English

PD: Skema e 20 %-it, fataliteti i Ramës vetë

Tiranë, 24 shtator, NOA – Si kundërpërgjigje ndaj akuzave të selisë rozë, deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli deklaroi sot mbi aferën e gjobës prej 20 përqind për çdo leje ndërtimi nga kryebashkiaku Edi Rama, se pas denoncimit mediatik nga vetë ndërtuesit, tashmë çështja është kallëzuar në prokurori, edhe nga investitorë të tjerë, të cilët u detyruan nga Edi Rama të kalonin 20% të aksioneve të tyre në emër të sekserit të tij, Dritan Avllaj apo Dritan Lepri, sikundër njihet rëndom.

“Prej dy muajsh, shqiptarët kanë parë dhe lexuar kontratën ku është materializuar skema mafioze”, deklaroi deputeti Fatbardh Kadilli, i cili shtoi se “kontrata për projektin e 35 katësheve te diga e Liqenit Artificial është bërë tashmë publike, dhe se aty 20% -shi figuron nën emrin e Dritan Avllaj, i njohur si partneri i kryetarit të bllokmenëve të rinj”.

Duke theksuar se vetëm 20 përqindëshi për këtë projekt peshon 100 milion euro, deputeti demokrat nënvizoi se “prej 2 muajsh, Edvin Kristaq Rama i njohur si kryestrumbullari i korrupsionit në Shqipëri e Ballkan, fshihet si frikacak herë në kutinë e leprit, dhe herë pas fustaneve të grave”.

Në përfundim të deklaratës për shtyp zoti Kadilli, i tha kryebashkiakut Rama “kullat 35 katëshe nuk mund të hyjnë në thes, duke e cilësuar këtë skemë mafioze të përfitimit të pasurive marramendëse si fatalitetin e kreut Ramës vetë.

mit/NOA
KOMENTE