English

Uji i ndotur, Komiteti i Helsinkit: Institucionet të papërgjegjshme ndaj situatës alarmante

Tiranë, 24 shtator, NOA – Situata alarmante e shtrimit të mbi 500 qind fëmijëve në Pediatrinë e Vlorës, të sëmurë për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm ka bërë që komiteti Shqiptar i Helsinkit të ndjekë me shqetësim çështjen dhe të deklarojë se analizat laboratorike konfirmuan ndotjen e ujit të pijshëm me fekale.

KShH është e mendimit se në kushtet kur akoma nuk janë marrë masat e gjithëanshme për të parandaluar dëmtimin e shëndetit të njerëzve, sidomos të fëmijëve, deklaratat institucioneve të shëndetit janë vetëm justifikime dhe si pasojë të papërgjegjshme, sepse dëmi i shkaktuar ndaj shtetasve është shumë i madh.

KShH përmes një njoftimi për shtyp i sugjeron organeve përkatëse shëndetësore që të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme, lidhur me gjendjen e ujit të pijshëm dhe të mos hezitojnë, madje kur është rasti, t’i denoncojnë personat përgjegjës për ndjekje penale në organin e prokurorisë.

Madje në këtë kontekst, KSHH, shprehet se “Qëndrime të tilla, me elementë të theksuar indiferentizmi e neglizhence nga ana e administratës publike, ose kompanive që ajo ka kontraktuar për shërbime ndaj qytetarëve, nuk na garantojnë se në të ardhmen nuk do të ndodhin përsëri fenomene të tilla, për këtë arsye raste të ujit të pijshëm të ndotur në rubinetat e shtetasve, janë vërtetuar edhe më parë në qytete të tjera të vendit”.

Duke e vlerësuar gjendjen si serioze dhe jo si një rast të veçuar, KSHH, kërkon nga ndërmarrjet e ujësjellësit, kudo në vend, zbatim rigoroz të ligjislacionit dhe procedurave për të garantuar ujë të pastër për konsumatorët, ndërsa nga organet e pushtetit qëndror dhe ato të qeverisjes vendore, kontrolle më të shpeshta, e më të thelluara për këtë qëllim.

Në vijim të deklaratës KShH i bën thirrje organeve të prokurorisë të nisin sa më shpejt hetimi e kësaj çështjeje serioze, që sipas saj do të ndikonte pozitivisht në parandalimin e fenomeneve të kësaj natyre me pasoja shumë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve.

Lidhur me ndotjen e ujit të pijshëm në Vlorë, Drejtoria e Shëndetit Publik të Vlorës ka bërë me dije se uji i pijshëm vazhdon të jetë i ndotur dhe nuk plotëson kushtet higjieno-sanitare për konsumim dhe se ai duhet t’i nënshtrohet procesit të zierjes përpara se të pihet.

Ndërsa vetë Drejtoria e Ujësjellësit ka pohuar faktin se për shkak të remonteve të nevojshme janë krijuar orë të tejzgjatura të mosfurnizimit me ujë dhe si rjedhim, nuk janë të mjaftueshme efektet e klorifikimit.

KSHH-së sqaron se është e drejtë e të dëmtuarve që të kërkojnë dëmshpërblimin përkatës nga subjektët përgjegjës, duke i garantuar qytetarët e Vlorës se është e gatshme t’i ndihmojë ata me ndihmë ligjore në këtë drejtim.

mit/NOA
KOMENTE