English

Gjinushi: Tani është më afër kërkesa për largimin e qeverisë

Tiranë, 5 tetor, NOA – “Qeveria tregon nga dita në ditë që është qeveria më e korruptuar në rajon, qeveria më e implikuar. Madje s’mund të flasësh më për korrupsion, flitet për grabitje, flitet për një qeveri mafioze dhe si e tillë ajo duhet të largohet”.

Kështu u shpreh Skënder Gjinushi, kryetari i partisë Socialdemokrate pas takimit të sotëm të koalicionit opozitar, i cili ka marrë tashmë emrin “Opozita e Bashkuar”.

Sipas tij, tani është më afër kërkesa për largimin e kësaj qeverie, sepse tani janë konsumuar të tëra përpjekjet e opozitës për një zgjidhje politike në tavolinë.

“Tashmë është vërtetuar ajo ç’ka opozita ka thënë me kohë, që qeveritë e korruptuara kanë nevojë për vota të vjedhura dhe me vota të vjedhura vazhdojnë të vjedhin popullin. Ky rreth vicioz duhet shkatërruar”, shtoi Gjinushi.

Ai tha më tej se popujt nuk janë lodhur kurrë nga protestat, madje janë lodhur nga pritshmëria ndoshta e gjatë dhe nga përpjekjet për të arritur një marrëveshje në tavolinë, që dështuan sepse edhe pushteti është vjedhur nën tavolinë.

n.e/NOA

KOMENTE