English

PS: Ministrja Bregu të deklarojë burimin e parave për 3 apartamente të padeklaruara

Tiranë, 4 tetor, NOA – Selia rozë në vijim të akuzave ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu për lidhjet e saj me organizatën kriminale “Sacra Corona Unita”, e ka akuzuar atë për mosdeklarim të pronësisë së saj mbi tre apartamente që kapin vlerën e 600 000 eurove.

Deputetja socialiste, Ermonela Felaj deklaroi në konferencën e sotme për mediat se “Zonja Bregu është pronare e tre apartamenteve në qendër të Tiranës saktësisht të dy apartamenteve 3+1 dhe të një tjetër apartamenti 2 +1”.

Felaj duke iu referuar çmimeve të tregut të apartamenteve theksoi se “Të gjitha këto apartamente nëse shiten sipas çmimit të referencës, pra çmimit minimal, që përdoret në rast shitjeje prej 1700 dollarësh për metër katror, çmim ky i miratuar nga vetë qeveria, ku bën pjesë zonja Bregu, në datën 3 shkurt 2010, në Udhëzimin “Për miratimin e kostos mesatare të banesave”, kapin minimalisht vlerën e rreth 600 000 eurove”.

Në këtë kontekst deputetja Felaj i ka kërkuar ministres Bregu të deklarojë burimin e parave me të cilat janë blerë këto apartamente, duke aluduar se paratë e kanë burimin nga bashkëpunimi me mafian italiane.

Deputetja Felaj tregoi për mediat fotot e pallatit ku gjenden apartamentet dhe dokumentin që vërtetonte se ministrja Majlinda Bregu prej muajsh është paguese e rregullt e pagesave administrative për këto apartamente, çka provon se ato janë në pronësinë e saj.

“Zonja Bregu në gënjeshtrën e saj të fundit publike tha se e ka deklaruar blerjen e këtyre apartamenteve, ndërsa në deklaratat e pasurisë në vite, të zonjës Bregu nuk ka asnjë deklarim për blerjen e apartamenteve në fjalë”, tha deputetja socialiste.

Sipas përllogaritjeve të saj, “maksimumi i lëvizjeve bankare të deklaruara nga zonja Bregu në deklaratën e saj të pasurisë është 120 000 euro, ndërkohë që sipas çmimeve të referencës të tre apartamentet në pronësi të saj vlejne minimalisht 600 000 euro”.

Këto kërkesa për deklarimin e burimit të parave me të cilat ministrja e Integrimit ka blerë një kat të tërë në një prej pallateve në qendër të kryeqytetit, vijnë pas akuzave me fakte të lëshuara ditët e fundit nga opozita në adresë të zonjës Bregut, se përflitet në shtypin shqiptar dhe të huaj për lidhjet e saj me mafian italiane, lidhje të cilat zonja Bregu i ka përgënjeshtruar në një konferencë të posaçme për shtyp, ditën e premte.

mit/NOA

KOMENTE