Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Luan Rama: Nanon s’e mohon dot askush si modernizuesin e së majtës shqiptare
English

Luan Rama: Nanon s’e mohon dot askush si modernizuesin e së majtës shqiptare

Tiranë, 5 tetor, NOA – “Askush nuk e konteston rolin e z.Nano në kreun e PS, rolin e veçantë të z.Nano për modernizimin e të majtës shqiptare dhe gjithçka tjetër ai bën në këtë funksion, padyshim është kontribut që meriton respekt dhe hapësirat e nevojshme që ky kontribut të jetë gjithmonë energji pozitive për të mirën e së majtës në Shqipëri dhe të vendit”.

Kështu ka pohuar në bashkëbisedimin e tij sot me gazetarët, sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, duke iu përgjigjur interesimit të tyre se mos Nano ka ndikuar në largimin e deputetit Vangjel Tavo nga Partia Socialiste.

Ndërsa në lidhje me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Rama shtoi se kjo forcë politike është tani në momentin i riorganizimit dhe të strukturimit tërësor të saj, proces që do të shtrihet në të gjithë vendin dhe që është i pandashëm nga vlera tjetër që përfaqëson dhe që i qëndron me shumë konsistencë LSI-ja, dhe që ka të bëjë me të qenit parti e hapur për të bashkëpunuar dhe për të pranuar kontribute që i shërbejnë zhvillimit evropian të vendit, nga bota akademike, bota intelektuale, përfaqësues nga grupet e interesit, të shoqërisë civile, në mënyrë të veçantë, të të rinjve, për të krijuar kështu së bashku një ansambël pune dhe energjish pozitive për të përshpejtuar të gjitha proceset ku ne jemi tashmë të angazhuar në mënyrë serioze dhe korrekte dhe për ta kthyer modelin e funksionimit të LSI-së në një model evropian edhe për faktorë të tjerë politikë në vend.

Në këtë funksion, ne do të organizojmë ditën e hënë, në datën 11 tetor, ora 17:00, edhe një konventë të madhe të LSI-së së kryeqytetit, për të shpalosur atje prioritetet, dhe ambiciet tona politike dhe qeverisëse, dhe e bëjmë këtë në një forum të hapur, për të qenë gjithashtu të hapur edhe përballë publikut shqiptar, përballë votuesve, me qëllim që ata të njohin më mirë gjithçka që ne ofrojmë, dhe të jenë pjesë gjithashtu e këtij angazhimi dhe e këtij kontributi, i cili, theksoj, synon të bashkojë të gjitha kontributet, energjitë pozitive, që ta çojnë LSI-në drejt përmbushjes me suksese dhe me fitore dhe në ballafaqimet politike dhe elektorale të ardhshme, duke filluar padyshim me bashkinë e Tiranës, dhe më pas me të gjitha bashkitë e tjera ku do të ketë zgjedhje për qeverisjen vendore vitin e ardhshëm.

Z. Rama, a do t’i bashkohet Vangjel Tavo LSI-së?

Nuk është e rastit që vëmendja juaj është e fokusuar tek z.Tavo, i cili për mua është një mik i veçantë, me të cilin njihem prej gati 20 vitesh, e kemi qenë kontribues që në themelimin PS-së dhe vazhdim. Ajo çka mund të them unë sot është padyshim konsiderata dhe respekti i veçantë që kam për të, si një njeri me integritet politik të spikatur, si nj prej përfaqësuesve socialistë në pushtetin legjislativ nga më të votuarit, dhe pa dyshim si një prej socialistëve nga më të mbështeturit në bazën e PS-së, por dhe më gjerë në elektoratin që e voton. Çdo veprim politik i tij është ekskluzivisht produkt i integritetit të tij në vendimmarrje dhe nga kjo pikëpamje unë e konsideroj lëvizjen e tij, shenjë të këtij integriteti dhe natyrisht respekt që ai shfaq për të gjithë socialistët që e mbështesin atë. Unë nuk dua të bëj asnjë prognozë dhe as që të hamendësoj, se çfarë do të bëjë z.Tavo, por di të them se e vlerësoj maksimalisht faktin që ai ka deklaruar se është dhe mbetet një socialist, një socialist evropian që ka ende kontribute për të dhënë, për të majtën evropiane në Shqipëri, kontribute për shkak të përfaqësimit që ka në Kuvendin e Shqipërisë, dhe çdo gjë tjetër përballë kësaj që është më e madhe, për mua nuk ka vend për tu konsideruar më shumë.

A është e vërtetë që ju i keni kërkuar PD-së që të tërheqë kandidaturën e shumëpërfolur për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Bashën, sepse ju doni të vendosni Monika Kryemadhin?

Jo, nuk është e vërtetë. Absolutisht, nuk ka asgjë të vërtetë, sepse me PD-në ne nuk jemi në fazën e diskutimit të emrave që do të kandidojnë për Bashkinë e Tiranës. Është e rëndësishëm që bashkëpunimi me qeverinë e koalicionit të integrimit PD-LSI, është bashkëpunim solid dhe korrekt. Qëndrimet mbi principe të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin evropian të vendit bashkohen mbi një marrëveshje shuam serioze, të nënshkruar që me themelimin e kësaj qeverie, apo të koalicionit që ka prodhuar këtë qeveri, dhe që sa vjen e shfaqet gjithnjë e më shumë me respektin reciprok të palëve për ta respektuar me rigorozitet këtë marrëveshje dhe natyrisht, përballë këtij soliditeti dhe qëndrueshmërisë që ka ky koalicion, të gjitha zgjidhjet e tjera do të vijnë natyrshëm dhe në një proces të hapur bashkëpunimi dhe luajaliteti duke ofruar kandidaturat më të mira që çojnë tek fitorja e flamurit të partisë, por tek fitorja e qytetarëve të Tiranës në rastin konkret, por dhe më gjerë pastaj tek fitorja e koalicionit të integrimit evropian.

Kjo do të thotë që do të dilni me kandidatë të përbashkët apo secili do të ketë kandidatët e saj për bashkitë?

Kjo do të thotë atë që thashë. Bashkëpunimi korrekt, funksionimi i qëndrueshëm, dhe soliditeti i qeverisjes, krijon mundësi për të gjetur padyshim emra fituesish, emra dinjitozë dhe që të ofrojnë platforma fituese për tërë sfidën elektorale dhe politike të radhës.

A është e vërtetë që largimi i z. Tavo i cili pritet t’i bashkëngjitet LSI-së, është iniciuar nga Fatos Nano?

Fatos Nano, lideri historik i PS-së dhe i të majtës evropiane shqiptare, jo vetëm në vlerësimin tim por dhe në vlerësimin e të tjerëve, mbetet pa dyshim kontribuesi më i rëndësishëm, për gjithçka ka ndodhur në të majtën shqiptare. Unë nuk mund të flas këtu për gjërat që kanë të bëjnë me qëndrimet dhe hipotezat mbi qëndrimet e mundshme të z. Tavo, i cili është njëri prej bashkëthemeluesve të PS-së, me krye-themeluesin e PS-së Fatos Nano, mund të them që angazhimet e kontributet e tij, janë gjithnjë dobiprurëse dhe produktive të cilat i kanë tejkaluar në të gjitha raste ku ai është shfaqur me përgjegjësitë e një lideri politik, interesat parciale apo të grupeve. Si lider historik, me atë lidhje t pakontestueshme dhe shumë-funksionale që ai ka me gjithë të majtën në Shqipëri, unë shpresoj dhe besoj që Nano do të dijë të bëjë gjithnjë më të mirën e mundshme për të majtën evropiane shqiptare dhe për çfarë ka nevojë për kontributet e tij në të mirë të tërë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Me gjithë këto vlerësime për z. Nano, mos do ta ftoni dhe atë në LSI?

Vlerësimet e mia nuk kanë asnjë gjë hiperbolike, janë thjesht një qëndrim i imi për gjithçka më lidh mua me PS-në, dhe nuk janë pak, por janë një jetë e tërë, dhe për gjithçka që ka bërë z. Nano për PS, që gjithashtu nuk është pak dhe çdo konsideratë është konsideratë e imja dhe ju keni të drejtën e plotë ta merrni atë me gjithë seriozitetin. Askush nuk e konteston rolin e z. Nano në kreun e PS, rolin e veçantë të z. Nano për modernizimin e të majtës shqiptare dhe gjithçka tjetër ai bën në këtë funksion, padyshim është kontribut që meriton respekt dhe hapësirat e nevojshme që ky kontribut të jetë gjithmonë energji pozitive për të mirën e së majtës në Shqipëri dhe të vendit.

Cili është kontributi që po jep LSI për riformatimin e kodit zgjedhor, kur dihet se vetëm 8 muaj na ndajnë nga zgjedhjet dhe për momentin duket sikur kjo është harruar si çështje?

Ne në asnjë moment nuk e kemi jashtë vëmendjes, madje e kemi prioritet reformën zgjedhore në tërësi dhe padyshim, njëri prej argumenteve më të rëndësishëm që lind prej reformës zgjedhore, është dhe çështja e qëndrimit ndaj kodit zgjedhor. Ne kemi insistuar, insistojmë dhe vazhdojmë ti ftojmë faktorët e rëndësishëm politikë të vendit, por edhe të gjithë faktorët që kanë kontribute pozitive, që të bëhen pjesë e këtij procesi, me qëllim që Shqipëria të mbërrijë tek standarde të pakontestueshme zgjedhjesh, pavarësisht cili dot jetë rezultati dhe cili do të jetë fituesi. Nëse ka mungesë vullneti nga lidershipi i PS_së për të qenë pjesë e këtij procesi, kjo nuk na pengon ne që të vazhdojmë të shpresojmë, madje dhe ta ftojmë dhe PS-në, të bëhet pjesë e kësaj sfide, jo vetëm për të reflektuar propozimet , sugjerimet apo vërejtjet serioze të bëra nga OSBE-ODIHR, por c është dhe më e rëndësishme, të reflektojë ndjeshmërinë qytetare të votuesve qytetarë, të cilët kërkojnë që askush të mos i përdorë më zgjedhjet për të krijuar alibi të dështuara për të mos njohur verdiktin që japin zgjedhësit. Ne kemi një draft, po punojmë me specialistët tanë, po punojmë dhe me shumë prej fushatave që kanë objekt të punës së tyre procesin zgjedhor, dhe presim që në këtë linjë përgjegjësie të vijnë dhe të tjerët.

NOA

KOMENTE