Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /home/lajmegenalftp/public_html/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Bode siguron tregtarët: Model i ri kasash për biznesin e vogël
English

Bode siguron tregtarët: Model i ri kasash për biznesin e vogël

Tiranë, 24 shtator, NOA, Update – Pas dy ditë protestash të tregëtarëve të Medresesë ku këta të fundit u konfrontuan edhe me policinë pas bllokimit të kryqëzimit në rrugën “5 Maji”, ministri i Financave Ridvan Bode ka siguruar biznesmenët që operojnë në tregje masive, që do të negociohet për një model kasash me çmim më të lirë dhe funksional për këto biznese.

Këtë marrëveshje ministri Bode e arriti pas takimit me një përfaqësi tregëtarësh të tregut industrial në rrugën “5 Maji” pranë Medresesë.

Pas dëgjimit të kërkesave të biznesmenëve, të cilët vijojnë të kundërshtojnë vendimin për vendosjen e pajisjeve elektronike, pasi sipas tyre tregu i Medresesë duke qenë një treg i lirë nuk mund të ketë kasa fiskale, ministri Bode, rishtas këmbënguli se vendosja e kasave është një detyrim ligjor dhe një masë e domosdoshme për luftën kundër evazionit fiskal si dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

“Ky është një model që funksionon në çdo vend të zhvilluar të rajonit dhe botës dhe është një proces i pakthyeshëm që do të garantojnë lirinë e tregut”, pohoi ministri i Financave.

Megjithatë pas shumë diskutimesh, ministri Bode ka propozuar tri pika të cilat janë pranuar nga përfaqësia e bizneseve.

Marrëveshja me tregëtarët i garanton ata se deri në fund të vitit 2010 nuk do të vendosen gjoba për kasat në tregjet ku operojnë tregtarë ambulantë dhe biznesmenë të vegjël; ministri i Financave do të shtrojë në qeveri kërkesën për një shtyrje të mundshme të afatit të vendosjes së kasave për këtë kategori, deri në fund të 6 mujorit të parë 2010, deri sa të negociohet me kompanitë një model kase, që të ketë një çmim më të ulët dhe të jetë funksional për këto lloj tregjesh si dhe pika e tretë e marrëveshjes sugjeron ngritjen e një shoqate ose përfaqësie të përhershme, e cila do të ketë kontakt të vazhdueshëm me inspektorët e tatimeve, që do të caktohen për të mbuluar tregjet, për të mundësuar informacion të vazhdueshëm për shqetësimet e tregtarëve në lidhje me problemet e informalitetit, trajtimit nga bizneset e shumicës, e probleme të tjera.

Ndërkohë, zëvendësministri i Financave Alfred Rushaj i pranishëm në këtë takim sqaroi se “nga 90 gjobat e vendosura së fundmi në treg vetëm 9 prej tyre kanë qenë për mosvendosjen e kasave dhe u janë caktuar bizneseve, që janë me një xhiro mbi 5 milion lekë në vit duke theksuar se çdo pretendim tjetër është i pavërtetë”.

Zyrtarët e Ministrisë së Financave sqaruan gjithashtu se vendosja dhe përdorimi i kasave fiskale, do të bëjë të mundur matjen e vërtetë të xhiros së bizneseve dhe për rrjedhojë eliminimin e subjektivizmit në caktimin e kësaj xhiro dhe pagimin e taksave në proporcion me xhiron e bërë.

mit/NOA
KOMENTE