English

PS: Ministrja Bregu dhe QKR kanë ndryshuar të dhënat në regjistër për asetet e mafias

Tiranë, 5 tetor, NOA –Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj denoncoi sot përpara mediave tentativa e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu për të fshehur të vërtetën e lidhjeve të familjes së saj me organizatën mafioze “Sacra Corona Unita”.

Gjatë konferencës për shtyp deputetja Felaj bëri me dije se “Në ekstraktin e kompanisë “Casino Italia” të datës 29 shtator rezulton se kjo kompani veç selisë në Vlorë ushtronte aktivitetin edhe në kompleksin Muza Park (ish hotel Arturi), sot ky kompleks është hequr nga regjistri i të dhënave të kompanisë në QKR. Arsyeja për këtë ka qenë një tentativë për ta shpëtuar këtë kompleks nga sekuestrimi”, deklaroi zonja Felaj.

Duke iu referuar të dhënave deputetja socialiste tha se “vetëm pak orë përpara se Prokuroria e Vlorës të firmoste urdhrin për sekuestrimin e pronave të bosit Prudentino të Sacra Corona Unita, më saktësisht të kompanisë Casino Italia, në një tentativë flagrante për t’i shpëtuar këto prona nga sekuestrimi është ndryshuar regjistri i të dhënave të kompanisë në QKR”.

Në këtë konteskt Felaj nënvizoi se “Të gjithë shqiptarët i dinë lidhjet e ministres Bregu me drejtorin e QKR-së, pasi edhe në rastin e kompanisë të bashkëshortit të Majlinda Bregut, QKR në një përpjekje për të shpëtuar ministren, ndryshoi regjistrin e të dhënave të kompanisë”.

Por në rastin në fjalë, sipas deputetes socialiste, nuk bëhet më fjalë për fshehje pasurie e korrupsioni, por për fshehje të aseteve të mafias me qëllim për t’i shpëtuar këto asete nga sekuestrimi.

“Si është e mundur që drejtori i QKR, tanimë nën varësinë e drejtpërdrejtë të Ministrit Meta të ketë guximin të përfshihet në një tentativë të tillë për të ndihmuar një grup mafiozësh, sado që të lidhur me Ministren Bregu, që të shpëtojnë pronat e tyre nga sekuestrimi, pasi në këtë rast drejtori i QKR-së nuk është thjesht fajtor për manipulimin e të dhënave, por po përfshihet drejtpërdrejtë në një aktivitet të mirëfilltë mafioz”, pohoi deputetja Ermonela Felaj.

Deputetja socialiste shpjegoi më tej se “Bashkëpunimi mes Bregut dhe Prudentinos tanimë ka arritur në atë pikë, sa nëse deri dje Majlinda Bregu dilte të mbronte publikisht Anxhelo Prudentinon, sot siç e pamë nëpër media, del Anxhelo Prudentino të mbrojë publikisht Majlinda Bregun”.

mit/NOA
KOMENTE