë, por edhe integrimin e këtyre familjeve në jetën sociale. Kjo do të bëhet e mundur me zbatimin e një plani të zhvillimit ekonomik të zonës, duke aplikuar inkubatorët e bizneseve sociale në të gjitha katet e para të banesave, me synim jo vetëm aftësimin profesional por edhe punësimin në kuadër të zhvillimit të bizneseve”, tha kryebashkiaku Rama.

Në këtë kontekst ai sqaroi se do të implementohen programe për të përcaktuar mënyrat më të mira për mbështetjen e këtyre familjeve dhe për të ndihmuar integrimin e tyre në jetën shoqërore. “Unë jam shumë krenar për çka po bëjmë këtu dhe shumë besimplotë, që ky model i ri i banesës sociale, i futur brenda një kompleksi zhvillimi social të integruar do t’i japë fund një historie dramatike 20-vjeçare të politikës së vjetër të strehimit social dhe do të hapë një epokë të re jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë në vitet e ardhshme”, theksoi zoti Rama.

Në këtë kompleks do të ketë ambiente për një çerdhe, kopësht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët si edhe një qendër sociale, që do të vihet në dispozicion të banorëve.

Krahas zgjidhjes së situatës emergjente të strehimit për këto familje, Bashkia e Tiranës, bën me dije se nën asistencën teknike të ekspertëve ndërkombëtarë, financuar nga UNICEF po punohet për ngritjen dhe funksionimin e Agjencisë për menaxhimin e këtyre banesave sociale.

Sipas bashkisë menaxhimi nuk përfshin vetëm mirëmbajtjen e banesave dhe të mjediseve rrethuese, por edhe kujdesin dhe mbështetjen për integrimin social-ekonomik të këtyre familjeve në shoqëri.

Ky projekt përfshin rreth 5223 familje që kanë aplikuar për programet e strehimit social dhe rreth 800 familje, që kanë aplikuar për programin e banesave sociale me qera.

Nga projekti i parë i ndërtimit të banesave sociale i nisur në vitin 2009, do të përfitojnë rreth 400 familje të pastreha të Tiranës.

mit/NOA
KOMENTE